2019-10-11 16:59:28 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Fjala kyçe:风险---[fēng xiǎn]---Rrezik
Ditët e fundit janë shtuar shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare për perspektivën e ekonomisë globale. Presidentja e re e Fondit Monetar Ndërkombëtar Kristalina Georgieva paralajmëroi se, nën ndikimin e luftës tregtare, ritmet e rritjes së ekonomisë globale do të bien në nivelin më të ulët që nga viti 2010. Lidhur me rritjen e rreziqeve ndaj ekonomisë globale, ministrat e financave të Australisë, Singaporit, Indonezisë dhe Kanadasë shkruan së bashku një artikull, ku theksohet se multilateralizmi duhet të jetë zgjedhja e vetme përballë sfidave të tanishme politike e ekonomike. Kjo tregon se forcimi i konsensusit lidhur me multilateralizmin dhe mbrojtja e rregullave të tregtisë së lirë janë çështje urgjente.
Sivjet është 75-vjetori i krijimit të sistemit të Bretton Woods-it. Pas Luftës së dytë Botërore, ShBA-ja, duke shfrytëzuar fuqinë e vet kombëtare, udhëhoqi krijimin e sistemeve monetare, financiare e tregtare ndërkombëtare dhe vendet e Perëndimit, me epërsitë e tyre, përfituan nga konkurrenca dhe tregtia e lirë globale. Por, pas ardhjes së administratës së tanishme amerikane në pushtet, u shpall motoja "Amerika e para". ShBA-ja filloi luftën tregtare dhe zbatimin e proteksionizmit, duke shtuar kështu mosmarrëveshjet midis saj dhe vendeve të tjera të Perëndimit. Rendi politik e ekonomik ndërkombëtare i formuar pas Luftës së 2-të Botërore përballet me sfida serioze. Një pjesë e njerëzve janë të shqetësuar e pesimistë për zhvillimin e botës në të ardhmen.
Njëkohësisht, edhe rritja e ekonomisë globale gjendet përballë një trysnie të madhe. Organizata për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik në shtator publikoi një raport, ku e ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike globale sivjet nga 3.2% në 2.9%, shpejtësia më e ulët e rritjes që prej fillimit të krizës financiare në vitin 2008. Raporti parashikon gjithashtu se shpejtësia e rritjes ekonomike vitin e ardhshëm do të ulet nga 3.4% në 3%.
Përballë gjendjes së paqartë, bashkësia ndërkombëtare kërkon që multilateralizmi të zhvillohet në disa mënyra.
Së pari, vendet e mëdha duhet të mbajnë një përgjegjësi më të madhe për mbrojtjen e multilateralizmit dhe të rregullave të tregtisë së lirë. Është urgjente që të shpejtohet zgjidhja e mosmarrëveshjeve tregtare. Sipas analizës së Fondit Monetar Ndërkombëtar, deri në vitin 2020 ekonomia globale mund të humbë 700 miliardë dollarë amerikanë për arsye të mosmarrëveshjeve tregtare, gjë që është e barasvlershme me rreth 0.8 % të PBB-së globale. Ekonomitë e rëndësishme, si vendet e G20-s, duhet të forcojnë bashkërendimin makropolitik, të ruajnë e të përkrahin sistemin e multilateralizmit në bazë të rregullave dhe të mbrojnë hapjen e tregtisë e të investimeve. Si ekonomia e dytë më e madhe në botë, Kina i zbaton përgjegjësitë e saj. Liderët kinezë e kanë theksuar shumë herë se Kina do të vazhdojë Reformën e Hapjen dhe do të marrë masa konkrete për të ulur pragun e hyrjes së investimeve të huaja. Kina do të organizojë Ekspozitën e 2-të të Importit për të luajtur rol pozitiv për forcimin e tregtisë globale.
Së dyti, vendet e zhvilluara duhet të përshtaten me situatën e tanishme të zhvillimit të botës dhe të lejojnë vendet me tregje të reja të kenë më shumë të drejta të marrin pjesë në hartimin e rregullave të qeverisjes globale dhe të multilateralizmit. Ngritja e vendeve me tregje të reja është një fakt që s'mund të ndryshohet. Ish-presidentja e Fondit Monetar Ndërkombëtar Christine Lagarde u shpreh se FMN-ja do të vazhdojë reformën e kuotave dhe të drejtimit, për të pasqyruar më mirë kontributin e anëtarëve të vet në ekonominë globale. FMN-ja dhe Banka Botërore do të zhvillojnë së shpejti mbledhjet e tyre vjetore. Bashkësia ndërkombëtare shpreson se në këto mbledhje do të lëshohen sinjale pozitive për arritjen e konsensusit dhe përmirësimin e qeverisjes shumëpalëshe.
Përveç kësaj, vendet dhe ekonomitë përkatëse duhet të forcojnë besimin e tyre te bashkëpunimi, të heqin dyshimet dhe të kundërshtojnë unilateralizmin me veprimet konkrete të nxitjes së integrimit ekonomik. P. sh. Kina dhe vendet përkatëse po shpejtojnë bisedimet mbi Partneritetin e Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP). Kina dhe BE-ja po nxitin bisedimet mbi marrëveshjen e investimeve, kurse bisedimet mbi zonën e tregtisë së lirë Kinë - Japoni - Kore e Jugut po arrijnë përparime. Masat përkatëse ka mundësi të sjellin stabilitet në kushtet e situatës së papërcaktuar ndërkombëtare. (Çang Çuo)