
foto VCG
Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN) lëshoi urdhër arreste për kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanjahu, ish-ministrin izraelit të Mbrojtjes, Joav Galant, dhe pjesëtarin e Hamasit, Mohamed Deif, nën akuzën për krime lufte.
Vendimi nënkupton që të tre personat rrezikojnë arrestimin nëse dalin nga vendi i tyre drejt një vendi tjetër ku respektohet juridiksioni i GJPN-së, shkruan “RTSH”.
“Urdhër arrestet u lëshuan për Benjamin Netanjahun dhe Joav Galant për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera të paktën nga 8 tetori 2023 deri më 20 maj 2024. Ka arsye të besohet se Galant dhe Netanjahu qëllimisht dhe me vetëdije i mohuan popullsisë civile të Gazës objekte të domosdoshme për mbijetesën e tyre, përfshirë ushqimin, ujin dhe ilaçet, si dhe karburantin dhe energjinë elektrike”,- thuhet në njoftimin e gjykatës.
Ndërsa Deif akuzohet për krime të pretenduara kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera në territorin palestinez dhe të Izraelit të paktën nga 7 tetori 2023.
Izraeli dhe Hamasi janë përfshirë në një luftë me pasoja vdekjeprurëse prej 7 tetorit të vitit të kaluar, kur mbi 1 mijë shtetas izraelitë u vranë brenda ditës gjatë një sulmi terrorist.
Mbi 45 mijë persona në Gaza, ku operon Hamasi, kanë gjetur vdekjen nga operacionet e ushtrisë izraelite për hakmarrje, por edhe për shfarosjen e grupit palestinez që mori përsipër sulmin fillestar.
