Zhvillimi pozitiv ekonomik në sektorin e bujqësisë është tashmë një fakt dhe trend i pakthyeshëm. Në 10 vitet e fundit, mbështetja e qeverisë dedikuar sektorit bujqësor dhe zhvillimit rural, ka bërë të mundur, të prekshëm dhe real zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit, si dhe ruajtjen e dinamikës pozitive progresive të tij.
Investimet në bujqësi deri tani kanë garantuar punësim, ekonomi shkalle, mirëqenie sociale dhe zgjerim të aktivitetit bujqësor. Sipas INSTAT, sipërfaqja e serrave për prodhimin e perimeve është rritur nga 1,243 ha në vitin 2015, në 2,116 ha në vitin 2023, ose 70 përqind më shumë. Po sipas INSTAT, eksportet për grupin e mallrave “ushqim, pije, duhan” në vitin 2015 ishin 21.1 miliardë lekë ose 211 milionë euro, ndërsa në vitin 2023 ishin 55,7 miliard lekë. Pra 557 milionë euro, ose 2,6 herë më shumë. Sipërfaqja ujitëse e rehabilituar nga 135 mijë ha në vitin 2015, ka arritur në rreth 265 mijë ha. Praktikisht ajo është dyfishuar, duke përfaqësuar sot rreth 75 përqind të sipërfaqes potencialisht të ujitshme për tokat bujqësore.
Agim Rrapaj në intervistë për CMG
Për 5-mujorin e parë të këtij viti, eksportet bujqësore në Shqipëri kanë shënuar një rritje të konsiderueshme dyshifrore prej 12 përqind. Ato kanë arritur në 182 mijë tonë, nga 163 mijë tonë vitin e kaluar, ose 19 mijë tonë më shumë.
Në projektbuxhetin e vitit 2025 për bujqësinë dhe zhvillimin rural, qeveria ka caktuar fonde me vlerë 15 miliardë lekë. Pra 150 milionë euro, ose 4 përqind më shumë se viti 2024.
Projektbuxheti 2025 do të mundësojë financimin e zhvillimit të qëndrueshëm të bujqësisë dhe forcimit të sigurisë ushqimore. Buxheti për vitin e ardhshëm financon 7 programe buxhetore. Vlen të theksohet ndër këto programe ai i zhvillimit rural, me 7.3 miliardë lekë të buxhetit fillestar në vitin 2025, ndër të cilat 4.4 miliardë lekë ose 44 milionë euro përbëjnë mbështetje të drejtpërdrejtë për fermerët.
Programi do të përfshijë pagesa direkte në blegtori dhe në fusha të tjera, skemën e naftës falas për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi, si dhe skemën e investimeve prioritare në ferma, e filluar që këtë vit, por që shtrihet dhe do të dyfishohet në fond gjatë vitit 2025.
Sigurisht, sfida e sektorit mbetet formalizimi i plotë i ekonomisë. Një sukses në këtë drejtim e përbën fakti që nga 4,000 fermerë te formalizuar përpara 10 vjetësh, sot kemi 97,000 fermerë të regjistruar me NIPT fermeri.
E megjithatë, kjo nuk është sfida kryesore e formalizimit të ekonomisë bujqesore dhe rurale. Struktura e fermës, madhësia e saj dhe transaksionet juridike që ndodhin në fermë dhe me të gjithë aktorët, janë sfidat kryesore të zinxhirit ekonomik, të cilat do të mundësojnë ekonomi shkalle, subvencione të adresuara për të nxitur ekonominë e shkallës, si dhe mekanizimin e bujqësisë, për të ulur koston dhe rritur produktivitetin.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është optimiste që deri në fund të vitit 2024, të 65 mijë fermerët e formalizuar, të cilët janë aplikantë të kualifikuar, do të përfitojnë të plotë skemën mbështetëse të subvencioneve shtetërore. Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar(KASH), Agim Rrapaj në intervisë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) komenton buxhetin e vitit 2025 për sektorin bujqësor
CMG: Sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, me Aktin Normativ të fundvitit, parashikohet që buxheti i bujqësisë dhe zhvillimit rural për skemat e mbështetjes të jetë 52 milionë euro dhe në vitin 2025 projektohet minimalisht 55 milionë euro për këto skema.
Agim Rrapaj: Mendoj se bujqësia dhe zhvillimi rural vazhdojnë të jenë sektorë të nënvlerësuar, bazuar kjo mbi nevojat aktuale dhe kushtet ku ne po kalojmë aktualisht.
Është programuar në buxhetin afatmesëm të shtetit një mbështetje për të dy sektorët, edhe për bujqësinë, edhe për zhvillimin rural në tërësi, duke mos pasur parasysh disa fenomene që na kanë ndodhur kohët e fundit.
