Foto nga VCG
Rruga ajrore që lidh komunën Tianjin në Kinën veriore dhe Sapporo të Japonisë do të rifillojë nga 20 dhjetori, thanë të hënën burimet lokale, njofton “Xinhua”.
Itinerari do të operohet nga “Tianjin Airlines”, duke përdorur një avion “Airbus A320”, me një fluturim vajtje-ardhje të planifikuar çdo të mërkurë, të premte dhe të diel.
“Tianjin Airlines” drejton katër linja të tjera për në Japoni, duke lidhur Tianjin me Tokion, Osaka dhe Nagoya, dhe Guiyang, kryeqendra e provincës Guizhou të Kinës jugperëndimore, me Osakën.
“Tianjin Airlines” ka ofruar shërbime transporti të larmishme dhe të përshtatshme për pasagjerët që udhëtojnë për biznes, turizëm dhe shkëmbime që nga prilli 2023, kur rifilluan fluturimet drejt dhe nga Japonia.
Autoritetet thanë se rruga midis Tianjin dhe Sapporo jo vetëm që u ofron pasagjerëve më shumë opsione, por gjithashtu përmirëson rrjetin e fluturimeve midis Japonisë dhe rajonit Pekin-Tianjin-Hebei në Kinën veriore.
Kina do të lejojë hyrjen pa viza për qytetarët e Japonisë si pjesë e përpjekjeve të saj të vazhdueshme për të nxitur turizmin ndërkombëtar dhe udhëtimet e biznesit.
Nga data 30 nëntor 2024 deri më 31 dhjetor 2025 do të zbatohet përjashtimi i vizave provuese për mbajtësit e pasaportave të zakonshme nga vendi.
Pas këtij njoftimi të premten, interesi për fluturime direkte nga qytete të ndryshme të Japonisë drejt Kinës pati një rritje të dukshme.