Një dragua funerali prej nefriti nga dinastia Han (206 p.e.s.-220) / foto "China Daily"
Shumë njerëz kanë luajtur me gurë në fëmijëri. Kanë gjetur një gur të shndritshëm, të bukur, të rrumbullakosur, kanë ndjerë sipërfaqen e tij të ftohtë, e kanë mbështjellë në dorë, e kanë vërtitur gjithandej dhe e kanë futur në xhep.
Për kinezët, ekziston një lloj i rrallë guri që ka një vend të veçantë në kujtesën e tyre kolektive, nefriti. Ai konsiderohet një gur thesari.
Që nga zbulimi i tij mijëvjeçarë më parë, me gjurmët më të hershme të përdorimit të nefritit në Kinë që datojnë gati 9000 vjet më parë, ai është konsideruar si një gur me bukuri të rrallë. Megjithatë, vetëm bukuria nuk shpjegon statusin e vlerësuar të nefritit në kulturën klasike kineze.
“Nefriti ka një shkëlqim të butë të krahasueshëm me ndjenjën delikate të dashamirësisë që rrjedh nga një shpirt fisnik”,- i ka thënë Konfuci një herë një dishepulli.
Filozofi kinez jetoi midis viteve 551 dhe 479 p.e.s.. Deri në atë kohë, nefriti ishte përqafuar plotësisht nga kinezët, duke shërbyer si dekorim, objekt funerali dhe send rituali që besohej se i lidhnin ata me forcat e natyrës dhe paraardhësit e tyre.
Një Cong nefriti i Kulturës Liangzhu që daton nga rreth 5 300 deri në 4 300 vjet më parë / foto "China Daily"
Shembuj të spikatur mund të gjenden nga shumë sende prej nefriti të lidhura me kulturën Liangzhu. Me qendër në rajonin e deltës së lumit Yangtze në Kinën lindore, Liangzhu, që ekzistonte rreth 5300 deri në 4300 vjet më parë, sot njihet gjerësisht si një nga kulturat kryesore neolitike të vendit. Një lloj objekti nefriti i Liangzhu, i njohur si cong, është një tub cilindrik i mbështjellë në një prizëm katror.
“Cong, sipas mendimit tim, mishëron brenda formës së tij gjeometrike pikëpamjen e njerëzve të Liangzhu për universin”,- deklaron Fang Xiangming, i cili drejton Institutin provincial të Relikteve Kulturore dhe Arkeologjisë në Zhejiang, që është angazhuar me gërmimet në Liangzhu në dekadat e fundit.
Cong prej nefriti, si të gjitha format e tjera të nefritit ritual kinez, mishëron perspektivën kozmologjike të popullit kinez.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm është se të gjithë cong-ët e Liangzhu kanë një veçori dalluese: një figurë me një kurorë me pupla mbi një imazh me sy dhe gojë të hapur.
Sipas Fang, përhapja e këtij modeli dëshmon për një sistem të unifikuar besimi mbi të cilin u ndërtua qytetërimi.
I njëjti model zbukuron gjithashtu një sëpatë nefriti dhe një skeptër të zbuluar nga një varrezë mbretërore në vend. Përfaqësime të fuqisë ushtarake dhe fetare flasin për lidhjen midis nefritit dhe autoritetit mbretëror. Lidhja u eksplorua plotësisht në mijëvjeçarët pasues nga perandorët e njëpasnjëshëm kinezë që mbretëruan nën mësimet e Konfucit, i cili besonte në sundimin me virtyt.
Gjatë dinastisë Zhou lindore (770-256 p.e.s.), kur jetoi Konfuci, dhe dinastisë Han perëndimore (206 p.e.s.-24), përshtatja e nefritit nëpër funerale arriti një kulm artistik. Mbretërit e shteteve të ndryshme vasale varroseshin rrethuar nga objekte prej nefriti të gdhendura hollësisht, të cilat supozohej t'i mbanin trupat e paprekur, ndërsa shpirti i tyre lartësohej.
Nga varrezat e një mbreti vasal të dinastisë Han në qytetin e sotëm Xuzhou, në provincën Jiangsu, arkeologët zbuluan atë që besohet të jenë disa nga dragonjtë më madhështorë prej nefriti të nxjerrë nga ndonjë varr i lashtë kinez.
