Ndërhyrja në punët e brendshme të Kinës do të dështojë

2019-11-21 15:33:20 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe: 干涉---[gān shè]---Ndërhyrje

Senati i ShBA-së miratoi të martën "Projektligjin mbi të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Hong-Kong", ku përkrahet dhuna kriminale e forcave radikale në Hong-Kong, duke ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës. Pala kineze e dënon ashpër këtë projektligj dhe e kundërshton me vendosmëri atë. Projektligji shkel normat themelore të së drejtës ndërkombëtare e të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe nuk mban parasysh kërkesat e qarqeve të ndryshme të shoqërisë së Hong-Kongut. Ky projektligj nuk ka asnjë vlerë. Përpjekjet e një pjese njerëzish në ShBA për të ashtuquajturin "juridiksion të zgjeruar" nuk do të kenë sukses.

Sipas të ashtuquajturit "Projektligj mbi të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Hong-Kong", ShBA-ja do të kryejë çdo vit konfirmimin e gjendjes së autonomisë së Hong-Kongut, për të përcaktuar nëse do t'i ofrojë Hong-Kongut "trajtim të veçantë", si p. sh., atë të zonës së pavarur doganore sipas "Aktit të politikave ShBA-Hong Kong" të vitit 1992. Gjatë 22 vjetëve që prej kthimit në atdhe, mbi bazën e politikës "Një vend, dy sisteme" dhe të Ligjit Themelor, Hong-Kongu ka ruajtur statusin e portit të lirë dhe të zonës së pavarur doganore dhe me emrin "Hong-Kongu i Kinës" ka marrë pjesë në organizatat ndërkombëtare e marrëveshjet e tregtisë ndërkombëtare. Hong-Kongu quhet "ekonomia më e lirë në botë", duke u renditur më lart se ShBA-ja.

Sigurisht, veprimi i palës amerikane shkel seriozisht parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe normat themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare, si barazia e sovranitetit dhe mosndërhyrja në punët e brendshme të vendeve të tjera, dhe nuk ka asnjë bazë ligjore. Sipas "Deklaratës së parimeve të së drejtës ndërkombëtare" të miratuar në vitin 1970 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, asnjë vend ose grup vendesh nuk ka të drejtë të ndërhyjë në punët e brendshme ose të jashtme të vendeve të tjera. Në një deklaratë tjetër të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara vihet në dukje po ashtu se çdo vend ka detyrimin që të shmangë përdorimin e çështjes së të drejtave të njeriut për të ushtruar trysni ndaj vendeve të tjera. Pala amerikane, me të ashtuquajturin "Projektligj mbi të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Hong-Kong", ka ndërhyrë në çështjen e Hong-Kongut dhe punët e brendshme të Kinës, gjë që është një akt i hapur hegjemonie e politike force dhe që do të dështojë.

Tani krimet e dhunshme radikale në Hong-Kong po përshkallëzohen, duke rrezikuar seriozisht jetën e njerëzve e pasurinë publike, duke cenuar sundimin e ligjit e rendin shoqëror dhe duke minuar lulëzimin e stabilitetin e Hong-Kongut. Dhuna ka sfiduar parimin "Një vend, dy sisteme" dhe përmban elemente të terrorizmit. Gjithnjë e më shumë njerëz mund ta shikojnë qartë se tani Hong-Kongu përballet jo me problemin e të drejtave të njeriut dhe të demokracisë, por të ndalimit të kaosit e të rikthimit të rendit. Ditët e fundit, banorët e Hong-Kongut pastruan pengesat në rrugë dhe organizuan miting në përkrahje të policisë, duke treguar me veprime konkrete mbështetjen për qeverinë e Rajonit të Posaçëm Administrativ e për policinë dhe kundërshtimin ndaj veprimeve të dhunës. Ka disa në ShBA që i shpërfillin kërkesat e popullit të Hong-Kongut, duke nxitur miratimin e projektligjit mbi Hong-Kongun, çka do të dënohet nga të gjithë kinezët, duke përfshirë edhe 7.5 milionë banorët e Hong-Kongut.

Çështjet e Hong-Kongut janë punë të brendshme të Kinës dhe duhet të trajtohen në kornizat e Kushtetutës së Republikës Popullore të Kinës dhe të Ligjit Themelor të Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut. Asnjë forcë e jashtme s'mund të ndërhyjë. Disa në ShBA duhet ta kenë të qartë situatën dhe të respektojnë parimet ligjore, të mbajnë parasysh opinionin publik dhe të ndalojnë sa më parë ndërhyrjen në punët e brendshme të Kinës nëpërmjet problemit të Hong-Kongut. Vendosmëria e Kinës për ruajtjen e sovranitetit, të sigurisë e të interesave të veta të zhvillimit, për zbatimin e politikës "Një vend, dy sisteme" dhe për kundërshtimin e ndërhyrjes së huaj në çështjen e Hong-Kongut është e fortë. Nëse pala amerikane do të vazhdojë në rrugën e vet, pala kineze do të marrë masa të forta kundërpërgjigjeje. Çdo veprim "për t'iu kundërvënë Kinës e për të destabilizuar Hong-Kongun" do të paguajë një çmim. (Çang Çuo/Artan)

Mrekulli
Lajmet Kryesore