Klarinetisti Marsel Muzikanti në rrugën e të madhit Laver Bariu
2024-11-23 10:15:19

Marsel Muzikanti me grupin gjate nje eventi (Foto persponale)

Marsel Muzikanti me grupin gjate nje eventi (Foto persponale)

Marsel Muzikanti është klarinetist i njohur nga Bilishti. Ai që në moshën 9 vjeçare ka qenë i pasionuar pas këtij instrumenti dhe ka studiuar në Liceun Artistik të Korçës. Marseli ka realizuar mjaft instrumentale popullore me motive të krahinës së tij dhe jugut të Shqipërisë, duke u vlerësuar për profesionalizmin e tij dhe ruajtjen e traditës së muzikës popullore. Para pak kohësh ai është vlerësuar në festivalin ballkanik të klarinetës “Laver Bariu” ku morën pjesë 12 klarinetistë nga Shqipëria, Greqia dhe Maqedonia e Veriut, të shoqëruar nga muzikantë të veglave të tjra muzikore. Gjithashtu Marseli ka bashkëpunuar me mjaft këngëtarë të njohur të muzikës popullore, si dhe ka marrë pjesë në aktivitete e festivale të folkut brenda dhe jashtë vendit. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për pasionin e tij për këtë instrument, aktivitetet ku ka marrë pjesë dhe projektet në vazhdim.

CMG: Si kanë qenë fillimet e tua  si instrumentist i muzikës popullore?

Marsel Muzikanti: Unë kam qenë 9 vjeç kur kam nisur të studioj instrumentin e klarinetës. Në atë kohë kisha një klarinetë shumë të çuditëshme, që nuk më mësonte dot asnjë sepse nuk e njihnin klarinetën në krahinën tonë. Ishte shumë e ngjashme me klarinetën e Remzi Lelës, Çobanit dhe ishte shumë e vështirë të më ndihmonte një klarinetist. Kështu që e shita atë klarinetë, dhe më vonë fillova të studioj me një klarinetist nga Bilishti, punonjës i pallatit të kulturës, Gani Mullamake, i cili më ka ndihmuar shumë. Më vonë studiova në Liceun Artistik të Korçës, ku mora formim për instrumentin. Pastaj vazhdova dhe me sazet e Devollit, me orkestrinën e ansamblit të Devolit.

Marsel Muzikanti gjate nje festivali (Foto personale)

Marsel Muzikanti gjate nje festivali (Foto personale)

CMG: Pse zgjodhe si instrument klarinetën?

Marsel Muzikanti: Babai im kishte një xhaxha që ishte prodhues i instrumentave popullore në Tiranë  dhe rastësisht ndodhesha aty me babain, ku po shikoja një klarinetë dhe e pyeta xhaxhain se çfarë ishte ajo. Ai më tha se do ma falte atë klarinetë, duke më thënë që të vazhdoja të studioja. Kështu, që prej asaj kohe më pëlqeu instrumenti klarinetës dhe vazhdova ta studioj.

CMG: Sa kohë i kushton këtij instrumenti në ditë?

Marsel Muzikanti: Varet, një, dy ose tre orë, por ka disa ditë që nuk studioj fare. Kjo varet nga axhenda që kam, por dy-tre orë duhet t’i kushtohem patjetër në ditë.

Marsel Muzikanti me grupin muzikor (Foto personale)

Marsel Muzikanti me grupin muzikor (Foto personale)

CMG: E ndjen konkurrencën midis klarinetistëve të tjerë në tregun muzikor?

Marsel Muzikanti: Normal që në tregun muzikor ka shumë klarinetistë të mirë.

CMG: Për ty është më e vështirë të luash një kaba apo instrumentale të gëzueshme popullore?

Marsel Muzikanti: Për mua nuk është e vështirë të luaj çdolloj pjese, por kabaja ka tinguj dhe nota që dalin nga shpirti për ta luajtur. Kjo është e veçanta e kabasë. Është diçka që nuk shkruhet në pentagram, por mund ta luash ashtu si të vjen për momentin.

CMG: Në kanalin e YouTube  ke publikuar disa valle dhe instrumentale popullore. Ku i ke realizuar këto materiale muzikore?

