2020-02-06 15:26:21 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri, Kina ka marrë masa të rrepta për të pakësuar lëvizjen dhe grumbullimet masive njerëzore. Kështu që gjatë "Javës së artë" të këtij viti, pushimit shtatëditor me rastin e Festës së Pranverës, biznesi i qendrave tregtare, restoranteve, kinemave dhe pikave turistike, që parashikohej se do të pritnin një fluks klientësh, pësoi goditje të rëndë. Kjo ka ngjallur shqetësimet e botës së jashtme për rritjen ekonomike të Kinës.
Faktikisht, me zhvillimin e vrullshëm të ekonomisë digjitale, edhe pse njerëzit mund të mos dalin jashtë dyerve të shtëpisë, ata mund të vijojnë punën, mësimin dhe konsumin normal. Përballë epidemisë, ekonomia digjitale po mbështet funksionimin normal të shoqërisë kineze.
Të marrim familjen e znj. Han në Pekin si shembull. Pas shpërthimit të epidemisë, familjarët e saj kanë qëndruar brenda shtëpisë sipas këshillës së autoriteteve. Nëpërmjet platformave në internet, znj. Han porosit fruta, zarzavate dhe produkte të tjera të përdorimit të përditshëm. Bashkëshorti i saj mund të punojë dhe të luajë lojëra elektronike në celular. Ndërsa vajza e znj. Han ndjek mësimet në internet, duke vazhduar studimin sipas planit.
Jeta e familjes Han pasqyron një pamje të përgjithshme të ekonomisë digjitale në Kinë. Të dhënat tregojnë se nga viti 2012 deri në 2018-n, vëllimi i ekonomisë digjitale në Kinë u shtua nga 11.2 trilionë juanë në 31.3 trilionë juanë, dhe pesha e saj në PBB-në kombëtare u ngrit nga 20.8% në 34.8%, duke zënë vendin e dytë në botë. Pas shpërthimit të epidemisë, roli i këtij sektori të ekonomisë po bëhet gjithnjë e më i dukshëm dhe po merr vlera të veçanta.
Kohët e fundit, platformat e ndryshme të shitjes në internet në Kinë kanë shtuar forcat lidhur me zinxhirin e logjistikës, duke dhënë kontribut për garantimin e qëndrueshmërisë së furnizimit në treg. Të dhënat statistikore nga një platformë e madhe tregojnë se, gjatë pushimeve të Festës së Pranverës, kërkesa për drithëra, vaj, ushqime të çastit dhe ushqime gjysmë të gatshme pati një rritje të ndjeshme. Ndër to, shitja e perimeve u rrit 9 herë, e mishit dhe vezëve 7.5 herë dhe e ushqimeve gjysmë të gatshme mbi 7 herë. Edhe numri i të regjistruarve aktivë të lojërave elektronike është shtuar në mënyrë të dukshme.
Tani populli kinez po lufton me të gjitha forcat kundër epidemisë dhe ekonomia pa dyshim do të pësojë ndikim negativ. Megjithatë, zhvillimi i shpejtë i ekonomisë digjitale do të kompensojë pjesërisht ndikimet negative. Me një treg të madh të brendshëm, prirja e zhvillimit të ekonomisë kineze drejt rritjes me cilësi të lartë nuk do të ndryshojë. Kina ka besim dhe është në gjendje ta fitojë luftën, duke mbrojtur zhvillimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë ekonomik.