
Erjon Veliaj inspektim (Foto RTSH)
Terminali veriperëndimor i Tiranës do të përsërisë historinë e suksesit të terminalit juglindor në Lundër, deklaroi kryebashkiaku Erion Veliaj, ndërsa inspektoi punimet për ndërtimin e tij. Ai tha se terminali prej 10 mijë metrash katrorë do të ketë infrastrukturë të përshtatshme për autobusët dhe pasagjerët, duke e ngritur standardin e shërbimit në nivele më të larta, shkruan “RTSH”.
Ky investim i rëndësishëm për transportin ndërqytetës do të lehtësojë trafikun, por edhe do të ofrojë kushte më të mira për qytetarët që vijnë apo largohen nga Tirana.
“Për këdo që ka parë terminalin juglindor, terminali veriperëndimor do të jetë i të njëjtit standard, por 3-4 herë më i madh, sa i takon sipërfaqes dhe volumit të pasagjerëve”,- tha ai.
Veliaj përmendi rëndësinë e sinkronizimit mes terminalit të ri dhe hekurudhës që po ndërtohet.
“Nevojitet bashkëpunim. Pasi të mbarojmë punë dhe të kemi kryer transferimin, do të bëjmë edhe lidhjen me terminalin e trenit. Binarët janë në proces vendosjeje dhe në momentin që këto të dyja mbarojnë pothuajse në të njëjtën kohë, atëherë do të jetë e mundur të përdoret aeroporti, porti, terminali multimodal, ku do të vendosen edhe taksitë, edhe transporti qytetas i Tiranës, bashkë me terminalin e trenit. Pas kësaj mund të themi se kemi krijuar një portë të Tiranës moderne”,- sqaroi ai.
Veliaj e cilësoi këtë projekt si një fitore për publikun dhe një shembull të mbrojtjes së territorit publik nga abuzimet e së shkuarës.
Terminali i ri do të ofrojë më shumë vende qëndrimi për autobusët. Ndërkohë, Bashkia e Tiranës ka marrë masat për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve brenda qytetit përmes transportit urban.
