2020-01-24 16:22:57 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Fjala kyçe:病毒---[bìng dú]---Virus
Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi të enjten se "është pak herët" të shpallet koronavirusi i ri si emergjencë ndërkombëtare shëndetësore teksa Kina ka futur në karantinë miliona njerëz si pasojë e përhapjes së virusit që vrau të paktën 25 vetë dhe infektoi rreth 830 të tjerë.
Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se kjo është një emergjencë në Kinë.
"Sipas vlerësimit të rrezikut të OBSH-së, shpërthimi ka rrezik shumë të lartë në Kinë dhe rrezik të lartë rajonal e global. 584 rastet janë raportuar tek OBSH-ja, duke përfshirë 17 të vdekur. 575 e rasteve dhe të gjithë të vdekurit janë raportuar në Kinë. Rastet e tjera janë raportuar në Japoni, Korenë e Jugut, Singapor, Tajlandë, ShBA dhe Vietnam. Ne jemi të vetëdijshëm për njoftimet mediatike mbi rastet e dyshuara në vendet e tjera dhe ato raste po hetohen."
Vendimi i OBSH-së erdhi pas monitorimit dyditor të situatës në terren të grupit të pavarur të ekspertëve për vlerësimin e informacionit mbi shpërthimin e koronavirusit të ri.
Profesori Didier Houssin është kryetari i Komitetit Këshillues të Emergjencave .
"Disa anëtarë theksuan idenë që kjo duhet të konsiderohet si emergjencë shëndetësore publike me shqetësim ndërkombëtar duke marrë parasysh evolucionin e epidemisë, shtimin e rasteve dhe ashpërsinë e sëmundjes. Por disa anëtarë të tjerë thanë se është tepër herët, për shkak të numrit të kufizuar të rasteve jashtë Kinës. Përveç kësaj, kemi konsideruar përpjekjet e zhvilluara të Kinës për të frenuar këtë sëmundje."
OBSH-ja përcakton si emergjencë globale "çështje të jashtzakonshme" që përbëjnë rrezik tek vendet e tjera dhe kërkojnë reagim të bashkërenduar ndërkombëtar.
Një deklaratë tipike e emergjencës botërore mund të sjellë shumë para dhe burime, por nga ana tjetër mund të nxisë qeveritë e shqetësuara të kufizojnë udhëtimet dhe tregtinë ndaj vendeve të prekura. Emergjencat e mëparshme globale kanë qenë virusin Zika në Amerikë, Pandemia e Gripit A H1N1, i ashtuquajtur si gripi i derrave dhe poliomeliti.
OBSH-ja lëshoi vlerësimin e saj pasi autoritetet kineze blinduan 3 qytete dhe anuluan shumë aktivitete festive në Pekin me rastin e Vitit të Ri Hënor kinez.
Tedros Adhanom Ghebreyesus tha:"Kina ka ndërmarrë masat e përshtatshme për të frenuar transmetimin e koronavirusit mes Wuhan-it dhe qyteteve të tjera. Shpresojmë që këto masa do të jenë efektive brenda kohës së shkurtër."
Shefi i OBSH-së vlerësoi gjithashtu masat e qeverisë kineze në frenimin e transmetimit të këtij koronavirusi dhe shprehu shpresën se të gjitha vendet do të bashkëpunojnë kundër virusit.
"Dua të rishpreh falënderimin tim për bashkëpunimin dhe transparencën që ka treguar qeveria kineze, në përcaktimin me sukses dhe në kohë të virusit dhe sekuencave të gjenomit të virusit, duke i bërë publike këtë informacione ndaj OBSH-së dhe komunitetit ndërkombëtar. Kina mundi ta zbulojë këtë virus, për shkak se ajo kishte krijuar një sistem për zbulimin e infeksioneve të rënda në rrugët e frymëmarrjes dhe ishte pikërisht ky sistem që zbuloi problemin."