Kinë, plan për të ulur humbjet ushqimore
2024-11-26 15:55:53

Foto nga VCG

Kina ka njoftuar të hënën një plan veprimi për të pakësuar humbjen dhe shpërdorimin e ushqimit, duke synuar të krijojë një mekanizëm afatgjatë më të shëndetshëm deri në fund të vitit 2027.

Sipas planit, i cili u publikua bashkërisht nga zyrat e përgjithshme të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe Këshilli i Shtetit i Kinës, sistemet dhe standardet që lidhen me humbjen dhe shpërdorimin e ushqimit do të përmirësohen.

Plani synon uljen e shkallës së humbjes së drithërave dhe ushqimit gjatë prodhimit, ruajtjes, transportit dhe përpunimit të tyre nën nivelet mesatare ndërkombëtare deri në fund të vitit 2027, dhe uljen e ndjeshme të mbetjeve ushqimore për frymë për vakt në industrinë e ofrimit të ushqimit dhe mensat qeveritare, të shkollave e ndërmarrjeve, si dhe frenimin e shpërdorimit ushqimor.

Ndër detyrat kryesore për të pakësuar humbjen dhe shpërdorimin e ushqimit përfshihen rritja e ndërgjegjësimit kombëtar për kursimin e ushqimit, veprimet kundër shpërdorimit në industrinë e ofrimit të ushqimit, si edhe në mensat qeveritare, dhe forcimin e mbledhjes së statistikave të humbjes dhe shpërdorimit të ushqimit.

Plani i ri i veprimit synon arritjen e objektivit të Kombeve të Bashkuara për përgjysmimin e mbetjeve globale të ushqimit deri në vitin 2030.

Sipas Raportit të Treguesit të Mbetjeve Ushqimore të Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin 2024, bota humbi 1.05 miliard tonë ushqime në vitin 2022, që përbën 19 për qind të ushqimit të disponueshëm për konsumatorët, duke përfshirë shpërdorimin në shitjen me pakicë, në shërbimet ushqimore dhe në shtëpitë e banorëve. Ndërsa Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë vlerëson se 13 për qind të tjera humbasin në zinxhirin e furnizimit, nga faza pas mbledhjes së prodhimit deri në pikat e shitjes me pakicë. (Çang Çuo)