Megjithëse u rishikua buxheti afatmesëm edhe këtë vit, nuk pati refleksionet që kërkonte situata. Kjo, sepse ka disa dukuri, që rëndojnë veprimtarinë ekonomike të sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural në përgjithësi.
Këto situata vijnë, si rezultat i çmimeve të larta, që u reflektuan tek kursi i këmbimit, i cili ndikon negativisht dhe pozitivisht. Kemi parë se kursi i këmbimit ndikon më shumë negativisht.
Situatat vijnë të vështira edhe nga konfliktet në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme.
Të gjitha këto bënë që të çekuilibrohen tregjet dhe shumë nga importuesit që kishin këto destinacione, po përpiqen tani të shkojnë në tregje më të vështira dhe më të shtrenjta.
Element tjetër janë ndryshimet klimatike, që ndikojnë negativisht tek fermerët. Nga ana tjetër, janë edhe politikat që ndjek Bashkimi Evropian në përgjithësi, sidomos sektori evropian i bujqësisë, që, për mendimin tonë si Këshill i Agrobiznesit (KASH), nuk janë në uniform, në mënyrë që ne të kemi mundësi të jemi konkurrues.
Shto këtu dhe faktin që, në nivel të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit (GDP-së), ne e financojmë sektorin vetëm me 6 përqind. Madje, në kuadër të shpenzimeve në raport me GDP, japim vetëm 2-2.1 përqind të totalit.
E gjitha kjo tregon se bujqësia tek ne nuk është në vëmendjen që meriton. Vendet e tjera në rajon shkojnë deri në 3.5 përqind të GDP-së, në totalin e shpenzimeve të tyre. Kjo bën që ne të themi tashmë që bujqësia është e nënfinancuar.
Për mbështetjen direkte për bujqësinë, që pyetët, këtu janë bërë hapa pozitivë. Është rritur numri i aplikuesve, është rritur numri i përfituesve. Kjo tregon që vazhdon të punohet dhe që bujqësia ka vëmendje. Vetëm duhet që kjo vëmendje të jetë ajo e duhura.
Ky sektor i rëndësishëm, ku ka njëkohësisht edhe një dëshirë dhe vullnet që gjithë ata që shpallen fitues, të përfitojnë, duke i hequr vijat kufizuese dhe përjashtuese, po merr gradualisht vëmendjen që meriton.
Bujqësia shqiptare (Foto ATSH)
Kjo na bën që t’i kërkojmë qeverisë t’i mbajë premtimet e saj dhe numri i kontribuesve të vijë gjithmonë duke u rritur. Kemi kërkesë për shtesë në totalin e shpenzimeve për bujqësinë dhe zhvillimin rural. Fondi i dhënë nuk është sipas nevojave që kërkon sot situata.
CMG: Qeveria duket e përqëndruar të nxisë bashkimin e fermerëve edhe për vitin 2025. Bën mirë?
Agim Rrapaj: Është qasja e duhur. Edhe Këshilli i Agrobiznesit, në një nga objektivat e vet madhorë ka koordinimin dhe kooperimin, pasi është rezerva më e madhe që ne kemi për të munduësuar një efiçiencë dhe produktivitet të lartë në të dy sektorët, edhe në bujqësi, edhe në zhvillimin rural në tërësi.
Kjo nuk është se ka patur deri më sot vëmendjen e duhur. Por qasja që Ministria ka në këtë drejtim dhe hapat që ka hedhur me financimin 30 përqind të grupeve dhe gjithë përfituesve, po kështu, rritja e interesit të aplikuesve në grup, të cilët përfitojnë të parët dhe përfitojnë 100%, si edhe rritja e numrit të grupimeve, janë hapa në drejtimin e duhur.
Vetëm në një thirrje, nga 7-8 grupime që kemi patur, sot kemi shkuar në 354 grupime. Kjo tregon edhe rezultatin e ndërgjegjësimit që po i bëhet sektorit privat nga ana jonë, që puna në grup është më dobiprurëse dhe përfitohet më shumë se sa individualisht.
CMG: Në fokus të buxhetit për vitin 2025 do të jenë edhe siguria ushqimore me 2.6 miliardë lekë ose 26 milionë euro, si dhe infrastruktura ujitje-kullim dhe mbrojtje nga përmbytjet, me një fond prej 2.9 miliardë lekësh. A mjaftojnë?
Agim Rrapaj: Janë dy nga objektivat që ndikojnë drejtpërdrejt. Siguria ushqimore ndikon tek cilësia dhe cilësia ndikon tek siguria ushqimore, kanë lidhje të drejtpërdrejtë.
Tek cilësia, ne kemi rezervat më të mëdha. Tek siguria ushqimore, ne kemi detyrimet më të mëdha, sepse po shkojmë në procesin e anëtarësimit dhe integrimit në BE. Edhe tregjet e huaja, ku ne kemi në prioritet eksportet, kërkojnë cilësi. Pra, ky është drejtimi i duhur.
