MJK: COP29 në Baku arriti konsensuse të shumta
2024-11-25 20:36:54

foto: VCG

foto: VCG

Të dielën përfundoi në kryeqytetin e Azerbajxhanit Baku Konferenca e 29-të e Palëve të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP29). Siç raportohet, në këtë konferencë u shpall një objektiv i ri kolektiv sasior për financimin e klimës. Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në një konferencë shtypi të hënën se si i vlerëson Kina rezultatet e arritura në këtë konferencë dhe çfarë roli do të luajë në zbatimin e rezultateve të konferencës, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning vuri në dukje që, pas dy javësh negociatash të vështira, të gjitha palët më në fund arritën konsensus mbi objektivin e ri kolektiv sasior për financimin e klimës dhe për detajet e zbatimit të nenit 6 të Marrëveshjes së Parisit. Rezultati i kësaj konference pasqyron parimin e përgjegjësisë së përbashkët, por të ndryshme dhe demonstron përpjekjet e përbashkëta globale për të trajtuar ndryshimet klimatike, tha Mao Ning, duke shtuar se qeveria kineze i kushton rëndësi të madhe këtij takimi. 

foto: VCG

foto: VCG

Konferenca arriti një objektiv të ri kolektiv sasior për financimin e klimës, duke kërkuar që vendet e zhvilluara të marrin drejtimin në sigurimin dhe mobilizimin e të paktën 300 miliardë dollarëve në vit deri më 2035 për të përkrahur veprimet klimatike në vendet në zhvillim. Ky është një vazhdim i objektivit të vitit 2009, sipas të cilit vendet e zhvilluara u angazhuan për të investuar 100 miliardë dollarë në vit. Konferenca bëri thirrje gjithashtu për mobilizimin e të paktën 1.3 trilion dollarëve për financimin e klimës në vit nga burime të ndryshme për vendet në zhvillim deri në vitin 2035. 

foto: VCG

foto: VCG

Financimi i klimës është një mbështetje e rëndësishme për vendet në zhvillim për të përballuar ndryshimet klimatike. Pala kineze u bën thirrje vendeve të zhvilluara që të përmbushin me zell detyrimet dhe përgjegjësitë e tyre lidhur me ofrimin e mbështetjes financiare për vendet në zhvillim dhe që të kontribuojnë në reagimin global ndaj ndryshimeve klimatike, vuri në dukje zëdhënësja e diplomacisë kineze. Ajo shtoi më tej që Kina do të vazhdojë të forcojë bashkëpunimin Jug-Jug dhe do të ofrojë mbështetje  brenda kapaciteve të saj për vendet e tjera në zhvillim për të përballuar ndryshimet klimatike.