OSBE, trajnim punonjësve të burgjeve për standardet e të drejtave të njeriut
2024-11-23 14:26:39

Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Michel Tarran dhe drejtori i Burgjeve Klevis Qose (Foto ATSH)

Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Michel Tarran dhe drejtori i Burgjeve Klevis Qose (Foto ATSH)

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, organizoi një seminar trajnimi për 35 punonjës të lartë të burgjeve. Fokusi ishte te Rregullat e Nelson Mandelës, standardet e rishikuara të OKB-së për trajtimin e të burgosurve, të cilat synojnë të mbrojnë të drejtat e personave të privuar nga liria, duke përfshirë mbrojtjen nga tortura dhe keqtrajtimi, shkruan “ATSH”.

Rregullat e Nelson Mandelës konsiderohen si një kornizë thelbësore ndërkombëtare për menaxhimin e burgjeve, të quajtura kështu për nder të Nelson Mandelës, i cili kaloi 27 vjet në burg duke luftuar për të drejtat e njeriut. Trajnimi, i mbështetur në një manual të ri të hartuar nga OSBE/ODIHR-i, u dha pjesëmarrësve njohuritë dhe mjetet praktike të nevojshme për zbatimin e këtyre rregullave në punën e tyre të përditshme.

“Në përputhje me angazhimet e OSBE-së, të gjithë personat e privuar nga liria duhet të trajtohen me respekt për dinjitetin e tyre njerëzor, sipas standardeve ndërkombëtare. Trajtimi i shkelësve të ligjit nga autoritetet gjyqësore është një provë vendimtare për çdo shoqëri”,- tha kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Michel Tarran, në hapje të veprimtarisë.

“Qëllimi i vërtetë i burgjeve nuk është ndëshkimi, por rehabilitimi dhe riintegrimi i individëve në shoqëri, duke u dhënë atyre një shans të dytë për të jetuar me dinjitet dhe përgjegjësi. Falënderoj ambasadorin e OSBE-së dhe gjithë stafin për angazhimin dhe mbështetjen e dhënë në këtë projekt. Kontributi juaj është një shembull i qartë i përkushtimit për përmirësimin e jetës dhe ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të integruar”,- tha drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose.

Trajnimi mbuloi një sërë temash, nga të kuptuarit e parimeve thelbësore të Rregullave të Nelson Mandelës deri tek ushtrimet praktike që synojnë përmirësimin e aftësive si komunikimi, ndjeshmëria dhe toleranca në mjedisin e burgut.