Shkeljet e Ligjit Ndërkombëtar do të dënohen

2019-11-25 16:39:33 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:国际法---[guó jì fǎ]---Ligji Ndërkombëtar

Ditët e fundit, Senati i ShBA-së miratoi "Projektligjin mbi të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Hong-Kong". Nën emrat "Demokraci" dhe "Liri", ShBA-ja ndërhyn në çështjet e Hong-Kongut dhe punët e brendshme të Kinës, duke shkelur seriozisht parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe normat themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare, si barazia sovrane dhe mosndërhyrja në punët e brendshme të vendeve të tjera. Nga këto sjellje shohim qartë një akt të hapur hegjemonie e politike force të ShBA-së, duke ngjallur pakënaqësi tek komuniteti ndërkombëtar.

Sipas Projektligjit, qeveria amerikane do të zhvillojë vlerësim për "autonominë", "demokracinë" dhe "të drejtat e njeriut" në Hong-Kong për të vendosur nëse do t'i japë Hong-Kongut trajtim të duhur ekonomiko-tregtar, apo edhe të sanksionojë funksionarë qeveritarë ose subjekte të Rajonit të Posaçëm.

Pas 22 viteve të rikthimit të Hong-Kongut në atdhe, disa politikanë amerikanë u orvatën të përdorin projektligjin e paligjshëm për të dhënë urdhra në territorin kinez. ShBA-ja luan vetë si "arbitër" dhe "pretendente" në përpjekje për të kontrolluar fatin e Hong-Kongut, gjë që është absurde. ShBA-ja vendosi ligjin e brendshëm mbi Ligjin Ndërkombëtar dhe shkeli normat themelore ndërkombëtare për interesa të saj, gjë që përsëri ka shfaqur mendësinë hegjemoniste të disa politikanëve amerikanë. Kjo do të kundërshtohet nga i gjithë populli kinez.

Foto arkiv, rikthimi i Hong-Kongut në atdhe (Foto nga VCG)

Prej ditës së rikthimit në atdhe, Hong-Kongu është ri-integruar në sistemin e qeverisjes kombëtare. Të drejtat dhe liritë themelore që gëzojnë banorët e Hong-Kongut në përputhje me ligjin janë plotësisht të garantuara me Kushtetutën, Ligjin Themelor të Hong-Kongut dhe ligjet lokale të rajonit. Ky është një fakt objektiv që njihet nga kushdo pa paragjykim.

Çështjet e Hong-Kongut janë punë të brendshme të Kinës. Sipas Ligjit Ndërkombëtar dhe normave themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare, asnjë vend, organizatë apo individ nuk ka të drejtë të ndërhyjë.

Neni 2 i Kartës së Kombeve të Bashkuara përcakton "barazinë sovrane" dhe mosndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve të tjera si një parim i rëndësishëm. Deklarata e miratur në vitin 1965 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së nënvizon se asnjë vend, pavarësisht nga arsyeja, nuk mund të ndërhyjë drejtpërdrejt ose indirekt në punët e brendshme dhe diplomacinë e vendeve të tjera; asnjë vend nuk mund të përdorë masa politike, ushtarake, ekonomike etj. për të ushtruar presion apo kërcënuar vendet e tjera.

Edhe deklarata e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 1970 rithekson se asnjë vend ose grup vendesh nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë drejtpërdrejt ose indirekt në punët e brendshme apo të jashtme të ndonjë vendi tjetër. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë theksoi nevojën për të vendosur parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera. Kjo sepse, ndërhyrja në punët e brendshme të vendeve të tjera bëhet gjithnjë nga një shtet më i fuqishëm, duke rrezikuar drejtësinë ndërkombëtare.

Në botën e sotme, paqja dhe zhvillimi janë prirje të pakthyeshme të kohës. Parimet e së drejtës ndërkombëtare, të tilla si barazia sovrane dhe mosndërhyrja në punët e brendshme të njëri-tjetrit janë bërë aksioma ndërkombëtare. Ndërhyrjet sipas dëshirës të palës amerikane po kontribuuojnë në humbjen e kredibilitetit të saj. Ndërhyrja në punët e Hong-Kongut do të kundërshtohet me vendosmëri nga pala kineze dhe orvatësit nuk do të kenë sukses. (Çang Çuo/Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore