BE: Jemi të gatshëm të përgjigjemi, nëse SHBA vendos tarifa
2024-11-24 11:27:29

Flamuri i BE-se (Foto ATSH)

Flamuri i BE-se (Foto ATSH)

Bashkimi Europian është gati të reagojë në rast të tensioneve të reja tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Deklarata u bë nga  ambasadorja e BE-së në Uashington, Jovita Neliupsiene, teksa rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë pritet të sjellë kthimin e tarifave në tregti mes Amerikës dhe Europës, shkruan “Panorama”.

“Ne jemi në një periudhë tranzicioni, si në Bruksel ashtu edhe në Uashington. Ne po e shfrytëzojmë këtë moment për t’u fokusuar te çështjet të cilat besojmë se mund të punojmë së bashku me administratën amerikane”, - tha ambasadorja e BE-së gjatë një konference për shtyp.

“Mes SHBA-së dhe BE-së mund të ketë momente tensioni, por nëse shfaqen tensione në nivelin tregtar atëherë BE-ja do të jetë e gatshme që të reagojë”, - tha ajo.

Tregtia dypalëshe SHBA-BE përfaqëson më shumë se 40% të PBB-së globale dhe pritet të ketë ndikim në ekonomi, praktikisht në çmimet e produkteve në rast se dy vendet vendosin tarifa shtesë.

Presidenti i zgjedhur i SHBA-ve nuk e ka fshehur gatishmërinë e tij për të rivendosur tarifat prej 10% deri në 20% për të gjitha mallrat që hyjnë në SHBA.