Shqipëria anëtarësohet në SEPA, Sejko: Ulja e kostove, përfitimi i parë për qytetarët
2024-11-23 13:53:31

Guvernatori Gent Sejko (Foto RTSH)

Guvernatori Gent Sejko (Foto RTSH)

Bordi i Këshillit Europian të Pagesave miratoi kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Tregun Unik të Pagesave në Euro (SEPA) dhe nga 21 nëntori, Shqipëria është zyrtarisht anëtare e SEPA-s. 

Shqipëria bën pjesë në grupin e parë të vendeve të Ballkanit Perëndimor që i bashkohet SEPA-s, si një parakusht për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, bën të ditur “RTSH”.

Lajmi është vlerësuar edhe nga Banka e Shqipërisë, e cila shprehet se me këtë anëtarësim përmbushet me sukses një ndër ambiciet kryesore të saj në kuadër të procesit të integrimit europian.

“Pjesëmarrja e Shqipërisë në zonën gjeografike të SEPA-s shënon një moment historik për Shqipërinë, duke reflektuar vite të tëra përpjekjesh të përkushtuara dhe angazhim të palëkundur nga institucionet, sektori financiar dhe partnerët vendas për t’u përafruar me standardet dhe parimet europiane. Përfshirja në SEPA do të ndikojë në zhvillimin financiar dhe ekonomik të Shqipërisë, duke kontribuar në integrimin e saj të mëtejshëm me tregun e BE-së”, - deklaroi guvernatori i BSH-së, Gent Sejko, nëpërmjet një mesazhi video.

Përfitimet e Shqipërisë nga pjesëmarrja në SEPA për qytetarët dhe ekonominë janë të shumëfishta. Ulja e kostove është përfitimi i parë, më i prekshëm dhe i matshëm për të gjithë qytetarët dhe bizneset shqiptare.

Përmes SEPA-s, qytetarët dhe bizneset shqiptare do të kryejnë pagesa dhe transferta ndërkufitare sikur të ishin qytetarë të Bashkimit Europian.