
Pamje nga konferenca e shtypit të së premtes, Pekin, Kinë/VCG
Kina është e gatshme të zhvillojë dialog, të zgjerojë fushat e bashkëpunimit dhe të menaxhojë dallimet me Shtetet e Bashkuara, për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe të shëndetshëm të marrëdhënieve ekonomiko-tregtare dypalëshe, deklaroi të premten Wang Shouwen, përfaqësues i Tregtisë Ndërkombëtare dhe zv.Ministër i Tregtisë i Kinës.
Kjo do të bazohet mbi respektin e ndërsjellë, bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin me përfitime reciproke, tha Wang në një konferencë shtypi.
Ai gjithashtu shtoi se gjatë këtij procesi, Kina do të mbrojë me vendosmëri sovranitetin, sigurinë dhe interesat e zhvillimit të saj.
Ekonomitë kineze dhe amerikane janë shumë përplotësuese, tha Wang, duke theksuar rëndësinë kyçe të këtyre marrëdhënieve.

Foto nga VCG
Mbajtja e marrëdhënieve të balancuara, të shëndetshme dhe të qëndrueshme ekonomiko-tregtare, është në të mirën jo vetëm të dy popujve, por edhe atyre nga vendet e tjera të botës, tha ai, duke shtuar se kjo është në përputhje me pritshmëritë e bashkësisë ndërkombëtare.
Wang theksoi edhe kapacitetin e Kinës në trajtimin e goditjeve të jashtme, kryesisht për shkak të ekonomisë së saj elastike dhe të gjallë, që ka mundësi të mëdha. Kina po ndërton një model zhvillimi me "qarkullim të dyfishtë", i cili merr tregun e brendshëm si shtyllë, duke lejuar përforcimin reciprok të tregut vendas me atë ndërkombëtar, shtoi ai.
“Historia ka treguar se rritja e tarifave për mallrat kinezë, nuk mund të zgjidhë deficitin tregtar të vendit që shton tarifat. Në vend të saj, kjo do të çojë në çmime më të larta për produktet e importuara dhe do të shkaktojë inflacion, me barrën që përfundimisht bie mbi konsumatorët”, theksoi Wang.
