Të martën pasdite, presidenti kinez Xi Jinping u takua në Pekin me kryeministren e Samoas Fiame Naomi Mata'afa, e cila ndodhet në Kinë për një vizitë zyrtare.
Xi Jinping-u vuri në dukje se Mata'afa është një politikane e shquar dhe mike e vjetër e popullit kinez, që e ka vizituar Kinën pesë herë. Ai shtoi se miqësia midis Kinës dhe Samoas ka një histori të gjatë. "Më shumë se një shekull më parë, shumë kinezë shkuan për të punuar e jetuar në Samoa dhe dhanë kontribut pozitiv në zhvillimin vendor. Samoa është ndër të parat vende ishullore të Paqësorit që shpallën pavarësinë dhe në vitin 1975 ishte po ashtu ndër vendet e para ishullore të Paqësorit që vendosi marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Kinës. Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike afro 50 vjet më parë, Kina dhe Samoa e kanë respektuar gjithmonë njëra-tjetrën, e kanë trajtuar njëra-tjetrën si të barabartë dhe kanë bashkëpunuar për përfitime të përbashkëta, duke luajtur një rol modeli për vendet e Jugut Global për t'u bashkuar, bashkëpunuar e zhvilluar së bashku," theksoi kreu i shtetit kinez.
Ndërsa Fiame Naomi Mata'afa shprehu së pari falënderime për presidentin Xi. "Sapo zbritëm nga avioni dje, shkuam për të vizituar sallën e ekspozitës së historisë së Partisë Komuniste të Kinës. Pamë ndryshimet e mëdha në Kinë dhe përkushtimin e popullit kinez. Faleminderit që keni organizuar këtë takim, që është shumë i rëndësishëm për mua, veçanërisht duke pasur parasysh që kjo është vizita ime e parë si kryeministre," theksoi ajo.