Rikthimi i një rruge – Silk Road, njëmijë vjet më pas

2019-08-19 14:18:59 CRI Komenti juaj Printoni

Nga Alketa Myftiu

Teksa shkoj drejt hyrjes së avionit të China Southern Airline të linjës Vjenë-Urumqi, nuk di asgjë për Shingjen, rajonin autonom ujgur në Kinën veriperëndimore. Është si të nisesh drejt të panjohurës, duke "kyçur" në valixhe, bashkë me sendet personale, edhe një ndjesi të thellë kureshtie, që në fakt do të bëhet edhe më e vyer se shpikja më gllabëruese e erës së teknologjisë së informacionit, celulari.

Në një klimë të thatë, në temperaturë 34 gradë dhe nën një diell të fortë zhvendosemi drejt hotelit, pasi kam skanuar më parë fytyrën e shenjat e gishtave në aeroport dhe kam plotësuar formularin me të dhënat personale dhe qëllimin e vizitës. Për t'iu bashkuar atje, ekipit të mediave ndërkombëtare nga 24 vende, të ftuara nga mikpritësit tanë në një udhëtim fantastik në gjurmët e vjetra dhe të reja të Rrugës së Mëndafshit.

Njëmijë vjet më parë, karvanët përshkonin papushim Shingjen, një vend shkretëtirash, malesh dhe diversiteti etnik, që shtrihet në një hapësirë prej 1.66 milionë km 2 në zemër të Rrugës së Mëndafshit.

Përmes dy korridoreve kryesore, atij verior dhe jugor dhe dhjetëra degëzimeve, tregtia zhvillohej vrullshëm nga lindja në perëndim, nga Azia Lindore në Azinë Qendrore e Juglindore, në Gadishullin Arabik, Indi dhe Afrikën Lindore. Mëndafshi i shumëkërkuar në perëndim, pambuku dhe cohërat e prodhuara prej tyre, veçanërisht tapete e perde, letra, guri i çmuar jade, qelqi e vonë porcelani, bronz, hekur e metalet e çmuara, ari e argjendi, erëzat ishin ngarkesat e deveve, rreshtuar në karvanë që kalonin pareshtur shkretëtirën e Taklamanit (e dyta më e madhe në botë), duke shkelur qytete dhe kultura nga lindja në perëndim dhe anasjelltas. Rruga dhe tregtia solli edhe lulëzimin e qyteteve në shkretëtirë si oaze jete.

Korridori verior, dega jugore e tij, Aksu-Hotan, është itinerari i udhëtimit, i cili nis nga Urumçi, kryeqendra e rajonit me topografi mbresëlënëse, me rreth 25 milionë banorë dhe i 13 etnive kryesore, ujgur, han, kazak, hui, kirkiz, mongol, taxhik, uzbek etj.. E në fakt, sa vë këmbë në Urumçi nuk e ke të vështirë të shquash një popullsi heterogjene, me tipare të ndryshme nga popullsia e rajoneve lindore të Kinës. Në rajon, shumicë janë ujgurët, popullsi myslimane. Multikulturalizmi është thelbi i këtij rajoni. Një larmi veshjesh tradicionale, inskenime të jetesës së etnive të ndryshme në makete dhe shfaqje 3D vijnë si dëshmi e bashkekzistencës në rrjedha të kohës deri më sot, në çdo ndalesë në Shingjen, Shangji, Aksu, Hotan etj.. Show pothuaj të përnatshëm, ku skena kthehet në një pasarelë kostumesh tradicionale shumëngjyrëshe dhe etnofolku, shoqëruar me gatime tradicionale dhe prodhime lokale, ku më te spikaturat janë frutat, arrorët dhe frutat e thata, është njëra anë e kuruar me kujdes e udhëtimit.

Një shfaqe etnike, butaforike, e tipit musical në Grand Theatre në Shangji kthehet në një shfaqe gjigande 3D, ku efektet surprizë si uji që rrjedh si shatërvan në skenë, kërcimtarë që zbresin si nga qielli, kuaj dhe deve jo vetëm në skenë, por edhe në plate midis shikuesve, një larushi kostumesh tradicionale janë elementë thelbësore të shfaqjes, edhe më të rëndësishëm se vetë kërcimi.

Gjithçka flet për rëndësinë që i është kushtuar shfaqjes së multuetnicitetit dhe bashkëjetesës, e tronditur rendë në dy dekadat e fundit nga një valë sulmesh ekstremiste, që kanë marrë qindra jetë. Deri kur ky rajon dhe Rruga e Mëndafshit u rikthye në fokusin e Pekinit, që prej rifitimit të tij në 1949-n. Një sërë masash të sigurisë, kombinuar me iniciativa ekonomike u ndërmorën dhe nga viti 2016, në rajon nuk është shënuar asnjë akt terrori. Dhe si për ta kuptuar më mirë ndryshimin, udhëtimi nis nga muzeu kushtuar jetëve të humbura nga këto akte në Urumqi. Muret janë veshur me foto trupash të copëtuar, ku nuk mungojnë as fëmijët, në ekrane shfaqen momenteve të sulmeve dhe pasojat tragjike të tyre, koka të prera, gjymtyrë të mbetura në mes të rrugës. Ndërsa në stenda ekspozohen armë e bomba artizanale, thika e deri shpata, të kapura nga policia pas sulmeve.

Askund tjetër nuk mund ta vëresh më qartë përbërjen e një shoqërie sesa në pazar. Në Grand Bazar në Shangji, më i madhi në Azinë Qendrore, përzierja e aromave të erëzave, frutat e thata, një pjesë syresh e panjohur, shafran dhe samsa (bakllava), bizhu me gurin jade, tregtarë që mbajnë veshur kapelat tipike etnike, kapelën ujgure katërkëndore, të quajtur doppa, kalpak-un kirkiz, apo takiya-n kazake, gratë me fustane karakteristike të etnisë së tyre, të gjitha të zbukuruara me qëndisma me fije ari apo argjendi, që të ftojnë pranë banakëve të tyre në një kakofoni zërash e thirrjesh, të fusin në atmosferën mistike të lindjes. Ku në një hapësirë prej pak metrash dëgjohet ujgurisht (në familjen e turqishtes, por me sistem shkrimi alfabetin arab) dhe mandarin. [Në zonat rurale shpeshherë është e nevojshme prania e një përkthyesi nga ujgurishtja në mandarin e më pas në anglisht].

Shfaqja e bashkëekzistencës do të ishte e paplotë pa anën tjetër, shprehjen e besimit. Ndaj edhe turi vazhdon në Institutin Islamik, ku përgatiten imamët e rinj, krahas mësimeve teologjike, edhe në përputhje me Kushtetutën e ligjet e RPK, si dhe në dy xhamitë në Aksu dhe Hotan, ndërtuar në vitin 2017, të tria me financim të qeverisë qendrore në Pekin. Në oborret e xhamive valëvitet flamuri i RPK. Duke qenë se nuk është orar faljeje, besimtarët myslimanë mungojnë, por imamët e xhamive na thonë se aktiviteti fetar ushtrohet rregullisht, sipas rregullave islame. Zhvillimi teknologjik ka prekur edhe xhamitë, ku nuk na duhet të heqim këpucët, por me anë të një makinerie të vogël, të vendosur në hyrje, i mbështjellim me plasmas.


1 2
Mrekulli
Lajmet Kryesore