
Foto RTSH
Rreth 800 të mitur deri në moshën 18-vjeç përfshihen çdo vit në vjedhje, trafikim, shpërndarje droge, drejtim i automjeteve pa leje drejtimi, kanosje, rrahje deri te përdorimi i armëve, bëhet e ditur nga të dhënat e marra nga Policia e Shtetit, cituar nga “RTSH”.
Sipas tyre, dokumentimi i përfshirjes së minorenëve në vepra të ndryshme penale i çon ata në dyert e komisariateve e gjykatave, por ka edhe raste të rënda, ku ata kryejnë akte që çojnë në humbjen e jetës së bashkëmoshatarëve të tyre.
Vetëm gjatë 12 muajve të fundit, në vend janë regjistruar më shumë se 3 raste ekstreme, ku të miturit kanë përdorur armët e ftohta apo mjete të tjera, me pasoja të rënda.
Në nëntor të vitit 2023 u vra në Gramsh Fatjon Bici 15 vjeç, nxënës i klasës së 9-të, i cili u godit me thikë në zemër, pasi u fut për të ndarë sherrin mes kushëririt të tij dhe disa bashkëmoshatarëve.
Në mars të këtij viti, u vra Aureljo Dervishi 18 vjeç, pas një sherri mes dy grupe të rinjsh në zonën e Shkozës në kryeqytet.
Më 18 nëntor, u vra në derën e shkollës “Fan Noli”, në Tiranë, Martin Cani 14 vjeç, pas debateve që kishin lindur në mjediset e shkollës.
Shtatë vite më parë, Parlamenti i Shqipërisë ka miratuar “Kodin e Drejtësisë Penale për të Miturit”, i cili synon të mbrojë të drejtat e të miturit në konflikt me ligjin si dhe të promovojë riintegrimin e tyre.
Por kjo duket se nuk ka ndikuar, duke qenë se vetë Ministria e Arsimit ka bërë të ditur më herët se gjatë vitit shkollor 2023-2024 janë shënuar 700 konflikte më pak se një vit më parë në institucionet arsimore në vend.
