ShBA-ja duhet të heqë paragjykimet mbi Kinën

2019-10-25 16:32:37 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:偏见---[piān jiàn]---Paragjykim

Të enjten, zv.presidenti amerikan Mike Pence mbajti një fjalim me temën e Kinës në Qendrën "Wilson" në Uashington, ku foli lidhur me problemet ekonomiko-tregtare, ushtarake, fetare, të të drejtave të njeriut etj. Në fjalimin e tij, Pence vazhdoi ta dënojë Kinën në mënyrë të paarsyeshme, mbi bazën e paragjykimeve, por njëkohësisht lëshoi sinjale për zhvillimin e dialogut e bashkëpunimit me Kinën.

 

Në këtë fjalim, Pence përdori përsëri shprehjen "Rindërtimi i Kinës". Kjo thënie që mbart paragjykim, mohon thelbin e përfitimeve të përbashkëta ekonomiko-tregtare midis Kinës e ShBA-së. Gjatë 40 vjetëve, Kina e ShBA-ja janë bërë partneret më të rëndësishme tregtare e të investimeve të njëra-tjetrës, duke pasur përfitime të mëdha nga bashkëpunimi dypalësh. Nga viti 2009 deri në vitin 2018, eksportet amerikane në Kinë krijuan mbi 1.1 milion vende pune në ShBA, e njëkohësisht, fondet, teknologjia dhe tregu amerikan kanë nxitur zhvillimin e Kinës dhe përmirësimin e nivelit të jetesës së popullit kinez.

Në fjalimin e tij, Pence dënoi përsëri politikën e Kinës mbi Xinjiang-un, duke e kritikuar mbi bazën e paragjykimit qeverinë kineze për shtypjen e të drejtave të njeriut e të lirisë së besimit fetar. Në fakt, qeveria kineze mbron sipas ligjit qëndrueshmërinë shoqërore të Xinjiang-ut, duke goditur terroristët, dhe kjo është mbrojtja më e madhe e të drejtave të njeriut në Xinjiang. Në këtë rajon, për çdo 530 besimtarë myslimanë ka një xhami, ndërsa numri i përgjithshëm i xhamive arrin në 24 400. Liria e besimit fetar në rajonin e Xinjiang-ut është e mbrojtur plotësisht.

 

Vlen të vihet në dukje se Pence u shpreh në fjalim se ShBA-ja nuk kërkon të ashtuquajturën "shkëputje" nga Kina. Me kontaktet e shpeshta dhe interesat e përbashkët të të dy vendeve, një veprim i tillë do të ishte i paarsyeshëm dhe joreal. Por problemet ekonomiko-tregtare nuk duhet të politizohen, përndryshe do të shtohej vështirësia e zgjidhjes së tyre. Sinjalet e lëshuara në fjalimin e Pence tregojnë se pala amerikane dëshiron të krijojë një të ardhme të re së bashku me palën kineze. Ky qëndrim është në favor të zgjidhjes së problemeve midis dy palëve nëpërmjet dialogut. Para fjalimit të Pence-it, raundi i ri i konsultimeve ekonomiko-tregtare kino-amerikane pati përparim real. Në këtë sfond, të dy palët duhet të bëjnë përpjekje për të krijuar një mjedis të mirë për realizimin e objektivave të përbashkët. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore