Kantautori Algert Sala, konkurrent në “Kënga Magjike” dhe Fest’63
2024-11-24 09:40:31

Algert Sala  (Foto nga personale))

Algert Sala  (Foto nga personale))

Kantautori Algert Sala e ka nisur muzikën herët. Ai ka lindur në Tepelenë dhe ka studiuar për muzikë në Vlorë, ku mori diplomën e shkollës së mesme për kanto. Në një skenë të madhe ai u prezantua rreth një dekadë më parë në talent show-n televiziv “X-Faxtor”, e më pas në “The Voice”. Ka marrë pjesë në disa edicione të festivalit “Kënga Magjike”, si dhe ka realizuar shumë këngë me videoklipe. Vitet e fundit ai ka qenë mjaft aktiv, duke realizuar materiale të ndryshme muzikore si për vete, por edhe për artistë të rinj të talentuar. Fundviti e gjen atë me dy pjesëmarrje të rëndësishme muzikore si konkurrimi në festivalin “Kënga Magjike” me këngën “Plumbat”, si edhe në festivalin  e  63-të të Këngës në Rtsh me këngën “Bosh”. 

CMG: Algert, në këtë fundvit vjen me dy këngë konkurrente në dy festivale të rëndësishme në Shqipëri si “Kënga Magjike” dhe Fest’63 dhe të dyja këngët janë balada.

Algert Sala: Të dyja këngët konkurrente si në “Kënga Magjike” dhe ajo e Fest’63, kanë trajtime të ndryshme, por anojnë nga balada. Për mua është emocion i dyfishtë të jem pjesëmarrëse në dy kompeticione mjaft të rëndësishme në Shqipëri.

CMG: Mbetemi tek “Kënga Magjike”, në paraqitjen tënde skenike për këngën “Plumbat”, në krahun tënd të djathtë ishte shenja e gjakosur e lënë nga plumbat. Më trego për fabulën e saj, përse plumbat?

Algert Sala: Njeriu duhet të luftojë për veten dhe lufta në këtë rast është nëpërmjet muzikës. Në kuptimin figurativ gjithmonë, në këngë thuhet; “Plumbat që ti mi ke dhënë, gjithë ato vuajtje unë t’i kthej pas”. Është një farë lirie që i jep vetes për të hedhur pas gjithë negativitetin që mund të kesh nga një dashuri. Nuk e kam personale sepse tekstin e ka bërë Elios Shuli, kompozicioni është i Klejdi Mustës ndërsa muzika është realizuar nga unë.

Kantautori Algert Sala i ftuar në Radio Ejani

Kantautori Algert Sala i ftuar në Radio Ejani

CMG: Përse dole me këmishën e  gjakosur në skenë?

Algert Sala: Sepse doja ta sillja sa më dramatike, teatrale që njerëzit ta shihnin më me kurriozitet performancën. Ky element ishte për ta përcjellë sa më thjeshtë vizualisht, që ishte goditja e plumbit dhe gjakosja në këmishë. Mendova se do i qëndronte performancës, por pas disa tentativave që ‘plumbi’ të plaste në kraharorin tim, më në fund pas katër provash ‘plumbi’ skenik plasi dhe gjaku rrodhi.   

CMG: Je i kënaqur me këtë këngë dhe këtë prezantim tëndin?

Algert Sala: Mund të them se është një nga materialet e mia muzikore më të mira deri tani. Është ashtu si e doja dhe i ka të gjitha komponentët. I kam  qëndruar në kokë për çdo detaj dhe jam shumë i lumtur që më në fund doli.

CMG: Çfarë pret nga “Kënga Magjike”?

Algert Sala: Pres që të pëlqehet kënga dhe njerëzit të kënaqen me këtë këngë, njerëzit ta gjejnë veten tek kjo këngë.

CMG: Je pjesëmarrës këtë vit edhe në Fest’63-të  të Këngës në Rtsh me këngën “Bosh” sërish është një baladë. Pasqyrojnë këto këngë karakterin tënd Algert?

Algert Sala: Sigurisht sepse nëse nuk do gjeja veten në këto këngë, nuk do krijoja. Në përgjithësi në materialet që punoj, përpiqem që të jetë një pjesë e imja aty. Janë njerëzit që të dëgjojnë, por e mira është që të ndjekin ata njerëz që e gjejnë veten tek këngët e mia. Një pjesë të mirë të kompozimeve të këngëve i kam bërë vetë, them që jam unë në ato këngë.

CMG: Je shumë detajist në materialet muzikore që  publikon, madje në një intervistë tënden dëgjova se, i ke fshirë të gjitha materialet e tua të vjetra në youtube. Është e vërtetë?

Algert Sala: Po, është e vërtetë që i kam fikur rreth 15 këngë me videoklipe.

Algert Sala  (Foto nga personale)

Algert Sala  (Foto nga personale)

CMG: Përse?

Algert Sala: Jam tip që e kritikoj veten, ndonjëherë më tepër seç duhet. Kam kuptuar se njeriu jep në një kohë të caktuar maksimumin, për momentin maksimumi që unë kam dhënë është ky, ndoshta pas disa vitesh mund të jetë më i mirë apo më i dobët, por duhet shijuar momenti. Tani çfarë do dalë, nuk do fshihet më nga youtube (qesh).

CMG: Ti këtë vit ke ardhur edhe me një bashkëpunim me këngëtaren e re Sonja. Kur ndihmon artistë të rinj, të vjen ndër mend kur dikur, dikush të ka  ndihmuar ty?

Algert Sala: Fillimet janë të vështira dhe unë e kam kaluar vetë që ka qenë mungesë e një dore të rëndësishme për bashkëpunime. Njeriu nuk rritet vetë artistikisht, ka gjithmonë momente kur dikush mund të ndihmojë me diçka dhe të bën të rritesh gradualisht. Nuk kanë qenë shkallët nga 10 apo 15, por një e nga një. Sonjën e  pashë që ishte e talentuar, që kishte një timbër shumë të mirë, mendova se do i përshtatej mjaft mirë materialit. Erdhi e dëgjoi, e provoi këngën, i pëlqeu materiali, i flinte si këngë. 

CMG: Kthehemi pas në kohë, ti ke studiuar në shkollë të mesme për kanto, por kush e zbuloi talentin tënd dhe kur kanë qenë hapat e parë drejt skenës?

Algert Sala: Talentin tim për muzikë e kanë zbuluar prindërit e mi, gjithashtu edhe mësuesja ime në festën e abetares, ku kemi kënduar live. Në atë kohë mbaj mend që transmetoheshin “Ethet e së Premtes” dhe muzikanti që luante në instrument përdorte batutën e njohur në atë spektakël “Ti shkon në Tiranë”. Kam marrë pjesë në festivale fëmijësh ku kam fituar çmimin e tretë. I kam provuar disa kompeticione këtu në Shqipëri, të gjitha kanë qenë eksperienca për të më rritur më shumë artistikisht.

CMG: Ti përfundove studimet në Vlorë për kanto, por në universitet shkove drejtë një tjetër dege, asaj të drejtësisë. Përse kjo zgjedhje?

Algert Sala: Nuk është ndonjë pasion i imi, por mendova që të kisha një profesion të dytë. Nuk e ndjej veten shumë aty, për momentin, por vendosa që të ndjek artin në një tjetër formë.

CMG: Algert, përveç këngës ti merresh edhe me post-produksionin e videoklipeve të këngëtarëve të njohur shqiptarë. Më trego për këtë pasion, prej sa kohësh ka nisur?

Algert Sala: Po bëj rreth tri vite në kompaninë “Full Moon” që merrem me editimin e videove muzikore. Ka lindur shumë natyrshëm si pasion. Kur kam qenë në gjimnaz jam marrë duke bërë video për qejfin tim, me projekte shkollore. Më pas u detyrova të filloja punë, po me këtë profesion me televizione të ndryshme, deri sa arrita që të bëja editim me art, për të gjetur veten tek editimet e videoklipeve muzikore, që është brenda artit sërish.

CMG: Me cilët nga emrat e njohur ke punuar?

Algert Sala: Janë shumë, Xhensila Myrtezaj, Elgit Doda, Ronela Hajati, Fifi, etj.

CMG: Cili është artisti me të cilin e ke më të lehtë të punosh dhe artisti i cili është më i vështirë për të punuar?

Algert Sala: Nuk kam qejf t’i ndaj, por varet se sa kohë më zë një videoklip. Ka videoklipe që ecin, rrjedh procesi i punës, siç ka edhe videoklipe që ka shumë skena dhe kërkon një impenjim shumë të madh. Në gjashtë orë xhirime, duhet të zgjedhësh vetëm 3 minuta.

CMG: Mes kompozitimit dhe post-produksionit, kë do më tepër?

Algert Sala: Të dyja.

CMG: Cilën e ke relaks kur shkon në punë?

Algert Sala: Muzikën, është jo relaksim, por është terapi për mua dhe më ndihmon që të zbardh pjesën time të brenshme emocionale.

CMG: Si krijues, cila është muza jote e frymëzimit

Algert Sala: Anonim. Nuk ka një muzë, ajo tek unë është e brendshme.

Algert Sala  (Foto nga instagram)

Algert Sala  (Foto nga instagram)

CMG: Pas këtyre dy festivaleve, cilat janë planet e tjera që pret të vazhduar më tej?

Algert Sala: Gjëra të bukura, të mira, shumë punë e projekte të reja që të pëlqehen. 

CMG: Si konkurrent i Festivalit të Rtsh-së, me çfarë qëllimi po shkon në këtë festival dhe a do doje të ishe ti fituesi, e të shkojë ne Eurovizion?

Algert Sala: Duke qenë se kam marrë pjesë në kompeticione të ndryshme, kam arritur në një konkluzion që, nuk duhet krijuar fare pritshmëri. Qëllimi im i vetëm është që muzika ime të pëlqehet, unë ta shijoj aty në skenë dhe njerëzit të gjejnë veten.  

CMG: Ke menduar për prezantimin skenik në Fest’63?

Algert Sala: Ende jo.

Intervistoi: Sava Lena