2020-02-18 16:48:30 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Fjala kyçe:肺炎---[fèi yán]---Pneumoni
Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë i Kinës bëri të ditur të hënën në Pekin se Kina ka pasur rezultate të mira në mjekimin e pneumonisë së koronavirusit të ri dhe ka gjetur strategji e taktika efektive diagnostikimi dhe mjekimi.
Deri më 16 shkurt, në mbarë vendin mbi 10 mijë të prekur nga pneumonia e koronavirusit të ri janë shëruar dhe kanë dalë nga spitali. Përveç provincës Hubei, në krahinat e tjera kineze numri i rasteve të reja ditore ka pasur ulje për 13 ditë me radhë.
Në një konferencë për shtyp të organizuar nga Zyra e Informacionit pranë Këshillit të Shtetit, funksionarja e Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë Guo Yanhong tha se punët e parandalimit dhe të mjekimit të pneumonisë kanë pasur efekte të mira:
"Pneumonia e koronavirusit të ri është një sëmundje ngjitëse e re, por ajo mund të parandalohet dhe mjekohet. Nga analizat e të shëruarve zbuluam një sërë taktikash efektive. Ndër këta të shëruar, 90 % ishin me simptoma të lehta, ndërsa 10 % me simptoma të rënda a kritike. Aktualisht, nga shfaqja e simptomave deri në diagnostikimin e sëmundjes duhen mesatarisht 4.95 ditë në mbarë vendin. Kjo tregon se zvogëlimi i kohës së diagnostikimit dhe mjekimi në kohë është gjithashtu një masë shumë efektive për ngritjen e përqindjes së shërimit."
Sipas zonjës Guo, për mbi 90 % të të prekurve janë përdorur terapia antivirale dhe trajtimi simptomatik, përfshi ndihmën respiratore e të qarkullimit të gjakut, forcimin e imunitetit etj. Edhe gjendja në qytetin Wuhan është përmirësuar shumë. Të prekurit me simptoma të rënda zënë tani 18 % të numrit të përgjithshëm, nga 38% që përbënin në fillim të epidemisë.
Mësohet se mjekimi me plazmën e të shëruarve të sapodalë nga spitali është një metodë shumë efektive për të sëmurët rëndë ose në gjendje kritike dhe është përfshirë në programin e mjekimit.
Nga ana e mjekësisë tradicionale kineze, Administrata Kombëtare e Mjekësisë dhe e Farmaceutikës Tradicionale ka rekomanduar në mbarë vendin përdorimin e një recete për pastrimin e mushkërive. Deri tani, në 701 raste të prekjes nga pneumonia e koronavirusit të ri në 57 spitale të 10 provincave është përdorur kjo recetë dhe në 130 prej tyre të sëmurët janë shëruar dhe kanë dalë nga spitali, në 51 raste janë zhdukur simptomat, në 268 raste ka pasur përmirësime dhe në 212 të tjera nuk ka pasur përkeqësim të mëtejshëm.
Krahas këtyre, fosfati i klorikinës, një ilaç kundër malaries, që ka një histori mbi 70-vjeçare përdorimi klinik, është përdorur edhe në mjekimin e pneumonisë së koronavirusit të ri. Ky ilaç është treguar i efektshëm dhe nuk është vërejtur ndonjë efekt anësor i rëndë. (Wang Lei)