Ana Bushgjokaj fituese e çmimit të parë në festivalin Luleborë (Foto nga isntagrami) - Copy
Ermal Demiri fitues i cmimit te dyte Ana Bushgjokaj fituese e çmimit të parë në festivalin Luleborë (Foto nga isntagrami) - Copy
Është realizuar me sukses gjatë muajit nëntor edicioni i 9-të i festivalit ‘Luleborë’ në qytetin e Shkodrës. Fituese e çmimit të parë është këngëtarja Ana Bushgjokaj, e cila dhimbjen e humbjes e ka kthyer në këngë. Me titullin ‘Nuk lulëzon pa Zot’, balada i është dedikuar një personi zemre që nuk jeton më, e kënduar nga Ana Bushgjokaj, e cila ka fituar trofeun e festivalit ‘Luleborë’. Kjo është hera e dytë që artistja shkodrane fiton çmimin e parë, pas atij të vitit 2022 me këngën ‘Zemra kërkon Zemrën’. Këngëtarja Bushgjokaj, e emocionuar është shprehur për mediat pas fitores së çmimit; “Një person shumë i dashur për familjen tonë dhe humbja është shumë e rëndë. Faktikisht këtë dhimbje e ktheva në këngë dhe jam falënderuese që e shpalla këtu. Nuk e prisja që mund të ndodhte për herë të dytë”, është shprehur këngëtarja fituese Ana Bushgjokaj. Në teatrin “Migjeni” në Shkodër u ngjitën në skenë për të garuar për çmimin e parë 15 artistë. Çmimin e dytë të Festivalit e mori Ermal Demiri nga Kosova me këngën “Me mujt”, ndërsa çmimin e tretë, Ea Zoga me këngën “Të ngjashëm”. Artisti Artan Bakija nga Gjakova u vlerësua nga juria e festivalit me Çmimin “Simon Gjoni” me këngën “Zëri i dashurisë” , një çmim mjaft i rëndësishëm për karrierën e tij artistike. Në intervistë për Radio Ejani, Artan Bakija rrëfen fitore e këtij çmimi, por mbi të gjitha edhe rëndësinë e pjesëmarrjes në këtë festival.
CMG: Sapo je ndarë me çmimin më të ri në Festivalin "Luleborë" në edicionin e tij të nëntë. Çfarë domethënie ka për ty çmimi "Simon Gjoni"?
Artan Bakija: Po është e vërtetë është një çmim shumë i rëndësishëm, një çmim që vjen pas një viti mjaft të suksesshëm. Ndjehem i nderuar për vlerësimin që kam marrë në Festivalin “Luleborë”, i cili tashmë në vitin e tij të nëntë, mund ta quajmë ndër festivalet më të konsoliduara të muzikës shqiptare. Është një festival ku vlerat e mirëfillta kanë gjetur vendin dhe ku krijuesit sjellin materiale të bukura dhe unike. Mund të them se është një ndër çmimet më të rëndësishme në karrierën time për vetë faktin që mban emrin e një prej kompozitorëve më të mëdhenj të muzikës shqiptare, krijuesit të këngës së famshme “Luleborë”, e cila ka kapërcyer çdo kufi muzikor dhe ka qenë një nga këngët më të popullarizuara në vitet ’60-të. Është një çmim që vjen mes një konkurrence të fortë me shumë artistë të nderuar, një vlerë e shtuar në karrierën time.CMG: Çfarë të veçante kishte këtë vit festivali dhe si ishte gara e këtij edicioni?
Artan Bakija: E veçanta këtë vit ishte krijimtaria, orkestra dhe orkestracionet. Tri komponentët mjaft të rëndësishëm, shtyllat kryesore mbi të cilat ndërtohet një festival. Këngë të mrekullueshme, orkestër shumë e mirë, orkestrime mjaft të mira. Falenderoj Shpëtim Saraçin që vijën melodike e ka ngritur në një nivel tjetër dhe i dha një frymë dhe formë siç dinë vetëm mjeshtrit e vërtetë. Gjtihashtu falenderoj edhe dirigjintin e festivalit, mjeshtrim Jetmir Barbullushi, i cili ka punuar me një orkestër simfonike, por edhe një orkestër moderne, një kombimin i jashtëzakonshëm, që i dhanë një sharm dhe një vlerë të jashtëzakonshme festivalit të këtij viti “Luleborë”.
