Foto nga VCG
Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, është tepër i shqetësuar nga përdorimi në rritje i llojeve të ndryshme të armatimeve në konfliktin gati trevjeçar Rusi-Ukrainë, deklaroi këshilltari i Trump, Mike Waltz, citon “RTSH”.
Ai tha në një intervistë televizive se vendimi i presidentit në largim Joe Biden, për të lejuar Ukrainën që të përdorë mina tokësore në përpjekje për të ndaluar përparimin e trupave tokësore ruse, e ka kthyer situatën në pjesën lindore të Ukrainës në diçka që ngjason me betejën e llogoreve gjatë Luftës së Parë Botërore.
Waltz tha se vendimi duhet të jetë brenda një kornize më të gjerë për t’i dhënë fund konfliktit.
Waltz tha se Trump, i cili merr detyrën më 20 janar, është i shqetësuar nga bilanci i rëndë i viktimave që ka shkaktuar konflikti. Sipas tij, konflikti duhet çuar drejt një fundi të përgjegjshëm.
Trump është shprehur vazhdimisht se do t’i jepte fund konfliktit Rusi-Ukrainë, madje, përpara se të betohej si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara.
Trump nuk ka deklaruar se si do ta bënte një gjë të tillë.
Waltz tha dhe se kishte besim se Trump do të rivendoste pa vonesë paqen në konfliktet në Lindje të Mesme.