
Presidenti Begaj me nxënës (Foto ATSH)
Në 116-vjetorin e Kongresit të Manastirit, në nderim të dijetarëve shqiptarë që vendosën njësimin e alfabetit shqip, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, takoi fituesit e Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe, nxënës të shkollës “Rilindja” në qytetin e Kavajës, shkruan “ATSH”.
“Sot festojmë thesarin tonë më të çmuar, simbolin më të bukur të bashkimit kombëtar e qëndresës shqiptare: alfabetin e gjuhës shqipe. Dita Kombëtare e Alfabetit nuk është thjesht festa e shkronjave shqipe, por përkujtim i shekujve të qëndresës së gjuhës sonë në të shkuarën, mirënjohje për vlerat e saj në të tashmen dhe një zotim për ta çmuar e iu dedikuar në të ardhmen”, – theksoi presidenti.
Begaj i përgëzoi nxënësit për përpjekjen dhe paraqitjen dinjitoze që, siç u shpreh ai, na bën të besojmë se e ardhmja do të jetë shumë herë më e mirë.
Kreu i Shtetit shprehu besimin se ky konkurs kombëtar të kthehet në një traditë të përvitshme.
