
Aeroporti Paris (Foto Panorama)
Reshjet e dendura të dëborës kanë prekur Francën duke shkaktuar vonesa të mëdha në aeroportin e Parisit “Charles de Gaulle”, ku autoritetet u kanë kërkuar kompanive ajrore të anulojnë 10% të fluturimeve të tyre.
Vonesa u shkaktuan edhe në aeroportin e afërt të Bourget, i cili operon me avionët e biznesit, sipas mbikëqyrësit të trafikut ajror “Eurocontrol”, shkruan “Panorama”. Shërbimi kombëtar meteorologjik në Francë ka vendosur rajonin e madh të Parisit nën një alarm portokalli moti për reshje të dendura dëbore dhe ngrica. Gjatë dy ditëve në vijim pritet të bjerë rreth një deri në tre centimetra borë në qytet.
Grupi i transportit publik RATP ka paralajmëruar për ndërprerje të mundshme në shërbimet e tij të transportit.
