Rikthimi i një rruge – Silk Road, njëmijë vjet më pas

2019-08-19 14:18:59 CRI Komenti juaj Printoni

Tashmë moderniteti ka prekur edhe shkretëtirën. Qytetet e vjetra po zgjerohen me pjesën moderne dhe qytete të reja po ngrihen. Një boom ndërtimesh qiellgërvishësish po mbushin qytetet. Bizneset kineze nxiten dhe mbështeten nga qeveria për ta zbritur kapitalin e tyre nga rajonet e zhvilluara lindore në këtë zonë. Fabrika ku puna tashmë është e automatizuar dhe ku robotika po kthehet në një element kyç janë fuqia e re e Kinës edhe në Shingjen.

Në vazhdim të udhëtimit ndalojmë në fabrikën e prodhimit të automjeteve, filial i brand-it kinez GAG, hapur në këtë rajon në vitin 2017, ku me krenari na tregojnë modelin e fundit, Trumpchi GS8, në pritje për t'u hedhur në treg. Që prej startimit të nismës së Brezit të Mëndafshit në vitin 2013, e cila përfshin jo vetëm Kinën, por edhe të gjitha vendet që shtrihen përgjatë Rrugës së Mëndafshit, Shingjen ka rritjen më të lartë ekonomike në Kinë, na thonë gjatë një bashkëbisedimi në Akademinë e Shkencave Sociale. Me ndryshimin se sot nuk është më mëndafshi dhe letra, shpikja më gjeniale kineze, që tregtohet me shumicë në Rrugën e rigjallëruar të Mëndafshit, por nafta, elektronika dhe padyshim është duke u kthyer në një itinerar turistik. Shingjen ka rezervat më të mëdha të naftës e gazit natyror dhe 82% të burimeve minerare në Kinë. Nga ky rajon shkojnë drejt Pekinit dhe rajoneve të tjera të zhvilluara në lindje, nafta e gazi natyror, minerale, guri jade, pambuku, gruri dhe frutat.

Marrim sërish avionin e China Southern Airline dhe drejtohemi në Aksu, një tjetër pikë kyçe e Rrugës së Mëndafshit. Aksu është një zonë në zhvillim, ku ndërtohet me ritme të larta. Edhe këtu si kudo gjatë udhëtimit mikpritemi me të gjithë mirësjelljen e traditës kineze. Në mëngjes, nga dritarja e hotelit shihet një re pluhuri qëndron si vel i hirtë mbi qytet, duke na kujtuar se jemi të rrethuar nga shkretëtira.

Udhëtojmë drejt saj, aty ku në më pak se 5 vjet është ndërtuar Parku Ligatinor Kombëtar. Një oaz i vërtetë gjelbërimi dhe relaksi në mes të asgjësë. Duke përdorur teknologjinë më të avancuar izraelite, uji zbret nga mali Tian Shan në çdo rrënjë peme e lulesh. Bimësi e shumëllojshme, lule shumëngjyrëshe, liqene të vegjël të lidhur përmes rrugicash që dredhojnë në një sipërfaqe 120 hektarë, parku është vendi i disa shpendëve të veçantë, gjë për të cilën është marrë në mbrojtje nga UNESCO. Parku është kthyer në një atraksion unik turistik. Së bashku me Grape Corridor, në Hotan, një qytet historik që është dhe ndalesa e fundit. Një labirint korridoresh pjergulle, të shtrirë në 1000 kilometra, krijon një strehë perfekte kundër diellit përvëlues. Aty gjenden edhe dy pasuri të tjera botërore, Walnut Tree (Druri i Arrës) njëmijë vjeçar dhe Fig Tree (Pema e fikut) 400 vjeçar. Një atraksion turistik jashtë të zakonshmes. Hotan është edhe vendi i frutave, ku shijojmë disa kultivarë vërtetë të shijshëm.

Hotan, na thonë shoqëruesit, është një nga zonat e pazhvilluara dhe ku qeveria qendrore po ndërmerr disa iniciativa për të zhvendosur disa fabrika aty, kryesisht në manifakturë, dy prej të cilave i vizitojmë. E në fakt nuk është e vështirë të kuptohet se kemi të bëjmë me një zonë të prapambetur. Qyteti i vjetër ende ruan stilin e vjetër të ndërtimeve, tipike të Azisë Qendrore, ku dominojnë ndërtesat e ulëta me ngjyrë të kuqe. Por aty ku civilizimi të duket larg, gjen edhe thelbin e identitetit.

Në dy punishte të vogla në Buda Village, një nga fshatrat në Hotan, në zemër të rrugës së Mëndafshit, duket sikur koha ka ndalur si një mijë vjet më parë. Në të parën prodhohet mëndafshi dhe në të dytën, letra. I gjithë procesi kryhet me dorë, njësoj si në fillesat e tyre. Në një nga avlëmendët, një 76-vjeçar vazhdon të endë mëndafshin, i patrazuar nga prania e të huajve. Prej 60 vitesh, çdo mëngjes nis të thurë, edhe pse jo me ritmin e dikurshëm. Të rinjtë nuk pranojnë ta bëjnë më këtë punë, na thotë shoqëruesi. Në fakt, si në çdo vend ku konsumizmi mbyt traditën. Në mënyrë po artizanale prodhohet edhe letra, e cila edhe sot është letra e preferuar për të kryer restaurimet në Qytetin e Ndaluar në Pekin, apo e kërkuar si telajo për shkak të rezistencës dhe jetëgjatësisë së ngjyrave origjinale njëherë pikturuar mbi të.

Pas 8 ditëve të lodhshme, por me kureshtinë që kisha "kyçur" në valixhe të përmbushur, edhe pse vështirë ta shterosh në një javë, mblidhemi sërish në pikën e nisjes në Urumqi, Hotel Petrolium, si për të na kujtuar se simboli i zhvillimit dhe rëndësisë së rajonit mbeten burimet natyrore të tij. (ATSh)


1 2
Mrekulli
Lajmet Kryesore