Ekonomia e Makaos ka gjallëri të plotë

2019-12-18 23:59:44 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe: 回归---[huí guī]---Kthim

Makaoja është një qytet me një popullsi prej disa qindra mijë banorësh. Para kthimit në atdhe, struktura industriale e Makaos ishte e thjeshtë dhe ekonomia e saj u zhyt në recesion. Në kohët e sotme, PBB-ja për frymë e Makaos renditet në vendet e para të botës dhe ky qytet është bërë gradualisht qendër globale e turizmit dhe argëtimit. Gjatë 20 vjetëve pas kthimit në atdhe, ekonomia e Makaos ka pasur një zhvillim dhe ndryshim shumë të madh.

Para kthimit në atdhe ekonomia e Makaos pati ulje për katër vjet me radhë, kurse pas kthimit PBB-ja e saj u rrit nga 47.3 miliardë pataka në vitin 1999 në 440.3 miliardë pataka vitin e kaluar dhe PBB-ja për frymë nga 14 mijë në 82.6 mijë dollarë amerikanë. Pas kthimit në Kinë, turizmi i Makaos dhe sektorët e lidhur me të, si restorantet, hoteleria, organizimi i ekspozitave etj., u zhvilluan shumë shpejt. Pas vitit 2003, kur u lehtësuan kufizimet për turizmin nga banorët e pjesës kontinentale të Kinës, ekonomia e Makaos është gjallëruar më tej.

Drejtori i Institutit të Studimeve të Zhvillimit të Guangdong-ut, Hong-Kongut dhe Makaos pranë Universitetit "Zhongshan", Yuan Chiping, është i mendimit se pas kthimit të Makaos në atdhe, zbatimi efektiv i politikës "Një vend, dy sisteme" dhe i Ligjit Themelor, diversifikimi i ekonomisë së Makaos dhe faktorë të tjerë e kanë nxitur zhvillimin e shpejtë të ekonomisë së Makaos:

"Qeveria e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Makaos i kushton vëmendje të madhe zbatimit efektiv të parimit 'Një vend, dy sisteme' e të Ligjit Themelor. Makaoja ka përfituar nga zhvillimi i shpejtë i ekonomisë në pjesën kontinentale të vendit dhe është shndërruar në një qendër turistike e në një platformë ekonomiko-tregtare për vendet portugalishtfolëse, duke u kthyer në një vitrinë, që i tregon botës edhe frytet e zhvillimit të pjesës kontinentale të Kinës. Përveç kësaj, sipas kërkesave të qeverisë qendrore, Makaoja ka bërë diversifikimin e përshtatshëm të ekonomisë së saj. Disa sektorë janë zhvilluar shumë shpejt, si restorantet, qendrat tregtare, ekspozitat etj."

Kryetari i Shoqatës së Studimeve Politike dhe Ekonomike të Makaos Tang Jizong është i mendimit se atdheu ka ofruar një garanci të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Makaos:

"Në 20 vjetët pas kthimit, rritja ekonomike e zhvillimi shoqëror i Makaos janë mbështetur nga atdheu. Tregu i eksportit dhe tregu i përgjithshëm i Makaos janë zgjeruar disafish. Përveç kësaj, atdheu ka ofruar garantimin e gjërave të domosdoshme, si uji, energjia elektrike dhe mjetet e nevojshme të jetesës. Duhet të theksoj se zhvillimi i Makaos brenda 20 vjetësh është mbështetur nga shumë politika dhe masa garantuese të atdheut."

Pas kthimit, janë nxitur shumë masa të rëndësishme, si "Marrëveshja e partneritetit më të ngushtë ekonomik ndërmjet Makaos dhe pjesës kontinentale", "Skema e vizitave individuale" në Hong-Kong dhe Makao për banorët nga pjesa kontinentale, "Thellimi i bashkëpunimit rajonal në Deltën e Lumit të Perlave", "Plani i zhvillimit të Zonës së Madhe të Gjirit Guangdong - Hong-Kong - Makao" etj. Makaoja, që "mbështetet nga atdheu dhe ndodhet përpara botës", po njeh gjithnjë e më shumë raste zhvillimi. Ura Hong-Kong - Zhuhai - Makao, Korridori i Ri Guangdong - Makao, projekti i bonifikimit të tokës për aeroportin e Makaos dhe shumë vepra të tjera kanë përfunduar dhe do të vihen në funksionim. Këto projekte kanë krijuar ura më të forta lidhjeje ndërmjet Makaos me pjesën kontinentale të vendit dhe me botën e jashtme.(Xu Guang)

Mrekulli
Lajmet Kryesore