2019-12-17 17:02:22 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Fjala kyçe:实践---[shí jiàn]---Praktikë
Nga 18 deri më 20 dhjetor, presidenti kinez Xi Jinping do të bëjë një vizitë inspektimi treditore në Makao, ku do të marrë pjesë gjithashtu në konferencën përkujtimore me rastin e 20-vjetorit të kthimit të Makaos në atdhe dhe në ceremoninë e betimit të qeverisë së pestë të Rajonit të Posaçëm Administrativ të Makaos.
Para pesë vjetësh, kreu i shtetit i Kinës ishte gjithashtu në Makao për të festuar jubileun e 15-vjetorit të rikthimit të sovranitetit të Kinës mbi këtë rajon. Në fjalimin që mbajti me atë rast, z. Xi theksoi:
"Nxitja në vijim e parimit 'Një vend, dy sisteme' është misioni i përbashkët i qeverisë qendrore, i autoriteteve rajonale dhe popullit tonë me shumë kombësi, duke përfshirë edhe banorët e Makaos. Pavarësisht nga vështirësitë e sfidat, nuk do të ndryshojmë aspak besimin dhe vullnetin në zbatimin e kësaj politike parimore dhe në nxitjen e praktikave përkatëse".
Në fjalimin, Xi Jinping-i shprehu edhe katër shpresat e tij për zhvillimin e ardhshëm të Makaos:
"Këtu dua të shpreh katër shpresat e mia: së pari, shpresoj të vazhdoni të punoni më shumë për të ngritur aftësinë e qeverisjes sipas ligjit; së dyti, shpresoj të vazhdoni planikimin e përgjithshëm për ta çuar Makaon drejt diversifikimit të ekonomisë; së treti, shpresoj të vazhdoni të forconi themelet për të ruajtur harmoninë e stabilitetin shoqëror; së katërti, shpresoj të forconi përgatitjen e talenteve të reja."
"Praktika 15-vjeçare vërteton se, me një rrugë, me një politikë e me një qeverisje të drejtë dhe me unitet popullor, një zonë me kushte të kufizuara mund të krijojë mrekulli. Duhet të marrim fuqi dhe besim nga përparimi i Makaos, njëkohësisht, duhet të shfrytëzojmë prirjen e mirë për të arritur më shumë përparim", shtoi z. Xi në fjalimin e tij.
Presidenti Xi Jinping shtjelloi edhe mendimin e tij për punën e ardhshme të nxitjes së politikës "Një vend, dy sisteme":
"Duhet t'i përmbahemi me vendosmëri parimit themelor 'Një vend, dy sisteme', të bazuar mbi mbrojtjen e sovranitetit, sigurisë kombëtare, interesave të zhvillimit të vendit dhe lulëzimit e qëndrueshmërisë së Hong-Kongut e të Makaos. Duhet të çojmë përpara qeverisjen sipas ligjit në bazë të garantimit të politikës 'Një vend, dy sisteme'. Duhet të respektojmë parimin e 'një vendi' dhe dallimin e 'dy sistemeve', të mbrojmë autoritetin e qeverisë qendrore dhe autonominë e lartë të qeverive rajonale, të balancojmë rolin mbështetës së pjesës kontinentale dhe ngritjen e aftësisë konkurruese të Hong-Kongut dhe të Makaos."