Me brirë dhe mjekër, me krifë që derdhet deri në shpinë dhe tufa flokësh të përdredhura që dalin nga kyçet e këmbëve, këta dragonj në formë S-je janë një ndërthurje detajesh magjepsëse, të realizuara me një thjeshtësi fantastike. Supozohet se synimi i tyre ishte të çonin shpirtin e të ndjerit në parajsë.
Në vitin 139 p.e.s., perandori Han Wudi, i cili e bëri konfucianizmin ideologji zyrtare për dinastitë e tij dhe të dinastive pasuese kineze, dërgoi emisarët e tij në një udhëtim drejt Perëndimit që do të krijonte Rrugën e lashtë të Mëndafshit.
Në bisedë me perandorin Wudi, pas kthimit të tij 13 vjet më vonë, Zhang Qian, kreu i ekipit, përshkroi një vend ku gurët mahnitës të nefritit mund të gjendeshin përgjatë lumenjve ose thellë brenda maleve.
Maja nefriti e kapelës nga dinastia Yuan (1271-1368) / foto "China Daily"
Në vitin 1271, mongolët themeluan dinastinë Yuan të Kinës (1271-1368) dhe nuk iu desh shumë kohë që elitës mongole të Yuan-it të përfshinte nefritin në kodin e tyre të veshjes, duke mbajtur kapele të zbukuruara me këtë gur të çmuar.
“Zbukurimet prej nefriti të kapelave ofrojnë shembuj të fuqishëm se si një kulturë e evoluuar vazhdimisht u adoptua nga një popull i etur për të provuar veten si sundimtarë legjitimë të Kinës. Ato ishin bizhuteri në kuptimin e vërtetë të fjalës”,- deklaroi Zuo Jun, një ekspert i lashtësisë.
Sipas tij, gurët e çmuar si safirët përdoreshin ndonjëherë në vend të nefritit në zbukurimin e kapelave, por nuk u vlerësuan kurrë në të njëjtën lartësi.
Kapelat e zbukuruara me nefrit e humbën rëndësinë e tyre pas rënies së dinastisë Yuan në vitin 1368, por ato nuk u harruan plotësisht.
Gjatë dinastisë pasuese Ming (1368-1644), ato vazhduan të vlerësoheshin si vepra arti të përpunuara, të riimagjinuara si maja mbi kapakë druri që mbulonin enët prej nefrit. Brenda tyre, temjani, me gjasë i importuar përmes Rrugës së Mëndafshit, kur digjej, nxirrte shtëllunga tymi aromatik nëpër hapësirat në majën e kapakut.
Një furrë nefriti e dinastisë Song (960-1279) nga koleksioni i Muzeut të Pallatit / foto "China Daily"
Shumica e këtyre enëve prej nefriti, të ngjashme me ato të krijuara që nga dinastia Song (960-1279), bazoheshin në dizajnet e enëve prej bronzi të krijuara gjatë dinastive kineze Shang dhe Zhou, që datojnë nga shekulli XVI deri në shekullin III p.e.s.. Në këtë kontekst, perandori Huizong i dinastisë Song veriore, i cili jetoi midis viteve 1082 dhe 1135, luajti një rol të rëndësishëm. Nën udhëheqjen e tij, një grup i vogël artistësh të shquar antikuaresh kërkuan dhe kataloguan me përpikëri koleksionin e lakmueshëm të artit të perandorit, i cili përfshinte më shumë se 800 copë enë bronzi.
Të përshkruara me fjalë dhe me ilustrime në një përmbledhje të titulluar “Një inventar i antikeve nga epoka Xuanhe”, këto produkte bronzi shpejt u bënë modele për artizanët e nefritit.
Mendohet se një enë vere prej bronzi mund të ketë qenë frymëzim për të realizuar një enë prej nefriti të dinastisë Song, që aktualisht mbahet në Muzeun e Pallatit të Pekinit.
Zuo, i cili e përfshiu atë në një ekspozitë të mbajtur në fillim të këtij viti në Muzeun Nanjing, për të gjurmuar të gjithë trajektoren e zhvillimit të nefritit në Kinë, beson se kapaku prej druri dhe maja e tij prej nefriti ishin shtesa të bëra më vonë, ndoshta nga një perandor i dinastisë Qing (1644 -1911).