
Dorëshkrimet e Kadaresë (Foto ATSH)
Në kuadër të kremtimit të Ditëve të Alfabetit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH), ka prezantuar ekspozitën me dorëshkrimet e Ismail Kadaresë.
Në këtë aktivitet të zhvilluar në sallën “Kongresi i drejtshkrimit” ishin të pranishëm zëvendësministrja e Transportit në Maqedoninë e Veriut, Kaltrina Zekolli Shaqiri, drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, drejtuesi i ITSHKSH-së, Skënder Asani, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, shkrimtarë dhe dashamirës të shumtë të veprës së Kadaresë.
Në fjalën përshëndetëse, Asani u shpreh se kjo ekspozitë është produkt i një angazhimi ndërinstitucional, që ka për qëllim nxjerrjen në pah të veprimtarisë së Kadaresë, në këtë përvjetor me rëndësi për kombin, shkruan “ATSH”.
Drejtori i përgjithshëm i DPA-së nënvizoi se përmes penës së Kadaresë shpaloset një portret i identitetit kombëtar, që sikurse u dëshmua në Kongresin e Manastirit është i pajtueshëm me vlerat europiane.
Mes dokumenteve të ekspozuara, gjenden fragmente nga romani i parë i pabotuar i Kadaresë, “Tri shokët”, shkruar në moshën 11-vjeçare, si edhe gjurmët e vokacionit të tij për letërsinë ndikuar nga vepra shekspiriane, nëpërmjet dorëshkrimit të sprovës letrare “Hamleti, princi i vështirë”. Pjesë e ekspozitës janë po ashtu dorëshkrimi i romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, dorëshkrimet e romaneve më të lakuara dhe polemike, “Dimri i vetmisë së madhe”, “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” dhe “Përbindëshi”.
