Kina ul tarifat për një ekonomi të hapur botërore

2019-12-24 17:38:14 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:关税---[guān shuì]---Tarifa

Ditët e fundit, Komisioni i Tarifave Doganore i Këshillit të Shtetit njoftoi se do të ulen tarifat për mallrat e importit, si mish derri, fruta dhe pjesë këmbimi të automjeteve. Kjo ulje është një masë e re aktive e qeverisë kineze për zgjerimin e importit, stimulimin e potencialit të importit dhe përmirësimin e strukturës së importit.

Kjo masë tregon gjithashtu që Kina po mban ritmin e vendosur dhe po ngul këmbë te reforma e hapje dhe zhvillimi ekonomik me cilësi të lartë, për të mbështetur një ekonomi të hapur botërore.

Kina do të rregullojë tarifat e importit për një gamë produktesh duke filluar nga 1 janari 2020, konkretisht do të ulen tarifat për produktet e konsumit të përditshëm, pajisjet me teknologji moderne, pjesët e këmbimit si dhe mbi 150 produkte druri dhe letre.

Duke nisur prej 1 korrikut 2020, Kina do të nisë uljen e pestë të tarifave për 176 produkte të teknologjisë së informacionit. Kjo ulje do të përshtatet me kërkesat e njerëzve dhe tregut dhe do të nxisë zhvillimin e sektorit me teknologji të reja e të larta. Kjo është një masë e re nga qeveria kineze për hapjen e mëtejshme, nxitjen e kërkesës së brendshme dhe përmirësimin e strukturës industriale.

Ndër këto masa, prioritet i është dhënë jetesës së banorëve. Këtë herë, tarifat mbi mishin e derrit të ngrirë janë ulur në 8% nga 12%. Krahas kësaj, janë përfshirë edhe avokado e lëng portokali. Kjo me siguri do të pasurojë tryezat e banorëve në Kinë.

Ndërkohë, janë përfshirë edhe lëndë të para të produkteve mjekësore për astmën dhe diabetin. Kjo tregon që ulja e taksave për ilaçet po zgjerohet gradualisht nga medikamentet për lloje të ndryshme të kancerit dhe të sëmundjeve të rralla deri te sëmundjet e zakonshme. Kjo është masë konkrete për të ofruar më shumë mirëqënie për banorët.

Kina është një vend i madh në import-eksportin e teknologjisë së informacionit dhe përmasa e saj në këtë drejtim renditet në vendin e katërt të botës. Ulja tarifore në këtë sektor do të ulë shumë kostot e prodhimit të ndërmarrjeve duke ndihmuar në rritjen e aftësisë konkurruese, çka është në të mirë të zhvillimit me cilësi të lartë.

Në nëntor, presidenti kinez Xi Jinping tha në Ekspozitën Ndërkombëtare të Importit të Kinës (CIIE) se Kina do të ulë më tej tarifat doganore dhe kostot institucionale dhe do të zgjerojë importet e produkteve dhe shërbimeve me cilësi të lartë nga vende të ndryshme.

Kjo ulje është përmbushje e zotimit të Kinës për zgjerimin e hapjes si dhe një përpjekje konkrete e Kinës për ndarjen e fitimeve me botën.

Vlen të përmendet që Kina do të vazhdojë norma preferenciale të taksave për vendet më pak të zhvilluara që kanë marrëdhënie diplomatike me Kinën, gjë që pasqyron gjithëpërfshirjen e zhvillimit të Kinës.

Ka arsye të besojmë që një Kinë me treg gjigant, një potencial konsumi në rritje dhe hapje më të madhe, do të ofrojë një arenë më të gjerë për produktet cilësore të vendeve të botës, ku më shumë vende, veçanërisht ato në zhvillim, do të kenë mundësi të hipin në trenin ekspres të Kinës, duke injektuar një energji të fuqishme për ekonominë botërore.

(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore