< img height="1" width="1" style="display:none"src="https://www.facebook.com/tr?id=514174860241230&ev=PageView&noscript=1"/>
100 milionë euro mbështetje e Buxhetit të Shtetit për pensionistët
2024-11-26 10:50:44


Pensionet (Foto Balkanweb)

Më 18 nëntor 2024, kryeministri Edi Rama foli në Parlament për planin e qeverisë për trefishimin e shpërblimit të fundvitit për pensionistët që marrin pensione të ulta deri në 20.000 lekë në muaj, si dhe dyfishimin e shpërblimit për pensionistët me pension mujor mbi 20.000 lekë.

Pas rritjes së ndjeshme të pagave në sektorin publik në dy vitet 2023-2024, duke e çuar pagën mesatare në shtet në 900 euro dhe pagën mesatare në vend në mbi 764 euro, shtresa e gjerë e mbi 720 mijë pensionistëve, që përfaqësojnë gati një të tretën e popullsisë së vendit, qëndronte me një pension mesatar ndër më të ultit në Ballkanin Perëndimor. Hendeku mes pagës mesatare në vend dhe pensionit mesatar u thellua edhe më shumë.

Vendi kishte nevojë urgjente për rritje të pensionit mesatar. Sipas INSTAT, skema publike e pensioneve ka raportuar një defiçit kronik prej 450-500 milionë euro në gati të gjithë dhjetë vitet e fundit, me përmirësim vetëm në vitet 2023-2024, kur kontributi për sigurimet shoqërore, për shkak të pagave të rritura ndjeshëm si në shtet ashtu dhe në privat, është shtuar. 

Reforma e plotë e pensioneve nënkupton pensione në tri shtylla: pensioni shtetëror, pensioni privat i detyrueshëm dhe pensioni privat vullnetar. Këto tri shtylla i kanë të gjitha vendet e zhvilluara të familjes së madhe të Bashkimit Evropian, por edhe disa vende të rajonit.

Në nivel të raportit mes defiçitit të pensioneve dhe të ardhurave buxhetore, jemi shteti me raportin më të lartë në rajon. Pra, me defiçitin më problematik të skemës së pensioneve shtetërore.

Çfarë e rëndon më shumë këtë raport, është përqindja ende e madhe e punës se padeklaruar dhe e pagave të nëndeklaruara në sektorin privat. Zgjidhja për uljen e punëve në të zezë dhe të evazionit përmes pagave të trukuara, është fuqizimi i kontrolleve të detajuara të inspektorëve të institucioneve ligjzbatuese tek ne dhe kjo po ndodh sot.

Po ashtu, emigracioni ekonomik ka përkeqësuar edhe ai defiçitin e Skemës Shtetërore të Pensioneve. Sipas INSTAT, nga 10 qytetarë që i largohen sot Shqipërisë, 9 janë persona në moshë për punë, apo studentë dhe fëmijë dhe vetëm një është pensionist, që largohet për bashkim familjar me fëmijët e tij në emigracion. Kështu që edhe raporti kontribues-përfitues te skema jonë e pensioneve publike sa vjen dhe ulet. Sipas INSTAT, ky raport është sot 1.18 me 1, më i ulti në rajon.

Ndërkohë, në javët e fundit, përqëndrimi i theksuar i politikës qeveritare mbi nivelin e pensioneve, me daljet e shpeshta të drejtuesit të qeverisë dhe disa ministrave të dikastereve ekonomike në Tiranë dhe rrethe të vendit, në biseda sqaruese me pensionistët, parathonin një ndryshim cilësor në betejën për pensione dinjitoze.

Këto takime e dhanë produktin e parë. 100 milionë euro mbështetje në dhjetor 2024 nga Buxheti i Shtetit, që përfaqësojnë shtimin më të madh vjetor të pensioneve në 34 vitet e tranzicionit në Shqipëri.

Me shpërblimin e fundvitit 2024 të trefishuar në 15 mijë lekë për pensionet deri në 20 mijë lekë në muaj dhe shpërblimin e dyfishuar në 10 mijë lekë për pensionet mbi 20 mijë lekë në muaj, pensioni mesatar këtë vit rritet me 6.3 përqind për të 720 mijë pensionistët.

Gjithashtu për herë të parë, shtimi vjetor i pensioneve e kalon rritjen ekonomike të vitit. Ndërkohë, pensionet sociale dhe minimale për 240 mijë pensionistë rriten në dhjetor 2024 me 13 përqind për këtë vit. Rritja e dhjetorit 2024 do të jetë e para në histori, që favorizon pensionet e ulta.

Kryeministri Rama në Kuvendin e Shqipërisë (Foto Shqiptarja.com)

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në Parlament, theksoi se  “Dua edhe njëherë, për ata që nuk e dëgjuan dot për shkak të interferencave, t’u përcjell të gjithë pensionistëve të Shqipërisë lajmin e mirë se në ditët në vijim, qeveria do të çlirojë një fond prej 100 milionë eurosh për bonusin e tyre të fundvitit.

Ky bonus i ri do të ndahet në dy shkallë; të gjithë pensionistët që kanë një pension deri në 20 mijë lekë, pra deri në 200 euro, do të marrin trefishin e bonusit të deridjeshëm përmes një bonusi të ri, 15 mijë lekë, 150 euro. Ndërsa pensionistët që kanë një pension më të madh se 20 mijë lekë do të marrin dyfishin e bonuseve të viteve të mëparshme përmes një bonusi në masën 10 mijë lekë ose 100 euro.

Ky dallim mes të parëve dhe të dytëve nuk bëhet për t’u dhënë më pak atyre që kanë pension më të lartë, por për t’u dhënë më shumë atyre që kanë një pension më të ulët. Bonusi i trefishtë do të përfitohet këtë fundviti nga më shumë se gjysmë milioni pensionistë, saktësisht 511 mijë ku përveç 400500 gjyshërve e gjysheve, përfshihen dhe 65800 invalidë pune dhe 44 600 përfitues pensionesh si nëna kryefamiljare apo fëmijë jetim. Ndërsa rreth 210 mijë pensionistë të tjerë do të përfitojnë nga bonusi i dyfishtë.

Më konkretisht akoma, për të gjithë ata që marrin një pension social, ky bonus është i barabartë me një rritje vjetore të pensionit prej afro 13%. Për ata që marrin një pension 15 mijë lekë në muaj, bonusi është i barabartë me një rritje prej afro 9% të pensionit çdo muaj, ndërsa për nënat kryefamiljare dhe jetimët, ky bonus sjell një rritje me 35% të pensionit mujor.

Ky nuk është thjesht një hap i rëndësishëm në aspektin buxhetor, i cili do të thotë se ne po marrin përsipër një trefishim dhe dyfishim të bonusit të fundvitit, që do të duhet të mbetet minimalisht po kaq edhe në vitet e ardhshme. Ky është dhe një hap kuptimplotë në drejtimin e qëllimit tonë të shpallur për ta mbyllur rrethin e qytetarëve përfitues nga rritja domethënëse dhe e qëndrueshme ekonomike e Shqipërisë, duke filluar më në fund t’i përfshijmë edhe pensionistët në rishpërndarjen e fryteve të rritjes ekonomike”.

Pensionistë (Foto Panorama)

Për qeverinë e Shqipërisë, ky nuk është i vetmi hap që po hidhet menjëherë tani, për të plotësuar tiparin gjithëpërfshirës të rritjes ekonomike. Paralelisht me shpërndarjen e bonusit të tre dhe dyfishuar të fundvitit, në ditët e para dhjetorit 2024, qeveria do të krijojë pranë Bankës së Shqipërisë fondin e një bonusi të dytë.

Ky bonus i dytë do të jetë bonusi i pranverës për çdo vit këtej e tutje. Ai do të ndikojë më tej në rritjen e të ardhurave vjetore të pensionistëve. Do të jepet në hyrje të çdo pranvere, duke ndarë për të gjithë pensionistët një shumë të përftuar nga rritja e ekonomisë dhe, për rrjedhojë, edhe të ardhurave të shtetit në vitin paraardhës.

Vetëm me këto dy bonuse vjetore, plus indeksimin automatik vjetor të pensioneve, në raport me rritjen e çmimeve, pensionistët Shqipërisë do të mund ta prekin menjëherë kuptimin e shifrave të rritjes shembullore ekonomike të vendit, në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade.

Kryeministri Edi Rama takim me pensionistët (Foto Shqiptarja.com)

Ndërkohë, qeveria do të ketë gati vitin e ardhshëm 2025, edhe planin e ri të pensioneve në funksion të rritjes ekonomike, i cili do të sjellë të ardhura të tjera shtesë për pensionistët, duke garantuar njëkohësisht qëndrueshmërinë afatgjatë të politikës së pensioneve, pa rrezikuar stabilitetin financiar të vendit.

Shtimi i ndjeshëm i pensioneve do të bëhet, pa kërcënuar zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të vendit, nga ku dalin dhe të ardhurat për rritjen e qëndrueshme të pagave dhe pensioneve, si dhe pa i ulur, por përkundrazi, duke i shtuar njëkohësisht, edhe investimet kapitale për Shqipërinë e nesërme.

Fatos Çoçoli

Lajmet Kryesore

Our Privacy Statement & Cookie Policy

By continuing to browse our site you agree to our use of cookies, revised Privacy Policy. You can change your cookie settings through your browser.
I agree