Marsel Muzikanti: Këto materiale muzikore janë realizuar nëpër koncerte, festivale kombëtare dhe ndërkombëtare. Patjetër që vallet dhe instrumentalet e krahinës tonë kudo që jemi përfaqësuar jemi vlerësuar me çmime të para. Këto instrumentale janë shumë të pëlqyera nga publiku.

Marsel Muzikanti me kengetarin Endri Fifo (Foto personale)

Marsel Muzikanti me kengetarin Endri Fifo (Foto personale)

CMG: Me cilët këngëtarë ke bashkëpunuar nëpër koncerte apo evente të tjera muzikore?

Marsel Muzikanti: Nëpër festivalet që kemi përfaqësuar Devollin kam punuar me Ana Gocen, këngëtare shumë cilësore. Gjithashtu kam bashkëpunuar me këngëtarët Endri Fifo dhe Ergi Agollin, të krahinës tonë. Nëpër evente kam punuar pothuajse me të gjithë këngëtarët e Shqipërisë.

CMG: Si je ndjerë si instrumentist në bashkëpunim me këta këngëtarë?

Marsel Muzikanti: Bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë, sidomos me këngëtaret popullore Vojsava Aliaj, Nertila Vreto dhe  të tjerë.

Marsel Muzikanti ne festivalin ballkanik te klarinetes (Foto personale)

Marsel Muzikanti ne festivalin ballkanik te klarinetes (Foto personale)

CMG: Përveçse në instrumentin e klarinetës, luan dhe në atë të saksit. Sa i domosdoshëm është saksi në muzikën tonë popullore?

Marsel Muzikanti: Saksi  nuk është shumë i domosdoshëm, por unë më tepër këtë instrument e kam përdorur nëpër gëzimet familjare. Ky instrument nuk është shumë i domosdoshëm në vallet tona popullore.

CMG: Kush të ka mbështetur më shumë në rrugën e muzikës?

Marsel Muzikanti: Më ka mbështetur i ndjeri Gani Mullamake, që ka qenë atëhere klarinetist i pallatit të kulturës, ku unë punoj sot. Gjithashtu mjeshtri i muzikës Andrea Bardhi që ka qenë instrumentist i qendrës kulturore të fëmijëve. Aleks Xhelili më ka mbështetur kur studioja në liceun artistik të Korçës, ku me të kam studiuar për katër vite klarinetën.

Marseli ne festivalin folklorik (Foto personale)

Marseli ne festivalin folklorik (Foto personale)

CMG: Je cilësuar si Laver Bariu i ri në Festivalin Ballkanik të Klarinetës. Si ndjehesh me këtë vlerësim?

Marsel Muzikanti: Normal që ndjehem i priviligjuar, edhe pse ishte një konkurs shumë i fortë, ku morën pjesë 12 klarinetistë nga vendet e Ballkanit. Ndjehem shumë mirë sepse dhe nëpër rrugët e qytetit të gjithë më thërrasin Laver.

CMG: Cilat janë projektet muzikore në këtë fundviti?

Marsel Muzikanti: Në fund të nëntorit do të organizohet “Devolli në saze”, dhe në 2 dhejtor kam një festival, që bëhet konkurimi në nivel qarku. Kam shumë ftesa në evente të ndryshme, por këto dy aktivitete që përmenda dua t’i bëj patjetër.

Marseli ne moshe te vogel (Foto personale)

Marseli ne moshe te vogel (Foto personale)

CMG: Ke qenë pjesëmarrës ndonjëherë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës?

Marsel Muzikanti: Kam qenë pjesëmarrës vjet në festivalin folklorik, ku kam patur një emocion shumë të madh sepse në atë festival marrin pjeë qindra artistë dhe instrumentistë shumë cilësorë. Jam ndjerë vëtetë mirë që isha pjesë e atij festivali.

CMG: Si je ndjerë kur je veshur me kostumin popullor të krahinës?

Marsel Muzikanti: Kostumin popullor e kam veshur që në moshën 13 vjeçare, dhe në çdo festival vishem me kostum popullor sepse tregojmë veshjen e krahinës tonë.

Intervistoi: Gazmend Agaj