2019-10-23 16:58:39 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Fjala kyçe:平稳---[píng wěn]---Qëndrueshmëri
Autoritetet kineze janë shprehur se sektori industrial i vendit ka qenë i qëndrueshëm në tre tremujorët e parë të këtij viti dhe rritja prej 5.6 për qind e prodhimit industrial është brenda sferës së objektivit vjetor të qeverisë prej 5.5 - 6 për qind.
Në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i Ministrisë së Industrisë dhe të Teknologjisë së Informacionit Huang Libin tha se sektori industrial i Kinës ka ruajtur qëndrueshmërinë e gjithanshme deri tani këtë vit, pavarësisht nga trysnitë e uljes në tregun global:
"Treguesi ekonomik që pasqyron rregullimet e strukturës industriale dhe rritjen e forcave të reja nxitëse ka performancë të mirë. Të gjitha rajonet dhe departamentet i kanë zbatuar vendimet dhe planet e hartuara nga qeveria qendrore dhe i kanë trajtuar aktivisht rreziqet e sfidat e ndryshme, në një mjedis të ndërlikuar dhe gjithnjë në ndryshim brenda e jashtë vendit. Sektori industrial u ka bërë ballë trysnive të ndryshme të jashtme dhe ka ruajtur qëndrueshmërinë e gjithanshme në sferën e parashikuar. Kjo arritje nuk ka qenë e lehtë."
Zëdhënësi shtoi se të dhënat tregojnë që industritë kryesore kanë pasur ndryshime pozitive dhe rezultati ka qenë më i mirë sesa parashikohej. Vlera e shtuar e prodhimit të industrive të lëndëve të para u rrit me 7 për qind në krahasim me nëntë muajt e parë të vitit të kaluar, ose 2.3 pikë përqindjeje më shumë sesa rritja në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar krahasuar me nëntëmujorin e parë të vitit 2017.
Prodhimi i ndërmarrjeve industriale private dhe i atyre të vogla e të mesme u rrit përkatësisht 8 dhe 7.1 për qind.
Fjala kyçe: 平稳[píng wěn] stabilitet
Mbi 80 mijë stacione bazë 5G janë futur në shërbim në mbarë vendin, të cilat kanë siguruar përdorimin e 5G-së, duke përfshirë transmetimin audioviziv me cilësi shumë të lartë, realitetin e zmadhuar e realitetin virtual dhe automjetet inteligjente e të lidhura me internetin.
Por zëdhënësi i Ministrisë së Industrisë dhe të Teknologjisë së Informacionit e pranoi se, me ngadalësimin e rritjes së ekonomisë globale, industria kineze e manifakturës mund të përjetojë dhembje gjatë transformimit:
"Në fillim të këtij viti vendosëm objektivin e rritjes vjetore të prodhimit industrial në sferën nga 5.5 deri 6 për qind, kurse vitin e kaluar rritja industriale ishte 6.2 %. Duke marrë parasysh faktorët e ndryshëm brenda e jashtë vendit, objektivi i sivjetshëm është më i ulët se ai i vitit të kaluar. Përpjekje janë bërë në aspekte të ndryshme për të ruajtur qëndrueshmërinë e sektorit industrial."
Huang tha gjithashtu se Kina do të forcojë më tej monitorimin dhe analizimin e zhvillimit të ekonomisë së vet, do të zgjerojë tregjet e brendshme e të jashtme, do të trajtojë në mënyrë efikase tensionet tregtare me ShBA-në, duke ofruar ndihmë të shënjestruar ndaj ndërmarrjeve të prekura, dhe do të vazhdojë të përmirësojë mjedisin e biznesit. (Wang Lei)