Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky beson se lufta ruse kundër Ukrainës mund të përfundojë në vitin e ardhshëm, njofton RTSH.
“Kur do të përfundojë lufta? Kur Rusia dëshiron që lufta të përfundojë. Kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës të marrin një pozicion më të fortë. Kur Jugu Global të qëndrojë me Ukrainën dhe të qëndrojë me fundin e luftës”, tha Zelensky në një bisedë me përfaqësuesit e medieve të huaja në Kiev, në konferencën e tretë ndërkombëtare për sigurinë ushqimore.

Foto nga VCG
Zelensky tha se ai ka besim se të gjitha këto masa do të zbatohen dhe vendimet do të zbatohen herët a vonë.
“Nuk do të jetë një rrugë e lehtë, por jam i bindur se ne kemi të gjitha shanset për t’ia dalë mbanë vitin e ardhshëm”, tha Zelensky.
“Ne jemi të hapur ndaj propozimeve të liderëve të shteteve afrikane, aziatike dhe arabe”, shtoi Zelensky.
“Do të doja të dëgjoja gjithashtu propozimet e presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mendoj se do t’i dëgjojmë në janar dhe do të kemi një plan për t’i dhënë fund kësaj lufte”, tha ai.

Foto nga VCG
Gjatë fushatës së tij elektorale, presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, theksoi vazhdimisht se donte të pakësonte mbështetjen masive ushtarake të SHBA-së për Kievin. Më hertë, Trump tha se ai mund t’i jepte fund luftës brenda 24 orëve.
Ukraina ka humbur mbi 40 për qind të territorit në Kursk të Rusisë
Ukraina ka humbur më shumë se 40% të territorit në rajonin e Kurskut të Rusisë që kapi në gusht, tha një burim i lartë ushtarak ukrainas, sipas “Reuters”, shkruan rtsh.al.
“Rusia ka dislokuar 59 000 trupa në rajon që nga pushtimi i befasishëm i forcave të Kievit”, tha burimi, në shtabin e përgjithshëm të Ukrainës.
“Ne kontrollonim rreth 1376 kilometra katrorë dhe tani ky territor është më i vogël. Trupat ruse po shtojne kundërsulmet”, tha burimi.

Foto nga VCG
“Tani ne kontrollojmë afërsisht 800 kilometra katrorë. Ne do ta mbajmë këtë territor për aq kohë sa të jetë e përshtatshme ushtarakisht”, shtoi burimi.
Këtë fundjavë, Rusia tha se forcat e saj kishin kapur fshatin Novodmytrivka në rajonin Donetsk, të Ukrainës lindore, avancimi i tyre i fundit në atë që Andrei Belousov, ministri rus i Mbrojtjes, e përshkroi si një përparim të “përshpejtuar”.
Forcat ruse thuhet se kanë avancuar gjithashtu më shumë në veri pranë Kupianskut, një qendër hekurudhore dhe qendër logjistike në rajonin e Kharkivit.
Burimi i shtabit të përgjithshëm tha se rreth 11 000 trupa të Koresë së Veriut kishin mbërritur në rajonin e Kurskut në mbështetje të Rusisë.
