Plani i ri i qeverisë, dy bonuse për pensionistët
2024-11-25 14:17:53

Përveç bonusit të fundvitit për pensionistët do të kenë edhe një tjetër bonus në pranverë. Detajet janë dhënë nga Kryeministri Edi Rama, sipas të cilit do të krijohet në ditët e para të dhjetorit, pranë Bankës së Shqipërisë, një fond për bonusin e dytë. Bonusi i fundvitit është parashikuar në total prej afro prej 100 milionë eurosh.

“Ky bonus i ri do të ndahet në dy shkallë; të gjithë pensionistët që kanë një pension deri në 20 mijë lekë, pra deri në 200 euro, do të marrin trefishin e bonusit të deridjeshëm përmes një bonusi të ri, 15 mijë lekë, ose 150 euro. Ndërsa pensionistët që kanë një pension më të madh se 20 mijë lekë do të marrin dyfishin e bonuseve të viteve të mëparshme, përmes një bonusi në masën 10 mijë lekë ose 100 euro.”

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Rama tha se ky dallim mes të parëve dhe të dytëve nuk bëhet për t’u dhënë më pak atyre që kanë pension më të lartë, por për t’u dhënë më shumë atyre që kanë një pension më të ulët.

“Bonusi i trefishtë do të përfitohet këtë fundviti nga më shumë se gjysmë milioni pensionistë, saktësisht 511 mijë ku përveç 400500 gjyshërve e gjysheve, përfshihen dhe 65800 invalidë pune dhe 44 600 përfitues pensionesh si nëna kryefamiljare apo fëmijë jetim. Ndërsa rreth 210 mijë pensionistë të tjerë do të përfitojnë nga bonusi i dyfishtë. Më konkretisht, për të gjithë ata që marrin një pension social, ky bonus është i barabartë me një rritje vjetore të pensionit prej afro 13%. Për ata që marrin një pension 15 mijë lekë në muaj, bonusi është i barabartë me një rritje prej afro 9% të pensionit çdo muaj, ndërsa për nënat kryefamiljare dhe jetimët, ky bonus sjell një rritje me 35% të pensionit mujor.”- u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit, ky është  një hap kuptimplotë në drejtimin e qëllimit  për ta mbyllur rrethin e qytetarëve përfitues nga rritja domethënëse dhe e qëndrueshme ekonomike e Shqipërisë.

“Nga ana tjetër ky nuk është i vetmi hap që ne do të hedhim menjëherë për të plotësuar tiparin gjithëpërfshirës të rritjes ekonomike sepse paralelisht me shpërndarjen e bonusit të tre dhe dyfishuar të fundvitit, në ditët e para dhjetorit, ne po ashtu do të krijojmë pranë Bankës së Shqipërisë fondin e një bonusi të dytë. Ky bonus i dytë do të jetë bonusi i pranverës, i cili do të ndikojë më tej në rritjen e të ardhurave vjetore të pensionistëve dhe do të jepet në hyrje të çdo pranvere duke ndarë për të gjithë pensionistët një shumë të përftuar nga rritja e ekonomisë dhe për rrjedhojë, edhe të ardhurave të shtetit në vitin paraardhës. Vetëm me këto dy bonuse vjetore, plus indeksimin automatik vjetor të pensioneve, në raport me rritjen e çmimeve, pensionistët tanë do të mund ta prekin menjëherë kuptimin e shifrave të rritjes shembullore ekonomike të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE brenda kësaj dekade.”- tha Rama.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ndërkohë qeveria ka në tryezë edhe planin e ri të pensioneve.

“Ndërkohë ne do të kemi gati vitin e ardhshëm edhe planin e ri të pensioneve në funksion të rritjes ekonomike i cili do të sjelle edhe të ardhura të tjera për pensionistët, duke garantuar njëkohësisht qëndrueshmërinë afatgjatë të politikës së pensioneve pa rrezikuar asnjë fije stabilitetin financiar të vendit, pa kërcënuar zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të vendit nga ku dalin dhe të ardhurat për rritjen e qëndrueshme të pagave dhe pensioneve, pa i ulur, por përkundrazi, duke i rritur njëkohësisht dhe investimet kapitale për Shqipërinë e nesërme të fëmijëve të sotëm.”

