Shqipëria në SEPA, Rama: Hap i madh në rrugën drejt BE-së
2024-11-23 13:54:24

Kryeministri Edi Rama (Foto RTSH)

Kryeministri Edi Rama (Foto RTSH)

Një hap të madh në rrugën drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian e quajti kryeministri Edi Rama  pranimin e Shqipërisë në Sistemin Unik Europian të Pagesave (SEPA).

“Shqipëria u bë sot pjesë e sistemit unik europian të pagesave, që do të thotë se të gjitha dërgesat e parave të shqiptarëve nga Europa në Shqipëri apo anasjelltas nuk do të kenë më kosto financiare duke nisur nga 1 janari 2025”,- shkroi Rama në mesazhin e tij në rrjetin “X”, citon “RTSH”.

Më herët, Komisioni Europian përgëzoi Shqipërinë dhe Malin e Zi si dy vendet e para kandidate për anëtare në historinë e BE-së që i bashkohen SEPA-s pas marrjes së dritës jeshile nga Këshilli Europian i Pagesave (EPC).

Sipas KE-së, kjo tregon se Plani i Rritjes apo nisma për të përshpejtuar integrimin socio-ekonomik të Ballkanit Perëndimor në BE po funksionon, përmes aksesit progresiv në zona të caktuara të tregut të përbashkët të BE-së dhe përafrimit të legjislacioneve me atë europian.