Pekin, hapet Forumi i Ekonomisë së Re

2019-11-22 16:28:59 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe: 创新---[chuàng xīn]--- Risi

Në Pekin po zhvillohet Forumi i 2-të i Ekonomisë së Re. Mbi 600 funksionarë, ish-personalitete politike dhe sipërmarrës kinezë e të huaj nga dhjetëra vende e rajone të botës janë mbledhur në kryeqytetin kinez për të gjetur metodat e zgjidhjes së sfidave në procesin e ndryshimit të modelit ekonomik. Pjesëmarrësit në forum shprehën mendimin se krijimi i risive po e çon ekonominë e Kinës drejt zhvillimit me cilësi të lartë.

Ish-sekretari amerikan i Thesarit Henry Paulson vuri në dukje se tashmë sfidat dhe rastet gjenden së bashku. Ai është i mendimit se qeveritë dhe bizneset duhet të bashkëpunojnë dhe të shfrytëzojnë mundësitë e sjella nga zhvillimi i ekonomisë globale, duke i zgjidhur problemet nëpërmjet reformës:

"Ne sot përballemi me sfida të ndryshme, të cilat nuk është e lehtë për t'i zgjidhur. Por me mund të vërejmë gjithashtu edhe shumë mundësi, si p. sh., krijimi i risive. Në krahasim me të kaluarën, tani është edhe më e rëndësishme që qeveritë e sipërmarrjet të bashkëpunojnë. Sipërmarrjet nuk mund t'i zgjidhin problemet e vetme,e po ashtu as qeveritë. Prandaj ato duhet të forcojnë bashkëpunimin mes tyre, të kapin prirjen e zhvillimit të shpejtë të ekonomisë globale, të shfrytëzojnë teknologjitë e reja dhe t'i zgjidhin problemet nëpërmjet reformës. Këto janë gjërat për të cilat ka sot nevojë bota."

Partneri menaxhues global i kompanisë "Sequoia Capital" Shen Nanpeng mendon se, në vitet e fundit, zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme kineze është i shpejtë, ndërsa ekonomia po zhvillohet me cilësi të lartë. Të gjitha këto, sipas tij, mbështeten te risitë teknologjike të Kinës.

"Në 20 vjetët e fundit, në Kinë janë shfaqur një grup kompanish të teknologjisë e të internetit të klasit botëror, si 'Alibaba', 'Tencent' etj. Tani shumë kompani tradicionale nuk janë më 'tradicionale', por ato po realizojnë kalimin në modelin digjital. Nëse marrim çfarëdo kompanie të mallrave të konsumit, shohim se të gjitha ato mund të përdorin teknologjinë për të përmirësuar zinxhirin e furnizimit, mund të bëjnë promovim nëpërmjet mediave shoqërore dhe mund të shesin nëpërmjet tregtisë elektronike. Sot teknologjia nuk kufizohet vetëm te kompanitë e mëdha të internetit. Në fakt, edhe kompanitë tradicionale po realizojnë digjitalizimin dhe po shfrytëzojnë teknologjitë e ndryshme."

Kina, falë krijimit të risive, tërheq shumë investitorë të huaj. Kompania "Mubadala" nga Emiratet e Bashkuara Arabe ka investime në mbi 50 vende dhe rajone të botës. Kjo kompani ka investuar në shumë kompani kineze. Kryeekzekutivi i kompanisë "Mubadala" Khaldoon al-Mubarak thotë:

"Një ndryshim i madh në pesë - dhjetë vjetët e fundit është se kompanitë e huaja e kanë më të lehtë të bëjnë biznes në Kinë dhe mjedisi i biznesit po përmirësohet. Kina është më e hapur tani për investimet e huaja. Njëkohësisht, në Kinë po shfaqen gjithnjë e më shumë sipërmarrës të shquar dhe kompanitë kineze po arrijnë përparime të mëdha teknologjike, si p. sh, në fushat e shkencave të jetës, të transportit etj."

Al-Mubaraku u shpreh gjithashtu se investimet në Kinë janë një strategji e rëndësishme e kompanisë së tij. "Mubadala" do të vazhdojë investimet në Perëndim, por njëkohësisht do t'i kushtojë më shumë rëndësi Azisë, sidomos Kinës. (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore