Hapet në Pekin konferenca ndërkombëtare e të drejtave të autorit

2019-10-21 17:38:13 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:版权---[bǎn quán]---Të drejtat e autorit

Të dielën u hap në Pekin Konferenca Ndërkombëtare e Dhënies së të Drejtave të Autorit e Kinës. Në këtë veprimtari treditore marrin pjesë përfaqësues nga 300 organizata kineze e të huaja. Organizimi i kësaj konference synon të nxitë zhvillimin e vazhdueshëm të sektorit të dhënies së të drejtave të autorit, përmirësimin e rezultateve për sa u përket të drejtave të autorit dhe ndërtimin e një platforme ndërkombëtare dhe të orientuar nga tregu lidhur me këtë sektor.

Të drejtat e autorit janë baza e ekonomisë socialiste të tregut, kërkesë e zhvillimit të udhëhequr nga risitë dhe standard i tregtisë ndërkombëtare të shërbimeve. Ato mund të trashëgojnë kulturën tradicionale dhe të përmbushin kërkesën e njerëzve për një jetë më të mirë. Drejtori i Administrimit të të Drejtave të Autorit pranë Departamentit të Publicitetit të Komitetit Qendror të PKK-së Yu Cike u shpreh në ceremoninë e hapjes të kësaj konferencë se qeveria kineze i kushton rëndësi mbrojtjes së pronësisë intelektuale, duke përfshirë të drejtat e autorit. Tema e konferencës, "Mbrojtje e inovacionit, bashkëpunim për përfitime të përbashkëta", tregon prirjen e zhvillimit të të drejtave të autorit.

Si platforma profesionale e Kinës për të shfaqur para botës rezultatet lidhur me të drejtat e autorit, konferenca u ofron pjesëmarrësve mundësi shkëmbimesh dhe paraqitjeje. Konferenca përbëhet nga pesë pjesë: arti dhe kultura, filmi dhe televizioni, animacioni, interneti dhe forumi për "Pallatin e Dimrit" të Rusisë. Këshilltari i ambasadës koreane në Kinë dhe drejtori i Qendrës Kulturore Koreane në Pekin Han Jae-Heuk u shpreh:

"Në këtë konferencë Koreja e Jugut merr pjesë aktivisht. 18 kompani jugkoreane janë të pranishme në konferencë dhe gjatë saj do të organizohet një forum ndërkombëtar për dhënien e të drejtave të autorit, si edhe do të ketë shkëmbime mes kompanive të animacionit të Kinës e Koresë së Jugut. Shpresojmë që bashkëpunimi midis Koresë së Jugut e Kinës do të nxitë zhvillimin e të drejtave të autorit. Njëkohësisht, veprimtari e forume të ndryshme do të ofrojnë përkrahje profesionale për shkëmbimet në fushën e të drejtave të autorit midis Kinës e botës."

Konferenca ka në qendër shfrytëzimin e burimeve të të drejtave të autorit dhe krijimin e një platforme ndërkombëtare të paraqitjes dhe të shitblerjes së të drejtave të autorit. Nëpërmjet përmirësimit të shkëmbimeve ndërmjet kompanive do të nxitet zhvillimi i çështjes së dhënies së të drejtave të autorit në Kinë. Presidenti i degës në Kinë të Shoqatës Amerikane të Filmit Feng Wei tha:

"Me zhvillimin e shpejtë të tregut kinez të filmit, ndërtimi i tregut të derivateve të filmit ka tërhequr vëmendjen e industrisë. Në krahasim me periudhën 2015-2016, kur filloi tregu i derivateve të filmit, vitet e fundit ky treg ka hyrë në periudhën e bashkërendimit. Me ngritjen e aftësisë së konsumit, ndryshimin e konceptit për markën dhe rritjen e kërkesës për produkte të personalizuara, dhënia e të drejtave të autorit është bërë pika e re e rritjes me shpejtësi të lartë në industrinë kineze të filmit."

Po të dielën u krijuan komitetet e punëve të ndryshme profesionale të Qendrës Kombëtare të Shkëmbimit të të Drejtave të Autorit të Kinës dhe u organizua ceremonia e fillimit të punës së Aleancës Ndërkombëtare të Tregtimit dhe Mbrojtjes së të Drejtave të Autorit. Gjithashtu u publikua versioni në internet i Sistemit të Mbrojtjes dhe Tregtimit të të Drejtave të Autorit. (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore