
Kreu i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi (Foto RTSH)
Fjalori i madh i Gjuhës Shqipe u prezantua nga Akademia e Shkencave, në ditën e dytë të Kuvendit Kombëtar për Gjuhën Shqipe.
Kreu i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, tha se për hartimin e këtij fjalori punuan 25 hartues dhe 55 bashkautorë. Gjinushi bëri me dije se po ashtu u krijua edhe një bazë të dhënash elektronike me një fond prej 800 milionë njësish, në të cilat u përfshinë fjalorët e mëparshëm, si dhe veprat e autorëve më në zë shqiptarë, citon “RTSH”.
“Për të hartuar këtë vepër u ngrit një grup i përbërë nga 25 hartues, 55 bashkautorë të drejtuar nga një redaksi prej 10 leksikografësh e në ndihmë të saj u krijua një qendër e posaçme, ajo e Botimeve Enciklopedike dhe Albanologjike, tashmë e kthyer në qendër të përhershme.
Pra, u ngrit një trupë e krahasueshme me dy institute, sepse Instituti i Gjuhës dhe i Letërsisë ka sot 21 punonjës kërkimorë-shkencorë”,- tha ai.
Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, e konsideroi Fjalorin e madh të Gjuhës Shqipe si një mburojë për ruajtjen e pastërtisë dhe pasurisë së gjuhës.
“Me rreth 120 mijë fjalë, ky fjalor përfaqëson një arkiv të gjallë të trashëgimisë sonë gjuhësore dhe një mjet të fuqishëm për studiuesit, nxënësit dhe çdo përdorues të gjuhës shqipe. Në një kohë kur globalizmi dhe dixhitalizmi ndikojnë thellësisht në kulturat dhe gjuhët e botës, ky fjalor është një mburojë për ruajtjen e pastërtisë dhe pasurisë së gjuhës shqipe. Ky fjalor ruan dhe zhvillon atë që rilindësit e quajtën fjala e lirë shqiptare”, -theksoi ministrja.
