Marrëveshje bashkëpunimi për zgjerimin e shërbimeve financiare digjitale në Shqipëri
2024-11-23 14:27:46

Nënshkrimi i marrëveshjes (Foto ATSH)

Nënshkrimi i marrëveshjes (Foto ATSH)

Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC) anëtar i Grupit të Bankës Botërore dhe Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për të fuqizuar shërbimet financiare digjitale dhe zhvillimin e fintech në Shqipëri.

Marrëveshja u nënshkruan në Tiranë nga presidenti i Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB), Bledar Shella dhe Nicolas Marquier, menaxheri Rajonal për Ballkanin Perëndimor i Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC).

Ky bashkëpunim fokusohet në gjashtë fusha kryesore për të ndërtuar një sistem financiar më të fortë dhe më gjithëpërfshirës në Shqipëri.

Kjo marrëveshje pritet të ketë një ndikim transformues në sektorin financiar në Shqipëri duke zgjeruar qasjen në shërbime financiare digjitale dhe inovative; forcuar infrastrukturën për një treg të qëndrueshëm fintech dhe duke mundësuar sisteme kreditimi më të sigurta dhe më efikase që mbështesin si bizneset, ashtu edhe konsumatorët.

Nisma do të zgjasë deri më 31 dhjetor 2027 dhe pasqyron angazhimin e përbashkët për të mbështetur modernizimin e ekosistemit financiar të Shqipërisë dhe përafrimin e tij me standardet ndërkombëtare.