Piktura tradicionale kineze nxjerr fermerët nga varfëria

2019-02-26 15:48:07 CRI Komenti juaj Printoni

​Kur sheh Huang Guigui-n duke mbajtur në dorën e djathtë dy furça - një me bojë dhe tjetrën me ujë - ndërsa pikturon një lulegjake në stilin realist kinez të njohur si gongbi, dallon se duart e saj nuk ngjajnë me ato të një piktoreje.​

Dhe kjo sepse tre vjet më parë Huang Guigui ishte fermere. Por ajo e la punën në arë dhe e dha me qira tokën për t'u bërë piktore profesioniste. Ajo tani punon në Akademinë e Arteve "Luxi" të kontesë Juye në provincën kineze Shandong.​

"Fitimet nga toka nuk i kalonin 10 000 juanët (ose më pak se 1500 dollarë) në vit, vetëm një e dhjeta e asaj që mund të fitoj nga piktura. Më e rëndësishmja është se piktura është një punë që unë e dua," thotë ajo.​

(Foto 1)

Huang Guigui, një grua në të tridhjetat, nisi të punonte me kohë të pjesshme për Akademinë e Arteve "Luxi" në vitin 2011, përpara se të vendoste për ta bërë këtë një karrierë me kohë të plotë.​

Në Juye, që njihet për pikturat tradicionale të lulegjakeve, apo bozhureve siç njihen ndryshe, ka shumë fermerë që janë edhe piktorë.​

Sipas statistikave, më shumë se 15 000 fermerë praktikojnë stilin e pikturës gongbi në më shumë se 50 fshatra të kontesë. Tregu për veprat e tyre po rritet me shpejtësi dhe vlera vjetore e pikturave të shitura prej tyre arrin në 500 milionë juanë, ose rreth 74 milionë dollarë.​

​Ai që mund të quhet tani biznes filloi në vitet '70 të shekullit të kaluar, kur shumë artistë shkuan në qytetin Heze, nga i cili varet konteja Juye, për t'u marrë me prodhimin e pikturave të lulegjakeve, të cilat në Kinë shihen si simbol i elegancës dhe fisnikërisë. Heze ka një histori 1 400-vjeçare të rritjes së lulegjakeve.​

Fshatarët e Juye-së panë se si mund të nxirreshin të ardhura nga pikturat. Në vitin 1974 u krijua një punishte për të prodhuar produkte për eksport, të tilla si vezët e Pashkëve me figura kafshësh ose panorama të pikturuara me dorë.

Deri në kohën kur u mbyll në vitin 1978, punishtja kishte përgatitur qindra piktorë. Mbyllja e punishtes bëri që shumë prej tyre t'i ktheheshin punës në bujqësi, por disa nga ata krijuan një kooperativë private që merrej me bërjen e pikturave për t'i shitur në qytete të tilla si Xian-i dhe Pekini, ku ka një numër të madh turistësh.

Biznesi i suksesshëm i kooperativës i nxiti pak nga pak shumë fermerë për t'u bërë piktorë me kohë të pjesshme, dhe konteja Juye tani ka rreth 50 akademi arti, secila zakonisht me qendër në një fshat të vetëm.

Akademia e Arteve "Luxi", në fshatin Liuguantun të kontesë Juye, ka më shumë se 600 fermerë artistë, që pikturojnë kur nuk është stina e punëve në bujqësi, shprehet Xu Fengqiu, themeluesi i kësaj akademie, duke shtuar se ata kryesisht bëjnë piktura lulegjakesh.

Për të përmirësuar aftësitë e tyre, akademia fton piktorë profesionistë për të trajnuar fermerët. Por Huang Guigui ishte e etur për të mësuar më shumë, prandaj pagoi për të bërë kurse shtesë pikture në qytetet e mëdha.

Akademitë e artit në fshatrat e Juye-së kanë fituar mbështetjen e autoriteteve të kontesë, që i shohin ato si "një mënyrë e mirë për t'i nxjerrë fermerët nga varfëria", thotë He Xizhen, drejtor i zyrës së zbutjes së varfërisë të kontesë. ​Autoritetet organizojnë kurse pikture falas për fermerët, si edhe veprimtari promovuese për t'i ndihmuar akademitë ta zgjerojnë tregun e tyre dhe të krijojnë marka të vetat, shton më tej He.​

1 2
Mrekulli
Lajmet Kryesore