Saimir Pirgu (Foto nga Paul Scala)
Tenori i njohur shqiptar me famë botërore Saimir Pirgu ka dy dekada që e ka nisur rrugëtimin e tij në artin operistik. Falë aftësive të veçanta vokale, sot ai ka një repertor mjaft të larmishëm, ku ka interpretuar në rolet kryesore të shumë operave. Ai ka bërë emër me interpretimet e tij në operat kryesore të botës, ku për të është e rëndësishme të ruajë nivelin artistik, si dhe ta pasurojë repertorin e krijuar në vite. Saimiri është në krye të angazhimeve për vendin e tij. Së fundi ai u rikthye në Tiranë për të interpretuar në operan e famshme “Tosca” me solistët, korin dhe orkestrën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Gjithashtu ai solli dhe albumin e tij më të fundit në CD, me titullin SAIMIR! Albumi ka në përmbajtje ariet më të bukura të operistikës botërore të interpretuara prej tij. Për albumin, firmat serioze diskografike si Les Artes, NAXOS etj, bashkë me Saimirin do të organizojnë ture promovimi në disa vende të botës. Në një intervistë ekskluzive për Radio Ejani tenori Saimir Pirgu flet për rikthimin në Shqipëri pas 13 vitesh, promovimin e albumit të tij të tretë dhe projektet artistike në vazhdim.
CMG: Je rikthyer në Tiranë pas 13 vitesh për të interpretuar në operan “Tosca”. Si ishte ky rikthim pas kaq vitesh mungesë në skenën e TOB-it?
Saimir Pirgu: Rikthimi ishte me plot emocion dhe pritje nga ana e publikut. Shumë njerëz prisnin dhe mendonin se unë kisha ardhur më shpesh në Shqipëri, dhe e kishin harruar që shfaqja e fundit ishte në vitin 2009 në Teatrin e Operas dhe Baletit. Kjo i bëri njerëzit akoma më kuriozë që të vinin të më shikonin dhe të më prisnin me kënaqësi. Kam marrë një duartrokitje, që vërtetë më ka mbushur dhe më kishte munguar shumë.
CMG: Si i përjetove emocionet e publikut në sallë, duartrokitjet e tyre dhe a e ndjetë vërtetë mungesën e publikut shqiptar?
Saimir Pirgu: Unë e ndjeva vërtetë mungesën e publikut shqiptar, ishte një publik që kishte vite që donte të më dëgjonte. Fatkeqësisht ishin vetëm dy shfaqje, dhe ishin të ftuar mjaft institucione, por në shfaqjen e dytë ishte prezent publiku që të do dhe dëshiron me të vërtetë që ti të jesh pjesë e jetës artistike në Tiranë. Kështu që ndjeva emocione nga duartrokitjet e publikut, ishte një emocion tepër i madh dhe u kënaqa shumë. Duhet të vij pak më shpesh në Shqipëri.
CMG: Gjithashtu promovuat dhe albumin muzikor të titulluar SAIMIR. Flasim për realizimin e këtij albumi dhe promovimin që do t’i bëni dhe në vende të tjera të botës?
Saimir Pirgu: Albumi u prezantua në Vjenë më 26 tetor. Etapa e dytë ishte Shqipëria, ku u prit mirë nga publiku, ata që e morën sepse mund të blihej në TOB. Ndërsa të tjerët do ta gjejnë në të gjitha distributorët online, Spotify, YouTube, iTunes. Ndërkohë që më vonë do të vazhdoj me koncerte në disa shtete të Europës, dhe për herë të parë në operën e Kosovës që është institucion i sapondërtuar dhe shumë i ri. Unë do të shkoj për herë të parë në datën 10 dhjetor në Kosovë dhe do të vazhdoj koncertet në Bazel, Zyrih, Londër, Uashington dhe Tokio. Pra, janë 11 data pak a shumë. Kështu që është goxha punë, përveç kalendarit tim artistik që kam me teatrot dhe operat ku unë këndoj.
CMG: Pse e titulluat këtë album muzikor SAIMIR?
Saimir Pirgu: Ky është albumi im i tretë dhe shtëpia diskografike “OPUS ARTE” në Londër, ku publikojnë zakonisht vetëm operat e tyre dhe produksionet që janë të një niveli që ju përshtatet, por unë kam vite që kam publikuar me ta, dhe ndërmora edhe njëherë tjetër për herë të tretë albumin që ta bënim bashkë. Ata vendosën që ta titullonin me emrin tim Saimir, sepse publiku i operës më njeh më shumë me mbiemrin Pirgu. Kështu që shtëpia diskografike lançoi pak më tepër emrin, ku dhe njerëzit do të ishin më kuriozë.
Albumi ka patur goxha sukses, sepse shumë njerëz nuk e dinë fare se për çfarë bëhet fjalë, dhe duke pasur vetëm emrin Saimir filluan t’i dedikojnë më tepër kohë. Gjithashtu kemi patur dhe shumë klikime nga publiku që nuk është i operës. Kështu që për mua është sukses gjithësesi.
