Foto nga VCG
Në muzeun Inka në Cuzco, të Perusë vizitorët priten nga një ballafaqim magjepsës i thesareve kulturore, me pemë gjigante prej bronzi, maska ari dhe zbukurime nga mbretëria e lashtë Shu e Kinës, të ekspozuara së bashku me relikte nga qytetërimi i lashtë peruan Inka.
Ekspozita “Drita e diellit: Një dialog midis qytetërimeve të lashta Shu dhe Inka” vë në pah ngjashmëritë intriguese midis këtyre dy kulturave të dallueshme, të cilat të dyja nderonin diellin dhe arin. Kopjet e artefakteve kineze dhe imitimet e printuara në 3D që janë ekspozuar janë huazuar nga muzeu i sitit Jinsha në Chengdu, provinca Sichuan dhe muzeu Sanxingdui në Guanghan, Sichuan.
Ekspozita mund të shërbejë si një dritare në trashëgiminë kulturore të Kinës dhe mund të thellojë shkëmbimet dhe mirëkuptimin e ndërsjellë midis Kinës dhe Perusë, tha Mohenir Julinho Zapata, drejtori i muzeut Inka.
Zapata shtoi se ekspozita do të forcojë miqësinë dhe shkëmbimet midis Kinës dhe Perusë dhe do të krijojë mundësi për komunikim dhe dialog afatgjatë.
Kjo nuk është përvoja e parë e peruanëve me kulturën e lashtë të Kinës.
Në vitin 2016, për të festuar 45-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Kinë-Peru, një shfaqje me më shumë se 100 ekspozita nga muzetë në të gjithë Kinën u hap në Muzeun Kombëtar të Arkeologjisë, Antropologjisë dhe Historisë së Perusë në Lima.
Ivan Ghezzi, i cili në atë kohë ishte drejtor i muzeut të Limës, tha: "Ishte ngjarja kulturore e atij viti në Lima. Mijëra njerëz nga Lima dhe provincat e tjera të Perusë, vizituan aktivitetin. Ata vlerësuan artefaktet që njihnin vetëm nga librat dhe fotot”.
Ghezzi tha se megjithëse Kina dhe Peruja po afrohen më shumë në fushat e investimeve dhe tregtisë, shkëmbimet e shpeshta kulturore i kanë ndihmuar peruanët të kuptojnë se historia e tyre dhe lidhjet kulturore janë edhe më të thella se lidhjet ekonomike dhe politike.
Në vitet e fundit, shumë muze të rëndësishëm në Kinë kanë pritur gjithashtu ekspozita me relikte nga Peruja, duke prezantuar para audiencës kineze qytetërimet e Andeve, një seri shoqërish komplekse që u zhvilluan në rajonin e Andeve të Amerikës së Jugut dhe u shtrinë nga malësitë veriore të Perusë deri në Kilin verior dhe Argjentinë.
Andres Alvarez Calderon, president i muzeut Larco në Lima, tha se 24 nga ekspozitat e tij, duke përfshirë qeramikë, objekte ari dhe tekstile, u shfaqën në Kinë përmes një ekspozite të përbashkët që përfshiu 11 muze peruanë në vitin 2021. Ekspozita vizitoi pesë qytete të mëdha në Kinë, duke përfshirë Pekinin, Tianjin (Tianxhin) dhe Chongqing, dhe u prit ngrohtë nga vizitorët kinezë.
Calderon tha se Peruja, si Kina, Egjipti, Mesopotamia, India dhe Meksika, ishte një djep qytetërimi dhe këta popuj formuan bazën e qytetërimit modern më shumë se 5000 vjet më parë.
"Në aspektin historik, ne kemi shumë të përbashkëta dhe ka shumë shembuj të simbolizmit kinez që përkojnë me shoqëritë bujqësore që u zhvilluan në tokat tona: simbolet e zogjve që përfaqësojnë botën lart, gjarpërinjtë që përfaqësojnë botën e nëndheshme dhe macet që përfaqësojnë botën tokësore”,- tha ai.
Sipas Calderon, numri i vizitorëve kinezë në muzeun Larco, megjithëse ende jo shumë i rëndësishëm, po rritet çdo vit, me shumicën e tyre shumë të interesuar për artefaktet e arit.