Kryeministri bën edhe një krahasim për normën e pensionit.

“A e dini për shembull, që mësueset me 38 vite pune të cilat kanë dalë në pension përpara se ne te vinim në qeveri, e merrnin pensionin rreth 23 mijë lekë? Ndërsa çdo mësuese me të njëjtat vite pune që ka dalë në pension pas vitit 2014, e ka pensionin rreth 36 mijë lekë ose 56% më të lartë. Po që për të njëjtat vite pune dhe kontribute në sigurimet shoqërore, një mjek me 40 vite punë, i dalë në pension përpara 2014 me pension maksimal të deri 10 viteve më parë, 24 mijë lek plus indeksimin e marrë  gjatë këtyre viteve merr 35 mijë lekë, ndërsa mjekët e pensionuar pas 2014 e kanë sot pensionin 51 mijë lekë. Njëjtë për gjyqtarët, për ekonomistët, ata të pensionuar përpara kësaj dekade të qeverisë sonë dhe dalë në pension me atë 24 mijë lekëshin tavan për të gjithë ku askush nuk mund të ngjitej dot më lartë, sot marrin 35 mijë lek falë indeksimeve.”

Eksperti i ekonomisë Klodian Muço tha për mediat se edhe bonusi i këtij viti do të jetë i ngjashëm me bonuset e viteve të shkuara.

“Bonusi i këtij viti do të jetë pak a shumë i ngjashëm me bonuset e marra vitet e kaluara, pra rreth 5 mijë lekë të reja është dhënë vitet e tjera, kështu që nuk shikoj ndonjë ndryshim në raport me vitet e kaluara. Sigurisht mund të ketë ndonjë ndryshim të këtij buxheti. Kryeministri e ka përmendur që bonusi i fundvitit do të jetë më i lartë se vitet e kaluara, por edhe nëse është më i lartë nuk është për t’u përgëzuar pasi e meritojnë pensionistët. Për vetë faktin që nga vitit në vit shikojmë një rritje të çmimit, për të bërë dhe një krahasim nëse para 5 apo 6 vitesh po ta blinim një gjel deti kushtonte 6 apo 7 mijë lekë të reja, këtë vit diskutohet të shkojë rreth 10 apo 12 mijë lekë të reja. Pra nga viti në vit kemi një rritje të çmimit dhe kjo në njëfarë mënyrë do të shoqërohet se në qoftë se ke bonusin me vete pra atë darkën e fundvitit duhet që tek ky bonus në vetvete të rritet” - shprehet Muço për Top News.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Muço ka komentuar edhe buxhetin e pensioneve. Ndërsa bonusi i fundvitit duket se është praktikë shqiptare.

“Me sa unë kam informacion nuk është një praktikë që ndiqet, që përgjithësisht për pensionet në fund të vitit t’u jepet një bonus. Kam përshtypjen se është një praktikë shqiptare. Sa i përket rritjes së pensioneve të vitit 2025 tek 30 e ca milionë euro praktikisht është një indeksim që do të bëhet në periudhën e muajit prill. Do diskutohet që nëse buxheti do të ngelet kaq sa është diskutuar sot, do të kemi një indeksim me 1.5 % dhe praktikisht është i papërfillshëm. Në kompleks nuk kemi rritje të pensionit për këtë vit, nëse nuk do të ndryshojë. Ajo që është e rëndësishme, kemi një diferencë të madhe mes asaj që quajmë pension të fermerit apo të zonave rurale, të cilët kanë dhënë kontributet e tyre në ndërmarrje publike apo private ndër vite dhe jo kontributet që derdhin fermerët apo kontribuojnë”

Bonusi i trefishtë do të përfitohet këtë fundvit nga më shumë se gjysmë milioni pensionistë. Saktësisht, 511 mijë, ku përveç 400 mijë e 500 gjysheve e gjyshërve, përfshihen edhe 65 mijë e 800 invalidë pune dhe 44 mijë e 600 përfitues pensionesh si nëna kryefamiljare apo fëmijë jetimë. Ndërsa, rreth 210 mijë pensionistë të tjerë do të përfitojnë nga bonusi i dyfishtë.