Miguel Indurain, gjiganti i çiklizmit

2017-07-03 15:29:19 CRI Komenti juaj Printoni

Në vitin 1985 mori pjesë për herë të parë në Turin e Spanjës (Vuelta a Espana). Në etapën e parë ai zuri vendin e dytë, duke triumfuar në etapën e dytë dhe duke u bërë çiklisti më i ri që fitonte një etapë të Turit të Spanjës . Po atë vit Miguel Indurain do të konkurronte për herë të parë në Turin e Francës, siç do të bënte edhe për 11 vjet të tjerë me radhë. Por ndryshe nga çiklistët e tjerë që e kanë fituar pesë herë Turin e Francës, Indurain nuk do ta fitonte këtë veprimtari në pjesëmarrjen e vet të parë në të. Madje ai as që e përfundoi atë, por e ndërpreu Turin në etapën e katërt. E njëjta gjë do të ndodhte një vit më pas, kur ai e braktisi Turin e Francës në etapën e 12-të. Edhe pjesëmarrja e tij në tre turet e ardhshme të Francës (nga 1987 deri në 1989) nuk do të ishte mbresëlënëse, megjithëse rezultatet e tij sa vinin e përmirësoheshin dhe në Turin e Francës 1989 ai madje arriti të fitonte në një etapë, që do të ishte preludi i asaj që do të ndodhte pas dy vjetësh e që do të zgjaste për pesë vjet.

Në Turin e Francës të vitit 1991, Miguel Indurain do të shpallej kampion. Një vit më pas ai do të fitonte jo vetëm Turin e Francës, por edhe një tur tjetër të famshëm, atë të Italisë, të njohur edhe si Giro d'Italia. Kjo do të ishte fitorja e parë nga Miguel Indurain e së ashtuquajturës "Dyshja Tour-Giro", sukses të cilin ai do ta përsëriste edhe një vit më pas, 1993.

Mig-u i Madh do ta fitonte Turin e Francës edhe në dy vjetët e tjerë, 1994 dhe 1995, duke u bërë pra i pari dhe i vetmi deri tani që e ka fituar pesë herë me radhë këtë tur.

Në vitin 1996 spanjolli do të mundohej ta përsëriste suksesin e tij, por një e ftohur që mori që në javën e parë ia bëri të pamundur një gjë të tillë. Megjithatë, atë vit ai arriti të fitojë një medalje të artë në Olimpiadën e Atlantës, në garën individuale me kronometër.

Ishte pikërisht gara me kronometër ajo ku Mig-u i Madh ishte i paarritshëm. Dhe në një garë të tillë është shënuar ai që vlerësohet si momenti më i spikatur në historinë e çiklizmit botëror. Në një garë individuale me kronometër të zhvilluar në vitin 1992 në Luksemburg, Hindurain mbërriti tre minuta më parë se çiklistët e tjerë.

Me gjithë arritjet e tij të spikatura si individ, Indurain thotë se çiklizmi është edhe një sport kolektiv. "Çiklizmi është një ndërthurje", ka thënë ai. "Është një sport individual, sepse je ti që duhet të pedalosh, por gjithashtu duhet të kesh një ekip të strukturuar mirë prapa teje me ide të qarta, një ekip që të mbështet çdo ditë. Pa një ekip të fortë nuk mund të fitoni një veprimtari të madhe si Turi i Francës".

Në 1 janar 1997 Miguel Indurain shpalli tërheqjen e tij nga sporti, duke lënë pas një karrierë të shkëlqyer. Sipas shkencëtarëve, forca e Mig-ut të Madh vinte nga fiziologjia e tij e jashtëzakonshme. Gjaku i tij dërgonte në trup 7 litra oksigjen në minutë, krahasuar me 3-4 litra me njerëzit e zakonshëm dhe 5-6 litra për çiklistët e tjerë. Kapaciteti i mushkërive të tij ishte 7.8 litra, krahasuar me mesataren 6 litra. Edhe treguesit e tjerë të Indurain-it ishin më të lartë jo vetëm se të njerëzve të zakonshëm, por edhe të çiklistëve të tjerë.

Shtypi nuk i ka kursyer vlerësimet për Miguel Indurain. Ja se ç'është thënë ndër të tjera për Indurain-in: "Spanjolli nuk ishte nga ata që binte shumë në sy dhe bënte bujë, por kur je i kompletuar nuk ke nevojë t'i bësh reklamë vetes. Askush nuk mund t'i bënte ballë njeriut që shumë e quanin 'jashtëtokësori". Do të duhet të kalojë shumë kohë për të parë një tjetër si ai". (Artan Goga)


1 2
Mrekulli
Lajmet Kryesore