CMG: Ke qenë disa herë pjesëmarrës në këtë festival. Çfarë rëndësie ka ky festival për karrierën tënde artistike?
Artan Bakija: Është viti i katërt që marr pjesë në këtë festival nga ku kam marrë dy shpërblime, një herë vendin e dytë dhe këtë vit “Simon Gjoni”. Është një festival që do e quaja “arenë titanësh”, ku unë si kantautor jam në garë me mjeshtra të mëdhenj të muzikës shqiptare, e cila më bën për të punuar më tepër.
CMG: Në çdo festival ku ke marrë pjesë je ndarë me çmime, por mungon vetëm çmimi i parë...
Artan Bakija fitues i çmimit Simon Gjoni (Foto nga isntagrami) - Copy
Artan Bakija: Unë i takoj grupit të artistëve që prioritet kanë vlerat, këngën dhe muzikën, por nuk është kusht që në një festival të marrësh çmim, e rëndësishme është ekzistenca e vetë festivaleve.
CMG: Sa ka arritur numri i kupave të fituara deri tani?
Artan Bakija: Janë të shumta çmimet, por mund të them se në Kosovë jam artisti që kam më tepër çmime në karrierën artistike.
CMG: Ta uroj me zemër fitoren e çmimit të parë sepse e meriton vërtetë një artist si ty! Suksese!
Artan Bakija: Faleminderit Radio Ejani që na mbani një linjë me dëgjuesit tuaj, me të gjitha sukseset tona. Vazhdoni kështu sepse jeni unikë dhe kjo ju bën të padiskutueshëm, në këtë treg mediatik. Por gjërat e vërteta jetojnë dhe përkundrejtë vështirësive, do të mbeten përherë vlera.
-Festivali “Luleborë” tregoi edhe në këtë edicion se mbetet një vlerë e shtuar në traditën muzikore të Shkodrës. Drejtori Artistik i këtij festivali Markelian Kapidani është shprehur për mediat pas festivalit se: “Rezultati ka qenë i mirë, po ne nuk kënaqemi. Normalisht kërkojnë staf më shumë, financim më të madh shpresojmë që ta kemi sepse Shkodra e meriton. Ne promovojmë këngën e re, këngën e sotme, edhe me influenca të vendit tonë, por edhe me standarde të reja për emancipimin e muzikës. Nga festivali po dalin këngë të mira, çështja është se sa publicitet i bëhet festivalit, dhe këtë duhet ta rregullojmë, për t’i reklamuar”
Festivali i këngës “Luleborë” është një ngjarje e rëndësishme kulturore në qytetin e Shkodrës, i cili promovon muzikën dhe krijimtarinë shqiptare. Ky festival organizohet nga Bashkia Shkodër me synimin për të ruajtur dhe zhvilluar traditën muzikore të qytetit, duke nxitur një nivel të lartë artistik në interpretimin e këngëve. “Luleborë” e ka rritur çdo vit e më tepër nivelin artistik dhe profesionalizmin. Në këtë festival të gjithë artistët interpretojnë "live," duke i dhënë përparësi talentit dhe krijimtarisë së artistëve. Kjo gjë përcjell mjaft emocione për publikun, por gjithashtu vendos standarde të larta për muzikantët dhe tekstshkruesit, ku çdo pjesëmarrës shqyrtohet nga një grup profesionistësh të produksionit, të cilët përzgjedhin me kujdes këngët konkurruese bazuar në një seri kriteresh artistike dhe teknike.
Festivali “Luleborë” është një ngjarje që shënon një pasuri të madhe kulturore për qytetin e Shkodrës, por jo vetëm. Drejtori artistik i festivalit, Markelian Kapidani ka garantuar që festivali do vazhdojë të rritet dhe të mbetet një platformë për promovimin e muzikës dhe kulturës shqiptare, si dhe të ndikojë në emancipimin muzikor të vendit, duke promovuar këngët e reja dhe bashkëkohore, të cilat përmbajnë elemente të kulturës shqiptare, por gjithashtu synojnë të plotësojnë standardet ndërkombëtare të muzikës. Festivali i Këngës “Luleborë” tashmë është kthyer në një traditë të rëndësishme në Shkodër, duke krijuar një platformë për artistët e rinj dhe krijuesit muzikorë, duke afirmuar edhe një herë Shkodrën si “Djepin e kulturës” në Shqipëri.
Intervistoi: Sava Lena