Kina merr pjesë aktive në qeverisjen globale të zhvillimit të internetit
2024-11-25 17:29:06

Foto nga VCG

Foto nga VCG

2024-a është viti i 10-të i shpalljes nga kryetari i shtetit i Kinës i objektivit strategjik për ta shndërruar Kinën në fuqi kibernetike, si edhe 10-vjetori i zhvillimit të Konferencës Botërore të Internetit (WIC). Qysh prej vitit 2014, kjo veprimtari botërore është zhvilluar pandërprerë në Kinë, pikërisht në qytezën e njohur Wuzhen.

 

Pak kohë më parë, përfundoi në Wuzhen samiti i WIC-së për vitin 2024, duke bashkuar të ftuar nga mbi 130 vende dhe rajone, nëpërmjet pjesëmarrjes në internet ose me prani fizike.

 

Në këtë platformë të krijuar nga Kina, palët kanë arritur vazhdimisht konsensus, duke thelluar bashkëpunimin në sektorin digjital. Kina, si vend organizator, ka marrë pjesë aktivisht në mekanizmin global për qeverisjen e internetit, duke thelluar pandërprerë bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e ekonomisë digjitale dhe duke nxitur ndërtimin e komunitetit me fate të përbashkëta në hapësirën kibernetike.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Pikat e reja në WIC 2024

 

Përveç veprimtarive tradicionale, në samitin e këtij viti u shpallën dhe një numër nismash të reja.

 

Në WIC 2024 u paraqit çmimi për kontribut  të shquar i WIC-së, për të nderuar individët dhe ndërmarrjet që kanë dhënë kontribute të jashtëzakonshme në sektorin global të internetit, duke synuar të inkurajohen të gjitha palët që të promovojnë zhvillimin e industrisë së internetit dhe për të siguruar që më shumë vende e njerëz të ndajnë përfitimet prej përparimit të internetit.

 

Këtë vit është themeluar edhe Komiteti i Specializuar për Inteligjencën Artificiale (AI) i WIC-së, i cili pritet të krijojë një platformë ndërkombëtare për bashkëpunim dhe shkëmbime në fushën e AI-së.

 

I iniciuar nga 60 institute kërkimore të organizatave anëtare të WIC-së dhe instituteve të nivelit të lartë ndërkombëtar në fushën globale të internetit, Programi i Bashkëpunimit të Grupeve të Mendimit i WIC-së është kthyer në një platformë afatgjatë për shkëmbime akademike dhe dialog intelektual.

 

Në këtë samit është formuar Akademia Digjitale e WIC-së, që do të zhvillojë programin e Trajtimit të Elitës Globale WIC-së.

 

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Përpjekjet dhe kontributet e Kinës për zhvillimin digjital

 

Krahas veprimtarive kryesore, në këtë samit janë publikuar dy raporte kryesore për arritjet e rëndësishme të zhvillimit të internetit, të cilat janë “Raporti i zhvillimit të internetit në Kinë 2024” dhe “Raporti i zhvillimit të internetit në botë 2024”.

 

Sipas “Raportit të zhvillimit të internetit në Kinë 2024”, Kina ka ngritur gati 10 mijë fabrika inteligjente dhe punishte të digjitalizuara në mbarë vendin. Raporti i publikuar gjatë WIC 2024 në Wuzhen, pasqyron integrimin e inteligjencës artificiale dhe teknologjisë digjitale në prodhimet industriale kineze.

 

Këto përparime tregojnë përkushtimin në rritje të Kinës për përshpejtimin e digjitalizimit industrial dhe rritjen e produktivitetit përmes inovacionit teknologjik.

 

AI-ja do ta çojë ekonominë digjitale në një shkallë të re

 

Në WIC 2024 u zhvillua një nënforum mbi ekonominë digjitale, ku pjesëmarrësit nga vendet e ndryshme kanë shprehur mendimet e tyre për ekonominë digjitale. Një nga pikëpamjet kryesore është që zhvillimi i shpejtë i AI-së do të ndihmojë në ngritjen e ekonomisë digjitale në një shkallë të re.

 

Sipas të dhënave nga “McKinsey & Company”, në 15-20 vjetët e ardhshëm, AI-ja pritet të krijojë një vlerë prej rreth 680 miliardë dollarësh amerikanë për sektorin e telekomunikacionit.

 

Në botën e sotme, që nga rrjetet sociale e deri në prodhimin inteligjent, AI-ja po futet gradualisht në sektorët e ndryshëm dhe po bëhet gjaku i ri për nxitjen e zhvillimit ekonomik.

 

“AI-ja është motori i ri për transformimin digjital të industrisë,” u shpreh zv.drejtorja e departamentit të teknologjisë së re dhe industrisë të Rajonit të Posaçëm të Hong-Kongut Zhang Manli. Ajo bën të ditur që në Hong-Hong është krijuar qendra e supermatematikës e AI-së dhe ka nisur programi i ndihmës financiare për AI-në me vlerë prej 3 miliardë juanësh, me synim që të nxitet aktivisht zhvillimi i AI-së dhe industrisë së të dhënave.

 

Zv.presidenti global i kompanisë “Qualcomm”, Qian Kun u shpreh që AI-ja do të ndikojë thellësisht dhe do të ndryshojë konsumin e njerëzve, duke injektuar gjallëri të re për tregun e celularëve, kompjuterave dhe makinave. Sipas parashikimeve, në periudhën 2023-2027, shtimi i smartfonave me AI me funksione të ngjashme me ato njerëzore pritet të arrijë 83% dhe deri më 2027, sasia e dërgimit të smartfonave të tillë do t’i kalojë 500 milionët.

 

“Në të ardhmen, AI-ja në cloud do të funksionojë në mënyrë të koordinuar me aparatet terminale dhe do të sjellë mundësi krejtësisht të reja për të gjithë sektorët,” tha Qian Kun.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

 

Pas 10 vjetësh, samiti i Wuzhen-it i WIC-së është bërë një platformë e rëndësishme për shkëmbimet dhe bashkëpunimin në fushën e internetit global. Kina jo vetëm ka përfituar nga zhvillimi i internetit global, por gjithashtu ka luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e tij për të shtuar më shumë mirëqenien e gjithë njerëzimit. Me përpjekjet dhe kontributin e pandërprerë nga WIC, do të inkurajohen më shumë talentet më të shquara të marrin pjesë në nxitjen e zhvillimit të internetit, duke kontribuuar me "mençurinë kineze" në promovimin e teknologjisë së internetit për të ardhmen e zhvillimit botëror. (Jiang Lei)