CMG: Si është kjo periudhë e fundvitit për ju në karrierën artistike?
Saimir Pirgu: Përveçse kalendarit tim të operave, unë kam dhe promovimin e albumit me koncerte. Pra, është një periudhë tepër e ngjeshur. Kur mbërrita në Shqipëri për operën “Tosca” e kisha të vështirë sepse thoja nuk do ta bëj dot nga lodhja që kisha, por shkoi gjithçka mirë. Duhet ruajtur një lloj qetësie, sepse i gjithë ky aktivitet, promovimi i një albumi është një lodhje e madhe sepse është më tepër kontakti i drejtpërdrejtë me njerëzit. Është një stërmundim i madh, që ja vlen.
Saimir Pirgu duke interpretuar ne operen Tosca (Foto nga Enirjeta Selimaj)
CMG: Sot që ke arritur të jesh në majat e karrierës operistike, cili është emocioni që përjeton gjatë suksesit në skena të ndryshme të botës?
Saimir Pirgu: Janë bërë 20 vjet që unë këndoj në teatro të operës dhe nuk është hera e parë që përballem me suksesin, por suksesi ka dhe disfatat. Kështu që ti duhet të jesh gjithmonë i përgatitur që edhe pas një disfate të mendosh për një gjë më të bukur. Kjo më ka mbajtur gjithmonë në atë nivelin e lartë, ku konkurenca nuk është e pakët, sepse të bësh karrierë do të thotë që të përballesh me gjithë më të mirët e Italisë, Spanjës, Nju Jorkut, Vjenës dhe Berlinit. Nëse ti nuk jep diçka, aty nuk rikthehesh më. Është një konkurencë tepër e madhe.
Sot është bota e hapur dhe të gjithë ata që kanë mundur të bëjnë karrierë e kanë parë sesa e vështirë është të mbijetosh, dhe sa e vështirë është që të përgatitesh mirë përpara se të dalësh në publik, qoftë ky shqiptar, italian apo vjenez. Kjo është një peshë tepër e madhe dhe duhet ta dish që siç ka suksese ka dhe disfata, por duhet gjithmonë të jesh i fuqishëm, sepse është një ditë tjetër dhe ti duhet të japësh më të mirën. Kjo është e vetmja këshillë që kam për momentin dhe që i jap vetes, për të mbajtur nivelin dhe për të qenë gjithmonë në një nivel të pritshëm nga publiku.
CMG: Si e ke përjetur takimin me tenorin e famshëm Luçiano Pavaroti?
Saimir Pirgu: Unë Pavarotin e kam takuar shumë i ri, kur sapo kisha ardhur në Itali dhe isha student. Imagjino për një të ri që nuk e kishte idenë fare sesi ishte Italia, apo sesi ishte vendi ku do të studioja, të takoja idhullin tim dhe gjithë botës të artit operistik. Kështu që për mua ishte një ëndërr, që në vitet e mëvonshme duke studiuar me të, duke e njohur mirë, nga ëndërr u kthye në një miqësi dhe miqësia u kthye në një mentor. Janë dritare diturie që unë i hap çdo herë që kam nevojë dhe që kam diçka që nuk më shkon, ose që nuk më bind, janë ata leksionet me të që më japin një forcë tepër të madhe. Nëse kam patur fat ndonjëherë, është ky fati im më i madh, që shumë i vogël dhe pa ditur asgjë të takoja njerëz kaq të mëdhenj, që më ka ndihmuar në udhëtimin tim artistik.
CMG: Cilat janë projektet tuaja artistike për vitin 2025?
Saimir Pirgu: Në vitin 2025 do të filloj me një produksion të ri në operën e Zyrihut, me operën Manon Lescaut dhe regjisori do të jetë ndër më të njohurit që ka tashmë bota e operës, Barrie Kosky. Kjo është një premierë, ku po punoj dy muaj për këtë premierë dhe do të jenë prezent kritika nga gjithë vendet për ta parë. Është diçka që unë e pres këtë rol për herë të parë, ku dhe pse është e vështirë unë jam duke u përgatitur për këtë. Pastaj do të vazhdoj me turnetë në Uashington, Tokio, prapë në Zyrih dhe në Vjenë. Produksioni Manon Lescaut që do të bëj në ditët e para të shkurtit është një gjë që e pres prej shumë vitesh, sepse është një opera që e kam dashur më përpara, por nuk kam guxuar kurrë. Kështu që për momentin jam i fokusuar vetëm te ky projekt në Zyrih.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë, miqtë dhe adhuruesit tuaj.
Saimir Pirgu: Ju dua shumë. Faleminderit që na mbështetni dhe na dëgjoni. Pa publikun tonë do të ishte shumë e vështirë jeta e një artisti.
Intervistoi: Gazmend Agaj