Sigurisht që nuk janë fondet e mjaftueshme. Kërkohet rishikim, përsa i përket sigurisë ushqimore. Shifrat janë në zbritje, krahasuar me një 1 vit më parë. Duhet t’i rrisim këto shifra, në mënyrë që cilësinë ta vëmë në rolin që kërkon ky produkt.
Përsa i përket problemit tjetër, ujitjes dhe kullimit, kjo është e lidhur me rendimentin. Ky vetë është i lidhur me vlerën, me produktivitetin. Dhe këto bëjnë të mundur që të dy këta tregues, si cilësia dhe rendimenti, të jenë në qendër të vëmendjes. Pa këta tregues, nuk mund ta çojmë sektorin në objektivat që kërkojmë.
CMG: Prodhimi i ullirit duket i mbarë këtë vit. A do të kemi më shumë eksporte të vajit të ullirit ekstra të virgjër gjatë vitit 2025?
Agim Rrapaj: Shumë mirë që e bëni këtë pyetje, për arsye se janë të interesuar shumë nga fermerët që këshillojmë si KASH.
Janë të interesuar, sepse janë 112 mijë familje që merren me prodhimin e ullirit në Shqipëri. Ulliri është një ndër bimët shekullore dhe tradicionale, me të cilën ne kemi bërë të mundur që të rrisim konsumin brenda vendit.
Kemi shtuar numrin e plantacioneve me ullinj. Sot kemi 12 milionë rrënjë ullinj në shkallë vendi. Ne kemi rezerva të mëdha, por duhet thënë që kultivimi dhe eksportimi i ullirit dhe vajit ekstra të virgjër të tij, po pëson një rritje dhe ndërgjegjësim, që ne e kemi pritur prej kohësh.
Mund të përmend që ne shisnim vaj dyvjeçar të ndenjur, të papërpunuar siç duhet, pa mekanizuar proceset e tij. Sot jemi në tjetër situatë, mjaft të ndryshme dhe mjaft produktive. Kemi filluar të eksportojmë në vende të ndryshme të BE-së, të cilat kanë kërkesë shumë të lartë për cilësi.
Buxheti i shtetit i ndarë sipas sektorëve (Foto Euronews Albania)
Kemi filluar të eksportojmë dhe kemi dyfishuar çmimin e shitjes në tregjet e huaja, nga momenti që Këshilli i Agrobiznesit, në bashkëpunim edhe me donatorët dhe me qeverinë zviceriane, etj., bëri të mundur që të nisë procesi i ndërgjegjësimit dhe ballafaqimit, lidhur me rezervat që kemi, me cilësinë që kemi në vajin e ullirit, si dhe me procedurat që duhen ndjekur për të rritur cilësinë.
Sot ne kemi mundësinë që të ballafaqohemi dhe të prodhojmë vaj ulliri mjaft cilësor. Po ashtu, po arrijmë të ndërgjegjësojmë edhe ata aktorë që nuk kanë qenë të ndërgjegjësuar. Sot, nga vjelja individuale e ullirit, kemi kaluar në vjelje me grupe të specializuara, me ekspertë të krasitjes, të shërbimeve të specializuara të spërkatjes, etj.
Të gjitha këto kanë bërë që prodhimtaria të mos jetë vetëm me një sezonalitet që na ka shoqëruar vite më parë, duke patur parasysh që Shqipëria ka ullinj shekullorë, me ullirin e llojit Kalinjot, që zë 40 përqind të sipërfaqes. Pra, ne kemi rezerva të mëdha. Një vit më parë shkuam në 8000 tonë vaj eksport dhe arritëm të dyfishonim çmimin.
Tregu rajonal dhe ai shqiptar e pëlqen vajin tonë të ullirit ekstra të virgjër. Ai sot konkuron me vendet më të përparuara, që kanë vite dhe eksperincë të madhe në eksportin e këtij vaji. Ne jemi optimistë. Besojmë se do të rritet numri i rrënjëve të ullirit, do të rriten shërbimet ndaj tij dhe do të rritet edhe cilësia. Mendojmë se do të zvogëlohet edhe sezonaliteti.
Ne synojmë që vaji i ullirit të përdoret edhe për farmacitë dhe kozmetikën, pasi këta dy sektorë kanë çmim premium, shumë të lartë. Objektivi ynë është që, nëse çmimi aktual shkon tek 7-8 euro për litër, ai premium shkon 25 -30 euro për litër dhe ne duhet të prodhojmë vaj ulliri për sektorët e mësipërm.
Këtu, si KASH, po punojmë për të krijuar parcelat, të krijojmë know-how-n e duhur dhe ekspertizë, në mënyrë që të rrisim vlerën e kësaj bime shekullore dhe mjaft dobiprurëse për ne.
Intervistoi Fatos Çoçoli