
Foto Rtsh
Kryeministri Edi Rama, ndërsa mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Gjuhës Shqipe, njoftoi për publikimin e draftit të Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe. Ai tha se ky fjalor do të hidhet për konsultim të gjerë publik, duke e konsideruar atë si një pjesë të rezistencës për të mbrojtur gjuhën shqipe, shkruan “RTSH”.
Kryeministri Rama tha se gjuha shqipe kërcënohet nga barbarizmat që gjejnë hapësirë në rrjetet sociale, duke theksuar se është detyrim mbrojtja e saj mos të lejohet që të degradojë deri në pikën që mos të mundet të rikuperohet më.
“Barbarizmat në fjalor dhe sintaksë na bëjnë që të jemi të alarmuar dhe të bëjmë çmos për të rezistuar. Është e pamundur të jemi në sulm, sepse furia e gjithë kësaj barbarie është shumë e fortë. Por, duhet të rezistojmë. Dhe si pjesë e kësaj rezistence, mund të themi që jemi në momentin historik sa i përket prezantimit të Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, që më në fund është përditësuar falë punës monumentale të bërë nën kujdesin e Akademisë së Shkencave. Drafti i tij do të hidhet në konsultim të gjerë publik dhe do të merren opinionet dhe sugjerimet, vërejtjet, kontribute që me gjasë mund ta pasurojnë, por me siguri do ta konsolidojnë si produktet të përbashkët të një rezistence të domosdoshme dhe një përpjekje që ne nuk e kemi të mundur të jemi në sulm se jemi nën agresionin e barbarisë që gjen hapësirë falë botës së re të rrjeteve sociale. E kemi detyrim të patjetërsueshëm të jemi në mbrojtje dhe mos të lejojmë që gjuha të degradojë në pikën e moskthimit”,- tha kryeministri Rama.
