Tirana (Foto Atsh)
Me rastin e festave të fundvitit, në Tiranë do të hapë dyert në dhjetor Qendra Kulturore “Albanian Night”, qendra më e madhe etno-kulturore në Ballkan, njofton “ATSH”.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ftoi të interesuarit të përjetojnë kulturën shqiptare përmes përvojave interaktive dhe shfaqjeve kulturore të frymëzuara nga traditat e hershme.
“Zbuloni ritet dhe zakonet shqiptare nëpërmjet muzikës, këngëve, valleve dhe përvojave kulinare tradicionale. Eksploroni trashëgiminë e pasur kulturore shqiptare përmes duarve të më shumë se 500 artizanëve shqiptarë të cilët krijojnë vepra unike me metoda krejtësisht artizanale”,- shkroi ministri Gonxhja.
Qendra Kulturore “Albanian Night” mbështetet nga qeveria shqiptare përmes Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministrisë së Sipërmarrjes dhe “Start-Up Albania”, si dhe nga Delegacioni i BE-së përmes projektit EU4Innovation, i zbatuar nga GIZ.
“Albanian Night” do të vendosë në dispozicion të artistëve e artizanëve shqiptarë, një hapësirë e cila do të përmbledhë trashëgiminë kulturore nga tërësia e trevave shqiptare në një ambient të vetëm, në qendër të Tiranës, prej më shumë se 2500 metra katrorë sipërfaqe.