Një koleksionist dhe arkeolog i pasionuar, Calderon është gjithashtu i magjepsur nga reliktet nga Kina e lashtë, veçanërisht ato nga dinastia Han, sendet dekorative të të cilave, në sytë e tij, janë të ngjashme me ato të epokës formuese të Perusë, që lulëzoi rreth 3200 vjet më parë.
"Marrëdhënia midis Perusë dhe Kinës bëhet më e gjerë dhe më e fortë dita-ditës. Mendoj se komponenti historik është thelbësor për të kuptuar se ne, si qenie njerëzore, kemi një rrënjë të përbashkët, një histori shumë të ngjashme dhe se këto karakteristika duhet të na bashkojnë për të forcuar marrëdhëniet tona aktuale”,- tha ai.
Një ekspozitë tjetër që përfshin 14 muze peruanë dhe 168 artefakte është shfaqur në Kinë, duke fituar popullaritet të madh.
Nga janari deri në prill, ekspozita u mbajt në muzeun e sitit Jinsha në Chengdu, Sichuan dhe tërhoqi më shumë se 600,000 vizitorë. Ata përjetuan qytetërimin Inka, i cili ishte i përqendruar në atë që tani është Peruja dhe lulëzoi nga fillimi i shekullit të 13-të deri në pushtimin spanjoll në shekullin e 16-të.
Më 19 prill, ekspozita u zhvendos në muzeun Nanshan në Shenzhen, provincën Guangdong. Ajo përmbante një gamë të larmishme artefaktesh, duke përfshirë vegla prej kocke, punime metalike, objekte guri, qeramikë, punime druri, tekstile, piktura dhe mumie.
Fillimisht e planifikuar të mbyllej në gusht, ekspozita u zgjat deri në tetor për shkak të kërkesës popullore, duke tërhequr rreth 400,000 vizitorë. Në krahasim, muzeu Nanshan regjistroi një total prej më shumë se 800,000 vizitorësh gjatë vitit të kaluar, tha Qi Xin, drejtori i muzeut.
"Isha mjaft i befasuar nga entuziazmi i publikut. Madje shumë fëmijë hulumtuan këtë qytetërim gjeografikisht të panjohur përpara se të vizitonin ekspozitën",- tha Qi.
Gjatë pushimeve verore, muzeu përjetoi një kulm të numrit të vizitorëve, me deri në 10,000 vizitorë në një ditë të vetme. Muzeu ishte i hapur shtatë ditë të javës dhe e zgjati orarin e mbylljes, nga ora 18:00 në 20:00.
Vizitorët mësuan nga ekspozita se disa ushqime të zakonshme, si patatet, vinin fillimisht nga Peruja dhe ata ishin shumë të interesuar për misterin e zhdukjes së qytetërimit Inka, tha Qi. Ata gjithashtu u impresionuan nga ngjyrat e gjalla të objekteve.
Më 25 korrik, kur presidentja peruane, Dina Ercilia Boluarte Zegarra, filloi një vizitë në Kinë, në Shenzhen ndalesa e saj e parë ishte muzeu Nanshan për të vizituar ekspozitën e artefakteve peruane.
"Si një muze qarku në Shenzhen, nuk e imagjinoja kurrë që ekspozita jonë do të tërhiqte presidenten e Perusë. Ajo theksoi vërtet rëndësinë e shkëmbimeve kulturore", - tha drejtori i muzeut.
Qi tha gjithashtu se ai besonte se vetëm nëpërmjet mësimit të ndërsjellë, njerëzit nga qytetërime të ndryshme mund të krijojnë një bazë më të mirë për komunikim dhe vizita në ekspozita është mënyrë efektive për të mësuar rreth kulturës së njëri-tjetrit.
"Për shumë kinezë, Peruja është e largët dhe jo destinacion kryesor, por nëse ata mund të mësojnë për kulturën peruane pikërisht në pragun e tyre, mund të inkurajohen që të udhëtojnë në këtë vend në të ardhmen",- tha ai. "Kjo është ajo që unë besoj se e bën ekspozitën tonë shumë kuptimplotë".