Epidemia e koronavirusit të ri, një problem jo vetëm shëndetësor, por edhe kulturor

2020-01-28 19:46:05 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe: 封锁---[fēng suǒ]---bllokim

Qeveria kineze po mobilizon të gjitha burimet e veta për të menaxhuar dhe kontrolluar përhapjen e epidemisë së shkaktuar nga një lloj i ri koronavirusi, ndërsa njoftohet çdo ditë për raste të reja të sëmundjes.

Por çështja e koronavirusit të ri mund të ketë lidhje me diçka që shkon përtej vetëm shëndetit publik.

Situata me të cilën përballet publiku dhe qeveria ka një ndërlikim të fuqishëm - traditën. Siç kanë raportuar shumë media, ka gjithnjë e më shumë gjasa që kafshët e egra të jenë burimi i sëmundjes. Kur ato konsumohen nga njerëzit, këta të fundit mund të sëmuren dhe të infektojnë të tjerët përmes kontaktit.

Epidemia e re përkon me Festën e Pranverës, gjatë së cilës ndodh ajo që vlerësohet si lëvizja më e madhe njerëzore në botë. Rreth 3 miliardë udhëtime individuale vlerësohet se do të bëhen gjatë Festës së Pranverës së Kinës, dhe jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë. Ky vëllim i madh i lëvizjes së njerëzve ka rritur në mënyrë eksponenciale mundësinë e ekspozimit ndaj sëmundjes.

Mund të mendohet lehtë që ndalimi i konsumit të kafshëve të egra ose një bllokim i plotë i burimit të infeksionit do të zgjidhte problemin. Por, çështja është se këto ushqime të veçanta dhe udhëtimet janë tradicionale për një numër të madh të popullsisë kineze. Jo vetëm në qytetin e Wuhan, por në provinca si Fujian dhe Guangdong, kafshët e egra përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të ushqimit, prandaj heqja e tyre nga dieta do të ishte diçka shumë e vështirë.

E njëjta gjë vlen edhe për udhëtimet. Mbyllja e një qyteti me 11 milion banorë është diçka e jashtëzakonshme, veçanërisht gjatë Festës të Pranverës. Ka pasur diskutime në internet për njerëz që janë përpjekur të dilnin nga Wuhan në masë pasi u njoftua bllokimi, dhe që qindra mijë u larguan nga qyteti brenda vetëm disa orësh.

Por përveç Wuhan-it, ka një numër në rritje të rasteve edhe në metropolet e tjera të mëdha. Me një numër të papërcaktuar të personave të infektuar, taktika e bllokimit nuk mund të jetë një strategji afatgjatë.

Ajo që e bën sëmundjen të frikshme është lidhja e fortë me traditën. Një numër i madh njerëzish nuk dëshirojnë të humbin një mundësi të tyre gjatë vitit për të bërë gjëra të caktuara, gjë që është problematike për zgjidhjen e thjeshtë të ndalimit të këtyre traditave që prekin thelbin e identitetit të popullatës.

Një ndalim i përkohshëm mund të jetë në interes të publikut. Por, përsëritja e strategjisë të ndalimit, edhe pse shëron sëmundjen, mund të ketë një efekt që dëmton diçka tjetër më të thellë.

Kur bëhet fjalë sëmundjet, zgjidhja është një ekuilibër i brishtë midis veprimeve të nevojshme urgjente dhe traditës kulturore.

Mrekulli
Lajmet Kryesore