Hubei, tregu i konsumit ruan qëndrueshmërinë

2020-02-10 16:06:12 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe: 稳定---[wěn dìng]---qëndrueshmëri

Siç mësohet nga një konferencë shtypi e organizuar të dielën nga Këshilli i Shtetit (qeveria kineze), tregu i mallrave të konsumit të përditshëm në provincën Hubei është i qëndrueshëm në përgjithësi, me rezerva të mjaftueshme dhe rënie të çmimeve. Ndërkohë, bashkia e qytetit Wuhan po nxit normalizimin e funksionimit të tregjeve në qytet.

Zv.drejtori i Departamentit të Funksionimit të Tregut pranë Ministrisë së Tregtisë, Wang Bin, u shpreh se ditët e fundit, tregu i produkteve të konsumit të përditshëm në provincën Hubei ka ruajtur qëndrueshmërinë, me rezerva të plota dhe uljen e mëtejshme të çmimeve.

"Rezervat e orizit, makaronave, vajit ushqimor, mishit, qumështit etj., mund të garantojnë furnizimin për 10-15 ditë. Mishi i derrit dhe vezët mund të plotësojnë kërkesat për pesë ditë, perimet e freskëta për tre ditë. Mos kini frikë kur dëgjoni rezerva për tre ose pesë ditë, sepse kur shiten, vijnë edhe pandërprerë mallra të reja. Është një proces i pandërprerë", tha z. Wang.

Në të njëjtën kohë, bashkia e qytetit Wuhan po nxit rifillimin gradual të funksionimit normal të tregjeve. Deri më 8 shkurt, 14 tregje kanë hyrë në funksionim normal.E njëjta situatë është edhe në mbarë vendin.

Lidhur me këtë, zv.drejtori i Departamentit të Tregtisë të Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe të Reformës, Chen Da, bëri të ditur se masat e marra nga ky organ përfshijnë mbikëqyrjen e çmimeve të produkteve kryesore të konsumit të përditshëm, mbështetjen për rifillimin sa më parë të prodhimit, shtimin e furnizimit dhe pasurimin e rezervave në krahina të ndryshme etj.

"Të dhënat e fundit tregojnë se më 8 shkurt, çmimet me pakicë të drithërave dhe të vajit ushqimor kanë ruajtur nivelin para Festës së Pranverës. Çmimi i mishit të derrit, pas një ngritjeje të vogël, po stabilizohet, ndërsa i vezave pati ulje. Çmimet e 15 llojeve kryesore të perimeve ranë 10 % në krahasim me kulmin e 30 janarit. Parashikojmë që furnizimi i produkteve kryesore të konsumit të përditshëm do të garantohet në përmasë kombëtare me çmim të qëndrueshëm, duke përfshirë edhe zonat më të prekura nga epidemia, si Wuhan-i", shtoi z. Chen.

Siç mësohet, në vijim, organet përkatëse qeveritare do të vazhdojnë të bëjnë më shumë për përsosjen e sistemit të mbikëqyrjes për sinjalet e rritjes së çmimeve, shtimin e furnizimit dhe përmirësimin e shpërndarjes së materialeve, për të përmbushur kërkesat në rritje në qytetet e mëdha, që po presin fluksin e kthimit të punëtorëve.

Mrekulli
Lajmet Kryesore